Çfarë është Kalvinizmi?
nga Pastor John Piper
Pastor John, këtu kemi një pyetje e cila na vjen rregullisht nga njerëz që nuk e kanë idenë se për çfarë po flasim. Na jep një shembull apo një përshkrim të “Teologjisë së Reformuar” apo të asaj që quhet “Kalvinizëm” gjëra për të cilat flasim shumë në episodet tona.
Ja se çfarë dua të them unë kur zakonisht përdor termin “Teologjia e Reformuar” apo termin “Kalvinizëm.” Dëgjuesit tanë duhet të kuptojnë që të tjerët mund të duan të japin një përkufizim më të plotë dhe më të hollësishëm. Prandaj, mos u habisni nëse dëgjoni dikë të thotë: përkufizimi i John Piper është shumë i ngushtë. Në një farë kuptimi ata kanë të drejtë. Historikisht, teologjia e Reformuar përfshin gjithçka që lexojmë në një teologji sistematike të shkruar nga një teolog i Reformuar.
Prandaj, çfarë është teologjia e Reformuar. Kjo është arsyeja pse disa njerëz të Reformuar nuk i mban vendi kur jepni një përkufizim të vogël. Jam plotësisht në rregull me këtë gjë dhe e afirmoj. Por unë mendoj se ajo që njerëzit duan të dinë është që, dhe me këtë duam të them: Ata duan të dinë se cilat janë disa tipare dalluese për të cilat je duke folur ndërsa përdor një frazë të tillë? Ja se çfarë dua të them unë me “Teologji të Reformuar.”
Teologjia e Reformuar me kuptimin që e përdor unë është një pikëpamje rreth Perëndisë dhe mënyrës sesi Ai punon në botë e cila rritet si një pemë me shumë degë, nga një bindje e thellë që lavdia e Perëndisë është synimi i të gjitha gjërave dhe që liria dhe sovraniteti i Tij janë thelbësore për hyjninë e Tij. Dhe për shkak se Ai është i lirë, sovran dhe i lavdishëm, nuk ka nevojë që dikush t’i shërbejë për t’ia plotësuar nevojat. Prandaj, Ai është në mënyrë të lavdishme i lirë për t’u treguar i hirshëm ndaj nesh. Kjo pra është teologjia e Reformuar e distiluar në një paragraf.
Mbështetja Biblike
Le t’i shohim këto gjëra njëra pas tjetër dhe t’i mbështesim me tekste nga Bibla. Lavdia e Perënisë është tema supreme e teologjisë së Reformuar. Isaia 48:9-11 thotë, “Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros. Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit. Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri”.
Nuk mendoj se ka ndonjë pjesë në Bibël që e lartëson më tepër Perëndinë se Isaia 48:9-11. Prandaj, lavdia e Perëndisë nga krijimi deri në përmbushjen e të gjitha gjërave është vlera supereme që Perëndia ka në këtë botë, gjë të cilën Ai po e ndjek në gjithë sa bën. “Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time,” thotë Perëndia tek Isaia 43:6-7. Dhe duke e bërë këtë gjë, duke ndjekur lavdinë e Tij, në gjithë sa bën – dhe kjo është tema në qendër të teologjisë së Reformuar – Ai është plotësisht i lirë dhe sovran. Domethënë, Ai nuk është i penguar përfundimisht apo i kontrolluar nga ndonjë forcë jashtë Tij. Ai mund të mposhtë çdo pengesë ndaj qëllimeve të Tij dhe të bëjë gjithë sa i pëlqen Atij.
Ja disa tekste që flasin për lirinë e Tij. Psalmi 115:3, “Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë” – Ai është totalisht i lirë. Apo Romakëve 9:15, “Do të kem mëshirë për atë që të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri.” Një deklaratë e tillë ka për qëllim të na ndihmojë të përqafojmë lirinë e Perëndisë. Ai bën atë që i pëlqen. Ai e bën këtë gjë me sovranitet absolut. Dhe ajo që dua të them me këtë është Isaia 46:9-10, “Unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër; jam Perëndia dhe askush nuk më ngjet mua, që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: ‘Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen.’”
Asnjë gjë nuk mund ta pengojë dot Atë. Ai është sovran. Gjithçka që duket si pengesë në shtegun e Tij, nëse Ai e lejon që të mbetet pengesë, Ai është thjesht duke e lejuar. Ai mund ta tejaklojë në çdo moment nëse dëshiron, dhe si rrjedhim, Ai është sovran mbi këtë pengesë. Ai pra nuk ka nevoja dhe si rrjedhim Ai është i tejmbushur me hir ndaj kujtdo që Ai dëshiron. Veprat 17:25 thotë që Perëndia nuk “shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep – jep dhe vazhdon t’u japë – “të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë.” Perëndia është një Perëndi bujar për shkak se nuk është një Perëndi nevojatar – dhe Ai nuk është një Perëndi nevojtar për shkak se është pafundësisht i lavdishëm, i lirë dhe sovran.
Gëzimi dhe bukuria e Kalvinizmit
Këto janë rrënjët e veprimit të Perëndisë në krijim dhe histori. Kjo do të thotë që kur vjen puna për shpëtimin e mëkatarëve – dhe këtu fillojmë të hyjmë shkurtimisht në detajet e vogla – kur vjen puna për të shpëtuar mëkatarët, Perëndia është i lirë dhe sovran në mënyrën sesi e bën këtë gjë. Ne jemi të vdekur. Unë, John Piper, isha i vdekur në shkelje dhe mëkate. Nuk isha në gjendje ta ndryshoja jetën time. Nuk e doja Perëndinë. Nuk i besoja Perëndisë. Nuk e dëshiroja Perëndinë. Perëndia më dukej i mërzitshëm. Dhe si rrjedhim isha i skllavëruar ndaj mëkatit tim. Perëndia nuk ishte i bukur dhe nuk ishte as i kënaqshëm, dhe kjo është gjendja e gjithsecilit derisa Perëndia të veprojë.
Prandaj, teologjia e Reformuar thotë: Zgjidhja e vetme për këtë gjendje të pashpresë në të cilën gjendesha unë dhe në të cilën janë të gjithë, është që Perëndia është sovran dhe përmes hirit të tij të lirë e mposht verbërinë tonë. Ai na ringjall prej së vdekuri. Ai na jep sy për të parë bukurinë e Krishtit në mënyrë që lirshëm dhe me gëzim ta përqafojmë Atë si thesarin tonë suprem. Për shembull, 2 Korintasve 4:6 thotë, “Sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.’” Kështu u shpëtova unë. Zemra ime ishte e errët. Ishte e vdekur. Ishte rebele. Ajo kishte gjithë preferencat e gabuara. Dhe Perëndia tha: Ndriçoftë drita e ungjillit në zemrën e John Piper. Dhe përmes një mrekullie, në një moment, e pashë Krishtin ndryshe. Ai ishte në mënyrë bindëse i vërtetë, i bukur dhe i kënaqshëm – dhe kështu u shpëtova.
Tani Bibla më quan një “krijesë të re” (2 Korintasve 5:17) prandaj Efesianëve 2:8-9 është e vërtetë, “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga veprat” apo nga ndonjë gjë tjetër që ne bëmë. Prandaj, besimi është dhuratë. Nuk e krijojmë ne me vullnetin tonë të lirë.
Në këtë pikë gjërat bëhen të debatueshme – dhe do ta mbyll me këtë deklaratë – Nuk e krijojmë ne besimin. Nuk e krijojmë ne besimin me vullnetin tonë të lirë. Nëse do të lihemi në vullnetin tonë të lirë ne të gjithë do të zgjedhim kënaqësitë e krijimit dhe jo bukurinë e Krijuesit. Vullneti ynë i lirë është skllav i mëkatit. Thjesht lexoni Romakëve 6:16-17 dhe do të shihni që ne ishim të skllavëruar ndaj mëkatit, të skllavëruar ndaj padrejtësisë. Vetëm hiri sovran i Perëndisë mund të na çlirojë në mënyrë që ta shohim Krishtin për atë që është në të vërtetë dhe ta përqafojmë Atë si thesarin tonë suprem. Këtë dua të them unë me shprehjen teologji e Reformuar.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!