Kampioni i Kirkut

Gjon Noksi
1513–1572

nga Sinkler Ferguson

Në fillimin e Shek. XVI, Skocia kishte një tipar të përbashkët me pjesën tjetër të Evropës: një kishë shumë të korruptuar dhe të dobët frymërisht me një udhëheqje moralisht të kalbur. Nëse përmendim një shembull famëkeq, Kardinalin dhe Kryepeshkopin David Bitën, i cili babai i katërmbëdhjetë fëmijëve të jashtëligjshëm. Kështu funksiononte beqaria priftërore në jetën e përditshme. Padija frymërore ishte në një nivel të tillë saqë Xhorxh Bukanan thoshte shpesh se disa prej priftërinjve mendonin se Dhiata e Re ishte një libër i posabotuar nga Martin Luteri.

Me daljen në skenë të Gjon Noksit edhe në Skoci ia filloi me të madhe Reformimi.

Noksi lindi në Hadington të Lothianit Lindor diku mes viteve 1513 dhe 1515. U arsimua në qytetin e lindjes dhe më pas në Universitetin e Shën Andreas. Noksi u shugurua prift dhe u kthye në vendlindje për të punuar si noter dhe mësues. Nuk dimë shumë rreth kthimit në besim të Noksit, pra, po aq pak sa dimë edhe për atë të Kalvinit.

Zënia rob dhe lirimi

Pas martirizimit të udhëheqësit protestant Xhorxh Uishart në kishën e Shën Andreas, në vitin 1547, Noksi zbriti në qytet me disa prej studentëve të tij të rinj dhe iu bashkua grupit të reformatorëve që jetonin në kështjellën e qytetit. Kur Noksi u caktua të predikonte, ai refuzoi, por me plot gojën mund të thuhet që bashkësia e kështjellës e shtrëngoi që ta pranonte thirrjen e predikuesit dhe të bëhej pastori i tyre. Megjithatë, brenda pak muajsh, kështjella u rrethua nga trupat franceze, të cilat zbarkuan në Gjirin e Shën Andreas. Noksi dhe të tjerët u kapën rob dhe u detyruan që, për një vit e gjysmë, të vozisnin si skllevër në anijet e luftës të marinës franceze.

Në vitin 1549, Noksi u lirua nga skllavëria dhe u kthye në Angli. Ai shërbeu si pastori i një bashkësie besimtarësh në Beruik, por shumë shpejt u zhvendos në Njukasëll. Pastaj u bë kapelani mbretëror gjatë ditëve të të ashtuquajturit Mbreti Josia i Anglisë, Eduardi VI. Vdekja e Eduardit në vitin 1553 ishte një goditje e rëndë për partinë e reformatorëve në Angli, sepse pas tij erdhi në fron Maria Tudori (ose siç e përshkroi në mënyrë metaforike Noksi “Jezebela idhujtare”). Për shkak të saj Gjon Noksi kaptoi detin dhe u fsheh nëpër Evropë.

Jeta në kontinent

Mes viteve 1553 dhe 1559, Noksi jetoi porsi një nomad. Ai kaloi ca kohë me Kalvinin në Gjenevë, periudhë të cilën e quajti “shkolla më e përsosur e Krishtit… që nga ditët apostujve”. Më pas, pranoi ftesën për t’u bërë pastori i bashkësisë anglishtfolëse në Frankfurt mbi Majn.

Noksi u martua me një grua angleze të quajtur Marxhori Baus dhe në vitin 1556 u kthye në Gjenevë ku u shugurua si pastori i një bashkësie që përfshinte rreth dyqind refugjatë anglezë. Vitin pasues mori një ftesë urgjente për t’u kthyer në Skoci, sepse në vitin 1558 do të mbahej dasma e Marisë së re, Mbretëreshës së Skocezëve, me Princin e Francës, një ngjarje e cila me shumë gjasë do ta vuloste përgjithmonë fatin e Skocisë nën sundimin e katolicizmit.

Zelli i Noksit mund të dallohet në një letër që ai i shkroi po atë vit popullit të Skocisë, duke i nxitur që të mos bënin kompromis me ungjillin. Ai u kujtoi atyre që për veprimet e veta do të jepnin një ditë llogari përpara fronit të gjykimit të Perëndisë:

[Disa mund të justifikohen me këto fjalë:] “Ne jemi qytetarë të thjeshtë, nuk na takon neve që t’i ndreqim gabimet dhe krimet e sundimtarëve tanë, të peshkopëve dhe të klerit; kërkuam reformim dhe e dëshiruam fort atë por… u detyruam që t’u bindemi kërkesave të drejtuesve tanë”. Unë them që këto justifikime të kota nuk kanë për t’ju bërë aspak punë kur të dilni përpara Perëndisë.

Kthimi në Skoci

Në vitin 1559, Noksi më në fund u kthye në atdhe për të filluar fazën e tij më të rëndësishme të shërbesës publike si kampioni i Kirkut (fjala kishë në gjuhën skoceze). Pavarësisht kohës së gjatë që kaloi larg atdheut, Noksin gjatë kësaj periudhe u pajis me gjithçka që i nevojitej për të udhëhequr reformimin skocez: emri i tij ishte lidhur me heronjtë e të kaluarës së afërt, vuajtjet e tij vërtetuan përkushtimin që kishte ndaj Zotit, përvoja e tij e gjerë e kishte përgatitur për udhëheqje dhe bindja e fortë për thirrjen që kishte marrë nga Perëndia e bëri të aftë që “të mos i trembej syri prej askujt”. Kështu, për plot trembëdhjetë vjet derisa ndërroi jetë, Noksi iu përkushtua reformimit të Skocisë.

Në verën e vitin 1572 ishte ligur shumë, dhe në nëntor të atij viti u bë e qartë se nuk e kishte të gjatë. Mëngjesin e 24 nëntorit, i kërkoi gruas së tij të dytë t’i lexonte Letrën e Parë drejtuar Korintasve, Kapitulli 15, rreth orës pesë bëri kërkesën e tij të fundit: “Më lexo vendin ku hodha spirancën për herë të parë” (domethënë ku lindi besimi im). Ajo i lexoi nga Ungjilli sipas Gjonit, kapitulli 17. Në mbrëmje ai kishte ndërruar jetë.

Për ndikimin e Noksit mbi Reformimin Skocez janë dhënë shumë shpjegime. Nuk ka dyshim që kishte edhe faktorë të tjerë të lidhur me provaninë e Perëndisë, të cilët shkaktuan një rizgjim frymëror të këtyre përmasave. Mirëpo, bindja personale e Noksit ishte kjo: “Perëndia ua dha me bollëk Frymën e Tij të Shenjtë njerëzve të thjeshtë”. Këtu, pra, qëndron edhe mësimi më i madh i jetës së tij.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*