E zakonshmja Virgjëreshë Mari

Helen Stirke
vdiq rreth vitit 1543

nga Toni Reinke

Drama e Reformimit Protestant paraqet personalitete të mëdha dhe personazhe kryesore, ata lloj njerëzish që janë kthyer në mite, legjenda dhe në skulptura gjigante prej graniti. Mirëpo, reformimi është po ashtu edhe historia e dishepujve të thjeshtë dhe të zakonshëm të Krishtit, të cilët tashmë janë harruar dhe që e vunë në zbatim teologjinë e reformimit në jetën e tyre të përditshme dhe të cilët madje paguan çmim të lartë për kauzën e reformimit duke falur vetë jetën e tyre. një prej këtyre martirëve dhe martireve ishte edhe Helen Stirke.

Barabar me Marinë

Helena ishte një e krishterë e zakonshme skoceze që banonte në qytetin e Përthit, e cila i qe kushtuar punëve të shtëpisë si bashkëshorte dhe si nënë. Jeta e saj nuk ra në sy gjatë historisë deri sa i lindi fëmija i fundit në vitin 1544.

Kur e zunë dhimbjet e lindjes, tradita katolike e kërkonte që t’i bëheshin lutje të zellshme Virgjëreshës Mari. Duke qenë njohëse e mirë e Shkrimit, Helena nuk pranoi që të bëheshin lutje të tilla, sepse nuk kishte fare ndërmend ta ndiqte këtë traditë. Mamitë e saj mbetën të habitura prej refuzimit të saj dhe iu përgjëruan që ta bënte këto lutje, por ajo nuk pranoi se nuk pranoi. Lindja e një fëmije ishte përherë një burim rreziku për shëndetin e grave, por lutjet drejtuar Marisë nuk ofronin asnjë pikë sigurie se gjithçka do të shkonte mirë, përveçse ishin një traditë besëtytnore.

“Nëse do kisha jetuar në kohën e Virgjëreshës”, tha Helena plot pjekuri, “mbase Perëndia do të më kishte parë mua në skamjen dhe përulësinë time të cilat ngjasojnë me ato të Virgjëreshës dhe mbase mund të më kishte zgjedhur mua për të qenë nëna e Krishtit”. Predikimi i saj i shkurtër në shtratin e lindjes duhet t’i ketë lënë njerëzit gojëhapur. Mirëpo, Helena gjente paqe e ngushëllim në teologjinë e vet, duke e ditur që lutjet e saj shkonin drejtpërdrejt tek Perëndia përmes Shpëtimtarit të saj Jezu Krishtit.

“Nuk do të them natën e mirë”

Lajmi i refuzimit të Helenës për t’iu lutur Marisë dhe pretendimi i saj i guximshëm që ajo ishte në të njëjtën pozitë përpara Perëndisë sikurse Virgjëresha mbërriti shumë shpejt në veshët e klerit lokal katolik dhe ata e përcollën lajmin tek autoritetet më të larta të Kishës së Romës në Skoci. Ata reaguan nxitimthi për ta shuar këtë shkëndijë teologjie protestante që po lindte. Nuk kaloi shumë kohë dhe Helena u arrestua dhe u burgos, bashkë me bashkëshorti e saj dhe me katër protestantë të njohur në qytetin e tyre. Shpejt ky grup i vogël u shpall fajtor për “herezi” dhe u dënua me vdekje. Ditën tjetër, ushtarët i shpunë Helenën, bashkëshortin e saj, dhe protestantët e dënuar për t’i varur në litar.

Helena kërkoi që të vdiste krah për krah me bashkëshortin e saj, Xhejms Finlason, por kërkesa e saj nuk u pranua. Burrat vareshin, ndërsa gratë mbyteshin në ujë, kështu që u caktua që Xhejmsi të ekzekutohej i pari. Duke mbajtur foshnjën e saj në krahë, Helena iu afrua bashkëshortit, e puthi, dhe i tha këto fjalë të fundit:

“Bashkëshorti im, ngazëllohu, sepse kemi jetuar bashkë shumë ditë të gëzueshme dhe ditën e sotme, ditën në të cilën duhet të vdesim, duhet ta vlerësojmë si më të gëzueshmen prej të gjithave, sepse do të hyjmë në gëzimin e përjetshëm. Prandaj nuk do të them natën e mirë, sepse shumë shpejt do të takohemi në mbretërinë e qiejve”.

Xhejmsi u var para syve të saj. Jeta e tij mbi tokë përfundoi dhe sytë e njerëzve u kthyen nga Helena, të cilën e detyruan që t’ia jepte foshnjën e sapolindur një mamie që do të kujdesej për fëmijën tani e tutje. Autoritetet e çuan Helenën tek një pellg aty afër, e lidhën këmbë e duar, e futën në thes bashkë me gurë dhe pesha të tjera dhe e hodhën në ujë sikur të ishte një thes me plehra. E gjithë kjo për shkak të krimit që gjoja kishte kryer, pra që “kishte blasfemuar kundër Virgjëreshës Mari”.

Një re dëshmitarësh të zakonshëm

Perëndia i njeh të gjitha hollësitë, por kjo është gjithë sa dimë për jetën e Helenës. Ajo ishte një grua e guximshme, e cila u forcua prej Shkrimit. Pohimi i saj në shtratin e lindjes, pra, që ishte e barabartë me nënën e Jezusit, qe një vepër mosbindjeje radikale ndaj ceremonialit, por në thelb ishte një veprim besimi, duke e zhvleftësuar gjithë larminë e zakoneve të njeriut përballë supremacisë së Krishtit.

Po ta këqyrim më thellë reformimin do të vëmë re që nuk ka të bëjë thjesht me shtypshkronjat dhe tezat e gozhduara në dyert e kishave apo debatet teologjike. Reformimi është historia e besimtarëve të zakonshëm, bashkëshortëve dhe bashkëshorteve, etërve dhe nënave, të cilët u mbështetën në fjalët e Shkrimit dhe rivendosën supremacinë e Jezu Krishtit mbi jetët, martesat dhe familjet e tyre. Reformimi na jep dëshmi rreth shpresës së përjetshme në Krishtin dhe na ofron një re dëshmitarësh që na bëjnë thirrje që edhe ne të ecim në të njëjtën rrugë dhe të bëjmë të njëjtat gjëra. Ata na bëjnë thirrje që të kapemi fort pas bindjeve tona biblike, pa u lëkundur, që të gëzohemi me bekimet tokësore të Perëndisë, si dhe të durojmë çdo mundim të përkohshëm në këtë epokë për hir të gëzimit të përjetshëm që gjendet para nesh në epokën që po vjen.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*