Lavdia e Fjalës që u bë mish

12 Dhjetor

prej John Piper

Lavdia e Fjalës që u bë mish

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Gjoni 1:1

Gjithmonë ka pasur grupe sektariane që i kanë rezistuar misterit të nënkuptuar në këto dy fraza: “Fjala ishte pranë Perëndisë” dhe “Fjala ishte Perëndi.” Në skllavërinë e tyre ndaj konceptimit thjesht njerëzor, nuk mund t’i pranojnë të dyja. Ose ishte Perëndi, ose ishte me Perëndinë. Nëse ishte me Perëndinë nuk ishte Perëndi. Nëse ishte Perëndi nuk ishte me Perëndinë.

Për t’i shpëtuar të vërtetës së këtyre dy fjalive, njerëzit nganjëherë e ndryshojnë përkthimin. Por ajo që ky varg na mëson është që Ai të cilin e njohim si Jezu Krishti, para se të bëhej njeri, ishte Perëndi, dhe që Ati gjithashtu ishte Perëndi. Ka tre persona por një Perëndi të vetëm. Kjo është pjesë e së vërtetës të cilën e njohim si Triniteti. Kjo është arseja pse e adhurojmë Jezu Krishtin dhe themi bashkë me Thomain tek Gjoni 20:28, “Zoti im dhe Perëndia im!” Gjoni 1:1, “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.”

Pse u quajt Jezusi “Fjala”? Një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është të mendojmë se çfarë mund të ishte quajtur dhe pse kjo do kishte qenë e pamjaftueshme në lidhje me titullin “Fjala.”

Për shembull, ai mund të ishte quajtur “Vepra.” Një prej ndryshimeve mes një vepre dhe një fjale është që një vepër është më e paqartë. Nëse mendojmë që nganjëherë fjalët tona janë të paqarta dhe mund të interpretohen ndryshe, veprat tona janë edhe më të paqarta dhe të pakuptueshme. Kjo është arsyeja pse shpesh e sqarojmë veten me fjalë. Fjalët kapin kuptimin e asaj që bëjmë në mënyrë edhe më të qartë sesa vetë veprat. Perëndia bëri shumë vepra të pushtetshme në histori, por i dha një përparësi të caktuar Fjalës. Mendoj që një prej arsyeve është që Ai i jep një vlerë të lartë qartësisë dhe komunikimit.

Një shembull tjetër është që Gjoni mund ta kishte quajtur Jezusin “Mendimi.” Në fillim ishte Mendimi. Por një nga ndryshimet mes një mendimi dhe një fjale është që fjala në përgjithësi shihet si një lëvizje për jashtë nga ai që mendon për hir të mundësimit të komunikimit. Mendoj që Gjoni dëshiron që ne ta konsiderojmë Birin e Perëndisë që ekziston si për hir të komunikimit mes tij dhe Atit ashtu dhe për hir të shfaqjes në histori si komunikimi i Perëndisë me ne.

Një shembull i tretë është që Gjoni mund ta kishte quajtur “Ndjenja.” Në fillim ishte Ndjenja. Por sërish, do thosha që ndjenjat nuk përcjellin ndonjë konceptim, qëllim apo kuptim të qartë. Ndjenjat, ashtu si veprat janë të paqarta dhe duhen shpjeguar – me fjalë.

Prandaj, mua më duket që Gjoni e quan Jezusin “Fjala” për të theksuar që vetë ekzistenca e Birit të Perëndisë është për hir të komunikimit. Së pari dhe më së shumti ai ekziston dhe ka ekzistuar gjithmonë që nga përjetësia për hir të komunikimit me Atin. Së dyti, por pafundësisht më e rëndësishme për ne është që Biri i Perëndisë u bë komunikimi hyjnor për ne. Si përmbledhje, dikush mund të thotë, fakti që Jezusi quhet “Fjala” do të thotë që Ai është “Perëndia që shprehu Veten” për ne.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*