A të çojnë të gjitha fetë tek Perëndia?

nga Pastor John Piper

Kësaj here kemi një pyetje shumë të rëndësishme të cilën nuk duam ta injorojmë dhe as ta hamendësojmë përgjigjen e saj. Pyetjen na e dërgon një dëgjuese e re e programit tonë e cila quhet Kajla. “Pastor John, a është Perëndia i njëjti perëndi në të gjitha fetë por në forma të ndryshme? Kam dëgjuar të thuhet kështu, por çfarë na thotë Bibla?”

Më lejoni të sigurohem që e kam kuptuar pyetjen. Unë e kuptoj kështu pyetjen e Kajlës, “Nëse me sinqeritet adhurojmë perëndinë e çfarëdo feje, a jemi duke adhuruar Perëndinë e vetëm dhe të vërtetë?” Ose mund ta bëjmë pyetjen edhe në këtë mënyrë: “A na mëson Bibla që perënditë e feve të tjera përveç Krishterimit janë qenie reale të mbinatyrshme, të dallueshme dhe në kundërshtim me Perëndinë e vetëm dhe të vërtetë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht?” Këto janë dy mënyrat sesi do ta bëja unë të njëjtën pyetje.

Perëndi konkurues

Përgjigja për pyetjen e dytë është po. Bibla na mëson që perënditë e feve të tjera nuk janë thjesht emra. Ato nuk janë thjesht mite por janë në fakt qenie të mbinatyrshme të cilave iu pëlqen të adhurohen dhe që dëshirojntë ta mashtrojnë botën të marrin pretendimin e tyre dhe të zënë vendin e Perëndisë së vërtetë. Prandaj, përgjigja për pyetjen e parë është, jo. Nëse me sinqeritet adhuron perënditë e feve të tjera nuk po adhuron Perëndinë e vetëm dhe të vërtetë të zbuluar në Jezu Krishtin. Kjo është përgjigja ime.

“Perënditë e tjera janë konkurrentë. Ata janë armiq. Ata janë demoniakë. Ata nuk janë Perëndia i vërtetë.”

Ja disa vargje nga Bibla për t’iu treguar se ku e gjej unë përgjigjen. Apostulli Pal thotë tek 1 Korintasve 10:19-20, “Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka? Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët.” Çështja me të cilën po merrej ai ishte ushqimi i ofruar idhujve në një fe tjetër dhe nëse të krishterët duhej të hanin prej tij.

Shpjegimi i tij ishte që këto flijime në fetë e tjera, në shekullin e parë, nuk ishin flijime për Perëndinë e vërtetë sikur të thoshe që pas fesë së tyre gjendej i njëjti Perëndi. Ato ishin flijime për qenie të mbinatyrshme – Pali i quan demonë – të cilët ishin në kundërshtim me Perëndinë. Kështu është një demon. Ajo që Pali po deklaron është thjesht një vazhdimësi e asaj që Perëndia tashmë kishte zbuluar në Dhiatën e Vjetër. Në Izrael ka një Perëndi të vërtetë, Jahve i cili e ka zbuluar Veten përmes fjalës së Tij drejtuar Moisiut dhe profetëve.

Ka perëndi të tjerë të kombeve, qenie reale të mbinatyrshme të cilat njerëzit e Tij nuk duhej t’i adhuronin. Për shembull, Ligji i Përtërirë 29:18 thotë, “Të mos ketë midis jush burrë a grua, familje a fis zemra e të cilit të largohet nga Zoti, Perëndia ynë, dhe të shkojë t’u shërbejë perëndive të këtyre kombeve.” Ose Jozueu 23:7-8, “pa u përzier me kombet që mbeten midis jush; nuk do të përmendni as emrin e perëndive të tyre dhe nuk do të betoheni për ta; nuk do t’i shërbeni dhe nuk do të bini përmbys para tyre; por do të lidheni ngushtë me Zotin, Perëndinë tuaj, siç keni bërë deri sot.”

Perëndia e bëri të qartë shumë herë në Dhiatën e Vjetër që kishte perëndi të tjerë. Kishte fe të tjera dhe që populli i Tij nuk duhej të hamendësonte që këto perëndi janë thjesht manifestime të qenies së Tij të vërtetë – sikur i njëjti perëndi të ishte pas çdo feje. Ata ishin të ndryshëm. Perënditë e tjera janë konkurrentë. Ata janë armiq. Ata janë demoniakë. Ata nuk janë Perëndia. Ata janë konkurrentë për hyjninë. Ata janë realitete të vërtetë demoniake të mbinatyrshme.

Kujt do t’i shërbeni?

Çështja e madhe e jetës është kjo, A do t’i shërbesh Perëndisë të vetëm të vërtetë, apo do t’u shërbesh perëndive të tjerë? Elia mbi Malin Karmel e tha kështu në përballjen e madhe mes Jahves nga njëra anë dhe perëndisë Baal në anën tjetër. Ai thotë, “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë” (1 Mbretërve 18:21).

Nuk mund të thuash që gjithë ata adhurues të sinqertë të Baalit janë adhurues të Perëndisë së vërtetë. Bibla nuk ka pikë kuptimi nëse është kështu. Këta perëndi janë armiq të mëdhenj, prandaj urdhërimi i parë është, “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.” (Eksodi 20:3). Ja cila është çështja më kritike në kohën tonë, që nga momenti kur Jezusi erdhi në botë si zbulesa përfundimtare dhe finale e Perëndisë së vërtetë: ai vetë, sikurse e zbuloi veten në histori, është testi nëse ndonjë pretendim për adhurimin e Perëndisë së vërtetë është një pretendim i vërtetë.

Për shembull, 1 Gjoni 4:1 thotë, “Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë,” – nëse një frymë thotë, ‘Kjo është feja e vërtetë, apo ky është Perëndia i vërtetë,’ mos e besoni – “por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia.” Si ta bëjmë këtë gjë? Gjoni vazhdon duke thënë, “Sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë. Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia” (1 Gjoni 4:2).

Testi i letrës së lakmuesit

Me fjalë të tjera, Jezusi real i historisë i zbuluar në Shkrim është testi i lakmuesit për çdo pretendim për realitet të mbinatyrshëm. Çdo fe që nuk e përqafon, nuk e adhuron dhe nuk i bindet Jezusit për atë që është – i zbuluar në Bibël – është një fe e rreme. Në këto fe nuk gjejmë të fshehur Perëndinë e vërtetë. Jezusi e tha kështu tek Gjoni 5:23, “kush nuk e nderon Birin,” – Jezusin – nuk nderon Atin që e ka dërguar.”

“Çdo fe që nuk e përqafon, nuk e adhuron dhe nuk i bindet Jezusit për atë që është sikurse është zbuluar në Bibël është një fe e rreme.”

Nuk ka rëndësi se çfarë thoshin ata për Perëndinë – kur po u fliste Farisenjve që vërtetë thoshin që besonin në Perëndinë e Dhiatës së Vjetër – Jezusi iu tha, “Jo, ju nuk i besoni Perëndisë për shkak se nuk më pranoni mua.” Jezusi është testi i lakmuesit për të gjitha fetë, përfshirë këtu edhe Judaizmin. Sërish, Gjoni 8:42 thotë, “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia.” Tek 1 Gjoni 2:23, Gjoni thotë, “Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.”

Konkluzioni im nga Bibla është që ekzistojnë qenie reale të mbinatyrshme pas feve të tjera, por ato nuk janë Perëndia i vërtetë. Ata janë konkurrentë kundër Perëndisë. Ata janë demonë dhe mashtrues, dhe mënyra për t’i vënë në provë të gjitha pretendimet për të vërtetën në një fe është Jezu Krishti. Ai është zbulesa finale dhe vendimtare e Perëndisë të vetëm dhe të vërtetë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*