Komentim – Hebrenjve 11
Hebrenjve 11
nga Methju Henri
Skica e kapitullit
- Përshkrim i natyrës dhe fuqisë së besimit. (1–3)
- Besimi i Abelit dhe Noeut. (4–7)
- Besimi i Abrahamit dhe pasardhësve të tij. (8–19)
- Besimi i Jakobit, Jozefit, Moisiut, Izraelitëve dhe Rahabit. (20–31)
- Besimi i besimtarëve të tjerë në Dhiatën e Vjetër. (32–38)
- Gjendja më e mirë e besimtarëve në epokën e ungjillit. (39-40)
Hebrenjve 11:1–3
Besimi ka qenë gjithmonë shenja dalluese e shërbëtorëve të Perëndisë qysh prej fillimit të botës. Aty ky mbillet parimi i besimit përmes veprës ripërtëritëse të Frymës së Perëndisë do të bëjë që të pranohet e vërteta në lidhje me drejtësimin përmes vuajtjeve dhe meritave të Krishtit. Të njëjtat gjëra që janë objekti i shpresës sonë janë gjithashtu objekt i besimit tonë. Besimi është një bindje dhe pritje e palëkundshme që Perëndia do të bëjë gjithë sa na ka premtuar në Krishtin. Kjo bindje i jep shpirtit mundësinë që t’i gëzojë këto gjëra tani; u jep një përjetim të realitetit në shpirt përmes fryteve të para dhe para-shijimit të tyre. Besimi i vërteton mendjes realitetin e gjërave që s’mund të shihen përmes syve fizikë. Besimi është aprovimi i plotë i gjithë sa Perëndia ka zbuluar si e shenjtë, e drejtë dhe e mirë. Kjo pikëpamje besimi shpjegohet përmes shumë shembujve të personave nga epokat e kaluara, të cilët morën një dëshmim të mirë, apo një karakter të nderuar në fjalën e Perëndisë. Besimi ishte parimi i bindjes së shenjtë, shërbimeve të jashtëzakonshme dhe të vuajtjeve me durim. Bibla na jep dëshminë më të vërtetë dhe më të saktë për origjinën e të gjitha gjërave, këtë duhet ta besojmë dhe të mos e lëmë mënjanë tregimin e Shkrimit për krijimin për shkak se nuk përputhet me fantazitë e ndryshme të njerëzve. Gjithë sa shohim në veprat e krijimit ka ardhur në ekzistencë përmes urdhrit të Perëndisë.
Hebrenjve 11:4–7
Në këtë pjesë shohim disa shembuj të shkëlqyer për besimin nga Dhiata e Vjetër. Abeli ofroi një sakrificë shlyese me të parëlindurin e kopesë së tij, duke pranuar kështu që ishte një mëkatar që meritonte të vdiste dhe që shpresonte vetëm për mëshirë përmes Sakrificës së madhe. Zemërimi dhe armiqësia krenare e Kainit kundër adhuruesit të pranuar të Perëndisë çoi në rrjedhojat e tmerrshme që të njëjtat parime kanë prodhuar në çdo epokë; përndjekjen katile dhe madje vrasjen e besimtarëve. Përmes besimit Abeli edhe pse i vdekur vazhdon të flasë; ai la pas një shembull udhëzues që flet. Enoku u rrëmbye, apo u largua që të mos përjetonte vdekje; Perëndia e mori në qiell ashtu siç do të bëjë Krishti me shenjtorët që do jenë gjallë në ardhjen e Tij të dytë. Ne s’mund të shkojmë tek Perëndia nëse nuk besojmë që Ai është ashtu siç e ka zbuluar veten në Shkrim. Ata që do ta gjejnë Perëndinë duhet ta kërkojnë me gjithë zemrën e tyre.
Besimi i Noeut ndikoi praktikisht në jetën e tij; e shtyu atë që të ndërtonte një arkë. Besimi i tij e dënoi mosbesimin e të tjerëve; bindja e tij dënoi përbuzjen dhe rebelimin e tyre. Shembujt e mirë ose i kthejnë mëkatarët në besim ose i dënojnë. Kjo gjë tregon sesi besimtarët e paralajmëruar prej Perëndisë që t’i shpëtojnë zemërimit që po vjen motivohen prej druajtjes, gjejnë strehë në Krishtin dhe bëhen trashëgimtarë të drejtësisë me anë të besimit.
Hebrenjve 11:8–19
Shpesh na bëhet thirrje të largohemi prej lidhjeve me botën, interesave apo rehative të saj. Nëse jemi trashëgimtarë të besimit të Abrahamit do të bindemi dhe do ecim përpara edhe pse nuk e dimë se çfarë mund të na ndodhë; do ta gjejmë veten në shtegun e detyrës, duke pritur realizimin e premtimeve të Perëndisë. Sprova e besimit të Abrahamit ishte që ai thjesht iu bind plotësisht thirrjes së Perëndisë. Sara e mori premtimin si premtim të Perëndisë; duke qenë e bindur për këtë gjë, ajo me të vërtetë gjykoi që Ai ishte në gjendje ta bënte dhe do ta realizonte. Shumë nga ata që kanë pjesë në premtime nuk i marrin shpejt gjërat e premtuara. Besimi mund t’i zotërojë bekimet që nga larg; mund t’i bëjë ato realitet të tanishëm; mund t’i dojë dhe të ngazëllohet në to, edhe pse të huaj mbi dhe; si shenjtorë shtëpia e të cilëve është në qiell; si shtegtarë që po udhëtojnë drejt shtëpisë së tyre. Përmes besimit ata i mposhtin tmerret e vdekjes, i thonë lamtumirë botës bashkë me gjithë rehatitë dhe kryqet e saj. Ata që me të vërtetë dhe në mënyrë shpëtuese janë nxjerrë nga një gjendje mëkatare nuk e kanë mendjen për t’u kthyer atje. Të gjithë besimtarët e vërtetë dëshirojnë trashëgiminë qiellore; sa më i fortë të jetë besimi aq më të flakta janë ato dëshira.
Pavarësisht dobësisë së tyre prej natyrës, ndyrësisë prej mëkatit dhe varfërisë prej gjendjes së tyre të jashtme, Perëndia nuk ka turp të quhet Perëndia i gjithë besimtarëve të vërtetë; e tillë është mëshira e Tij, e tillë është dashuria e Tij për ta. Edhe ata le të mos kenë kurrë turp që të quhen populli i Tij, dhe as vëllezër të atyre që janë vërtet të tillë, edhe pse mund të jenë shumë të përbuzur në botë. Mbi të gjitha le të kenë kujdes që emri i Perëndisë të mos turpërohet apo përbuzet për shkak të tyre.
Sprova dhe veprimi më i madh i besimit që është regjistruar ndonjëherë është momenti kur Abrahami ofroi Isakun tek Zanafilla 22:2. Atje çdo fjalë tregon një sprovë. Detyra jonë është që t’ua mbyllim gojën dyshimeve dhe frikërave tona që ashtu si Abrahami të shohim drejt pushtetit të plotfuqishëm të Perëndisë. Mënyra më e mirë për t’u kënaqur me rehatitë tona është t’ia dorëzojmë ato Perëndisë; pastaj Ai do të na i japë ato në mënyrën më të mirë për ne. Le të shohim shohim sesa shumë bindje të ngjashme ka shkaktuar besimi ynë kur jemi thirrur në vepra më të vogla vetëmohimi, apo për të bërë sakrifica më të vogla në shtegun tonë të detyrës. Mos kemi hequr dorë nga ajo që kërkohet, nga besimi i plotë që Zoti do të na kompensojë për të gjitha humbjet tona, madje ka për të na bekuar edhe përmes sprovave më të dhimbshme të caktuar prej Tij?
Hebrenjve 11:20–31
Isaku bekoi Jakobin dhe Esaun në lidhje me gjërat që do të ndodhnin. Gjërat e tashme nuk janë gjërat më të mira; askush nuk njeh dashurinë apo urrejtjen duke i pasur apo dëshiruar ato. Jakobi jetoi me anë të besimit, vdiq me anë të besimit dhe në besim. Edhe pse hiri i besimit është i dobishëm përgjatë gjithë jetës tonë ai është në mënyrë të veçantë i dobishëm në momentin e vdekjes. Në fund fare besimi ka një vepër të madhe për të bërë, ta ndihmojë besimtarin të vdesë për Zotin, dhe kështu ta nderojë atë përmes durimit, shpresës dhe gëzimit.
Jozefi u sprovua prej tundimeve për të mëkatuar, përmes përndjekjeve për ta ruajtur integritetin e tij, dhe gjithashtu përmes ndereve dhe pushtetit në oborrin e Faraonit, megjithatë besimi i tij e ndihmoi të kalonte gjithçka. Është shenjë mëshire të madhe të jesh i lirë nga ligjet dhe vendimet e liga; por kur nuk jemi duhet të përdorim të gjitha mjetet e ligjshme për sigurinë tonë.
Në besimin e prindërve të Moisiut kishte dhe një masë mosbesimi, por Perëndisë i pëlqeu ta anashkalonte. Besimi të jep forcë kundër frikës mëkatare dhe skllavëruese nga njeriu; besimi vendos Perëndinë përpara shpirtit, tregon kotësinë e krijesës dhe që gjithçka duhet t’i hapë udhë vullnetit dhe fuqisë së Perëndisë. Kënaqësitë e mëkatit janë dhe do të jenë kalimtare; ato duhet të përfundojnë ose në pendim të shpejtë ose në shkatërrim të shpejtë. Kënaqësitë e kësaj bote në të shumtën e kohës janë kënaqësi të mëkatit; ato janë gjithmonë të tilla kur s’mund t’i shijojmë dot pa braktisur Perëndinë dhe popullin e Tij. Në vend të mëkatit duhet zgjedhur vuajtja; ka më tepër ligësi në mëkatin më të vogël sesa në vuajtjen më të madhe. Populli i Perëndisë është dhe gjithmonë ka qenë një popull i përbuzur. Krishti e konsideron veten të përbuzur në përbuzjet e tyre; kështu këto gjëra bëhen pasuri më të mëdha sesa thesaret e perandorisë më të pasur mbi tokë. Moisiu e bëri zgjedhjen e tij kur ishte gati për gjykim dhe kënaqësi, kur ishte në gjendje të dinte çfarë bëri dhe përse e bëri. është e nevojshme që njerëzit të jenë seriozisht fetarë; të përbuzin botën kur kanë mundësitë më të mëdha për ta çmojnë dhe shijojnë atë.
Besimtarët munden dhe duhet të kenë në mendje kompensimin apo shpërblimin. Me anë të besimit mund të jemi plotësisht të sigurt për sigurimin e Perëndisë si dhe për praninë e Tij të hirshme dhe të fuqishme me ne. Një pamje e tillë e Perëndisë do t’i aftësojë besimtarët të vazhdojnë të ecin në shtegun e drejtë pavarësisht se çfarë mund të hasin në të. Nuk është për shkak të drejtësisë apo veprave tona më të mira që jemi shpëtuar prej zemërimit të Perëndisë; por përmes gjakut të Krishtit dhe përmes drejtësisë së tij që na llogaritet ne. Besimi i vërtetë bën që mëkati të jetë i hidhur për shpirtin edhe ndërsa merr faljen dhe shlyerjen. Të gjitha privilegjet tona frymërore mbi tokë duhet të na nxitin në shtegun tonë drejt qiellit. Zoti do ta bëjë edhe Babiloninë të rrëzohet para besimit të popullit të Tij, dhe kur Ai ka për të bërë një gjë të madhe për ta, Ai zgjon besim të madh dhe të fortë brenda tyre. Një besimtar i vërtetë dëshiron jo vetëm që të jetë në besëlidhje me Perëndinë, por edhe në përbashkësi me popullin e Perëndisë; është i gatshëm të ketë të njëjtin fat me ta.
Përmes veprave të saj Rahabi deklaroi që ishte e drejtë. Fakti që ajo nuk u drejtësua përmes veprave të saj duket qartë, për shkak se vepra që ajo bëri ishte e mangët në mënyrën e vet, nuk ishte përsosmërisht e mirë dhe si rrjedhim nuk mund t’i përgjigjej në mënyrë të përsosur drejtësisë së Perëndisë.
Hebrenjve 11:32–38
Edhe pasi kemi hetuar shumë në Shkrime, ka ende shumë për të mësuar prej tyre. Duhet të jemi të kënaqur të mendojmë sesa i madh ishte numri i besimtarëve në Dhiatën e Vjetër, sa i fortë ishte besimi i tyre edhe pse objekti i atij besimi në atë kohë nuk ishte zbuluar në mënyrë aq të plotë sa tani. Duhet të vajtojmë që tani në epokën e ungjillit kur parimi i besimit është më i qartë dhe më i përsosur numri i besimtarëve të jetë kaq i vogël dhe besimi i tyre kaq i dobët. Shkëlqesia e hirit të besimit qëndron në faktin që ndërsa i ndihmon njerëzit të bëjnë gjëra të mëdha si Gideoni, i ruan nga mendimet e madhështisë për veten e tyre. Besimi, ashtu si ai i Barakut gjen strehë tek Perëndia mes gjithë rreziqeve dhe vështirësive dhe pastaj e falënderon Perëndinë për të gjitha mëshirat dhe çlirimet. Me anë të besimit shërbëtorët e Perëndisë do ta mundin edhe luanin vrumbullues që vjen vërdallë për të parë se cilin mund të përpijë. Besimi i besimtarit qëndron deri në fund dhe në momentin e vdekjes i jep fitore mbi vdekjen dhe mbi gjithë armiqtë e tij vdekjeprurës ashtu si në rastin e Samsonit.
Hiri i Perëndisë shpesh qëndron mbi persona që nuk e meritojnë fare atë, për të bërë gjëra të mëdha për ta dhe përmes tyre. Por hiri i besimit kudo që të gjendet do t’i bëjë njerëzit që të pranojnë Perëndinë në të gjitha udhët e tyre ashtu si bëri Jefteu. Besimi do t’i bëjë njerëzit guximtarë dhe trima në një çështje të mirë. Pak njerëz janë përballur me sprova të mëdha, pak kanë treguar një besim aq të gjallë sa Davidi. Ai ka lënë një dëshmi përsa i përket sprovave dhe veprave të besimit në librin e Psalmeve, i cili ka qenë dhe gjithmonë do jetë tepër i vlefshëm për popullin e Perëndisë. Ata që si Samueli shkojnë në shtrat duke ushtruar besimin ka shumë të ngjarë që do të rriten dhe shquhen në besim. Besimi do ta aftësojë njeriun t’i shërbejë Perëndisë dhe brezit të tij në çfarëdo mënyre që mund të kërkohet. Interesat dhe pushtetet e mbretërve dhe mbretërive shpesh janë kundër Perëndisë dhe popullit të Tij; por Perëndia mund t’i nënshtrojë fare lehtë ata që ngrenë veten kundër Tij. Është lumturi dhe nder më i madh të ecësh me drejtësi sesa të bësh mrekulli. Me anë të besimit kemi ngushëllimin e premtimeve; përmes besimit përgatitemi të presim premtimet dhe t’i marrim ato në kohën e caktuar.
Edhe pse nuk shpresojmë që të afërmit apo miqtë tanë të ripërtërihen në jetë mbi këtë tokë besimi ka për të qëndruar i fortë kur t’i humbim ata dhe do na drejtojë tek shpresa e një ringjalljeje më të mirë. A do të mahnitemi më tepër me ligësinë e natyrës njerëzore që është në gjendje për mizori të tilla të tmerrshme kundër bashkë krijesave apo me shkëlqesinë e hirit Hyjnor që ka mundësi t’i mbështesë besnikët në mizori të tilla dhe t’i kalojë ata të sigurt përtej tyre? Çfarë ndryshimi që shohim mes gjykimit të një shenjtori nga Perëndia dhe gjykimit të njerëzve të tjerë! Bota nuk është e denjë për shenjtorët e përndjekur dhe të përbuzur të cilët përndjekësit e tyre i konsideruan të padenjë për të jetuar. Ata nuk janë të denjë të jenë në shoqërinë e tyre, nuk janë të denjë as për shembullin, këshillën apo përfitimet e tyre. Ata nuk e dinë se çfarë është një shenjtor, nuk e njohin vlerën e shenjtorit dhe nuk e dinë sesi të kenë dobi prej tyre; ata i urrejnë dhe i dëbojnë ashtu siç bëjnë edhe me ofertën e Krishtit dhe hirit të tij. (Hebrenjve 11:39).
Hebrenjve 11:39-40
Bota i konsideron të drejtët si të padenjë për të jetuar në të, kurse Perëndia e shpall botën si të padenjë për ta. Edhe pse të drejtët dhe njerëzit e botës ndryshojnë në gjykimin e tyre ata bien dakord në këtë, nuk është me vend që njerëzit e mirë ta gjejnë prehjen në këtë botë. Prandaj Perëndia i merr nga bota. Apostulli u thotë Hebrenjve që Perëndia kishte siguruar disa gjëra më të mira për ta, prandaj mund të jenë të sigurt që Ai pret gjëra të mira prej tyre.
Ashtu si avantazhet tona, me gjërat më të mira që Perëndia ka siguruar për ne, janë shumë më të larta se ato të tyre, aq më të larta duhet të jetë edhe bindja e besimit tonë, durimi i shpresës tonë dhe mundimi i dashurisë tonë. Nëse nuk kemi besim të vërtetë siç kishin këta besimtarë, ata do të na dënojnë në ditën e fundit. Prandaj le të lutemi vazhdimisht për rritjen e besimit tonë, që të mund të ndjekim këta shembuj të shkëlqyer, dhe të jemi me ta kur të jemi bërë të përsosur në shenjtëri dhe lumturi dhe të shkëlqejmë përgjithmonë si dielli në mbretërinë e Atit tonë.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!