Çfarë është idhujtaria?

Pyetja 17

Çfarë është idhujtaria?

Idhujtaria është të besuarit në gjërat e krijuara dhe jo në Krijuesin për shpresën, lumturinë, rëndësinë dhe sigurinë tonë.

Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua… e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.

Romakëve 1:21, 25

Komentim

Çfarë do të thotë të kesh një perëndi? Apo çfarë është perëndia i një personi? Përgjigja: Çfarëdo qoftë ajo tek e cila kërkojmë ndonjë të mira apo strehim në kohë nevoje, kjo është është “perëndi”… është besimi i zemrës të cilin ia japim Perëndisë apo një idhulli… Çfarëdo gjëje që ia jep zemrën dhe i beson qenien tënde, kjo gjë është perëndia yt. Shumë njerëz imagjinojnë që kanë Perëndinë dhe gjithçka që i nevojitet nëse ka para dhe pasuri. Ai mbështet mbi këto gjëra, mburret për to dhe ndihet patundshmërish i sigurt. Por vini re, edhe ai ka një perëndi, i cili quhet mamon. Janë paratë dhe pasuritë të cilave iu ka dhënë gjithë zemrën e vet. Mamoni është idhulli i preferuar i botës. Ata që kanë para dhe pasuri kanë një ndjenjë sigurie dhe ndihen të lumtur dhe sypatrembur. Nga ana tjetër, ai që nuk ka asgjë është po aq i pasigurt dhe i pushtuar prej ankthit sikur të mos kishte dëgjuar kurrë për Perëndinë. Në mënyrë të ngjashme ai që mburret me arsimimin e tij të madh, në inteligjencën, pushtetin, avantazhet e veçanta, lidhjet familjare, që i nderon këto gjëra dhe ka besim në to, edhe ky ka një perëndi, vetëm se ky nuk është Perëndia i vërtetë. Prova për këtë gjë duket qartë kur njerëzit janë arrogantë, të pasigurt dhe krenarë për shkak të pasurive të tilla, dhe të dëshpëruar kur u mungojnë apo i humbasin ato. Po e përsëris, të kesh një perëndi do të thotë të kesh diçka tek e cila mbështet plotësisht zemra jote.

Tani pra mund ta kuptoni lehtë çfarë thotë dhe sa shumë na kërkon urdhërimi i parë. Ai na kërkon që e gjithë zemra e njeriut dhe gjithë siguria e tij t’i jepet vetëm Perëndisë dhe askujt tjetër. Adhurimi dhe shërbimi i vërtetë i Perëndisë, lloji që i pëlqen Atij dhe të cilin Ai na urdhëron t’ia ofrojmë nën kërcënimin e zemërimit të përjetshëm, ky lloj adhurimi ndodh kur zemra juaj e drejton gjithë besimin dhe sigurinë e saj vetëm drejt Perëndisë dhe nuk lejon që të largohet prej Tij; kjo konsiston në rrezikimin e gjithçkaje mbi tokë për Të, të braktisësh gjithçka për hir të Tij. Fare lehtë mund të gjykoni sesi në kontrast me këtë bota nuk praktikon asgjë tjetër veçse idhujtari dhe adhurim të rremë. Gjithsecili ka ngritur për vete një perëndi të caktuar drejt të cilit shikon për përfitime, ndihmë dhe ngushëllim. Idhujtaria nuk konsiston thjesht në ngritjen e një shëmbëlltyre dhe në adhurimin e saj; ajo ndodh më së pari në zemër e cila shikon kudo tjetër dhe jo tek Perëndia, duke kërkuar ndihmë dhe ngushëllim në gjërat e krijuara. Përveç kësaj është gjithashtu edhe adhurimi i rremë, ajo idhujtari e thellë e cila përfshin ata që kërkojnë ngushëllim dhe shpëtim në veprat e tyre dhe pretendojnë ta arrijnë qiellin duke e vendosur Perëndinë nën presionin e detyrimit… ata dëshirojnë të fitojnë gjithçka vetë apo ta meritojnë përmes veprave të tyre. Çfarë është kjo veçse kthimi i Perëndisë në një idhull, në një shëmbëlltyrë, ndërsa adhuruesi ka ngritur veten si perëndi të tij. Por, ne duhet të besojmë vetëm në Perëndinë, të shohim drejt Tij dhe të presim të marrim vetëm gjëra të mira prej Tij. Hetoje dhe eksploroje zemrën tënde me thellësi dhe ke për të zbuluar nëse ajo përqafon vetëm Perëndinë apo jo. A e keni vendosur në zemrën tuaj që të mos prisni asgjë tjetër veçse të mira prej Perëndisë, në mënyrë të veçantë kur jeni në telashe dhe nevojë? Përveç kësaj, a i ka harruar dhe a ka hequr dorë zemra jote prej gjithçkaje që nuk është Perëndi? Atëherë do të kesh Perëndinë e vetëm të vërtetë. Nga ana tjetër, a është zemra jote e lidhur dhe a po mbështetet në diçka tjetër, prej të cilës shpreson të marrësh më tepër të mira dhe më tepër ndihmë sesa nga Perëndia? Kur gjërat shkojnë keq, mos vallë largohesh prej Tij në vend që të rendësh drejt Tij? Nëse ndodh kështu ti ke një perëndi tjetër, një perëndi të rremë, një idhull.

Martin Luteri (Martin Luther, 1483–1546). Pastor Protestant Gjerman dhe profesor i teologjisë. Luteri ishte biri i një familjeje minatorësh, që kishte për qëllim të bëhej avokat, por u bë pjesë e rendit monastik. Në 31 Tetor 1517 Luteri gozhdoi Nëntëdhjetë e Pesë Tezat e tij në derën e një kishe në Vitenberg duke i hapur kështu udhë Reformimit. Refuzimi i tij për të hequr dorë nga shkrimet e tij pavarësisht këmbënguljes së Papë Leos X dhe Karlit V rezultoi në shkishërimin e tij. Luteri shkroi shumë vepra, ku përfshihen katekizma e tij e shkurtër dhe ajo e zgjeruar, si dhe predikoi qindra predikime në kisha dhe universitete.

Lutje

O Perëndi, drita e çdo zemre që të sheh, jeta e çdo shpirti që të do, forca e çdo mendjeje që të kërkon, bëj të mundur që unë të vazhdoj të eci me këmbëngulje në dashurinë tënde të shenjtë. Derdhe veten tënde në zemrën time derisa ajo të tejmbushet, të jetë plotësisht e mbushur me kënaqësitë e tua, në mënyrë që të mos ketë më vend për kotësitë boshe të botës këtu poshtë. Më vjen turp dhe jam lodhur duke jetuar sipas botës; vetë pamja dhe tingujt e objekteve kalimtare më shqetësojnë; më ndihmo o Perëndia im kundër dhelpërive të tilla dhe ji Ti gëzimi i zemrës time. Merr gjithçka për vete dhe bëj aty banesën Tënde të vazhdueshme që të lë mënjanë gjithë gjërat këtu poshtë dhe të fokusohem, të shërbej dhe të qëndroj vetëm në Ty.

Augustini i Hipos (354-430). Augustini ishte peshkopi i Hipos, një koloni Romake në Afrikën e Veriut. Ai ishte filozof, teolog dhe konsiderohet shenjtor dhe Doktor i Kishës si nga Kisha Katolike ashtu dhe nga Bashkësia Anglikane. Ai shkroi një libër për kthimin e tij në besim të cilin e titulloi ‘Rrëfimet’. Kjo është vepra e tij më e njohur, por në të njëjtë kohë Augustini është një prej autorëve Latinë më të frytshëm për sa i përket veprave që i kanë mbijetuar kohës me qindra tituj të veçantë (vepra apologjetike, tekste për doktrinën e krishterë, dhe komentarë) dhe më shumë se 350 predikime të ruajtura deri më sot.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*