Lavdia e të Premtes se Mirë
nga Pastor John Piper
Ditën e të Premtes së Mirë kremtojmë kryqin e Jezu Krishtit. Në kryqin e tij ka lavdi që i tejkalojnë në mënyrë të jashtëzakonshme vuajtjet fizike të cilat mund të dramatizohen ndonjëherë në ekranin e kinemasë. Për shkak se këto janë lavdi teologjike dhe frymërore, shpesh injorohen, apo edhe mohoen, në kulturën tonë gjë e cila na sjell tek pyetja e sotme nga një dëgjuese e quajtur Xhesika, nga Davis, Kaliforni.
“Pastor John, ndërsa flas me të rinj në të njëzetat e tyre rreth Krishtit dhe ungjillit, herë pas here ka pasur njerëz që thonë se nuk besojnë që është e drejtë që dikush të paguajë ndëshkimin për një tjetër. Edhe unë vetë ndiej një rezistencë të brendshme kundër kësaj, por kam mësuar që shlyerja zëvendësuese i ka rrënjët në sistemin e sakrificave të ligjit të Moisiut. Megjithatë, brezi ynë, të paktën në Kaliforni, është analfabet kur vjen puna tek njohuria biblike dhe nuk e kanë këtë kornizë. Si do ta shpjegonit ju drejtësinë e shlyerjes zëvendësuese të këtij brezi?”
Nuk ka ndonjë gjë tjetër që të jetë më e rëndësishme se pyetja nëse Krishti në fakt ishte një zëvendësues i drejtë dhe i mëshirshëm për mëkatarët, prandaj kur ai vdiq për të zgjedhurit e tij, në fakt mbarti ndëshkimin e tyre në mënyrë që ata të mos përjetonin më asnjë dënim. Ky është thelbi i ungjillit të krishterë. Nëse heqim këtë gjithçka humbet. Le të hamë, të pimë e të gëzohemi sepse nesër do të vdesim (1 Korintasve 15:32).
Këtu ka të paktën dy çështje. Njëra është: si lidhet autoriteti biblik me kategoritë e mendimit në mendjet e njerëzve. Dhe tjetra është: si t’i ndihmosh njerëzit sot që të kuptojnë drejtësinë e shlyerjes duke marrë parasysh kategoritë që tashmë ekzistojnë në mendjen e tyre. Prandaj së pari do të themi një fjalë për çështjen e parë.
Përqasja ime ndaj autoritetit biblik në lidhje me mendjen e rënë dhe të gabueshme të John Piper është të përpiqem, të paktën të përpiqem, ta lejoj Biblën t’u japë formë dhe madje të krijojë kategori mendimi në mendjen time. Me fjalë të tjera, nëse vij tek Bibla dhe zbuloj që nuk kam një kategori për të kuptuar diçka. Dëshiroj të përpiqem ta lejoj Biblën të formojë dhe krijojë kategori të reja.
Alternativa, më duket se do ishte të këmbëngulja që Bibla, fjala e Perëndisë, udhët e të cilit janë më të larta se udhët e mia (Isaia 55:9), të kufizohet në mënyrën time të tanishme të mendimit. Kjo thjesht është absurde. Gjithandej përreth botës njerëzit po përpiqen ta ndrydhin Biblën, ta kufizojnë atë në konceptimin e tyre të cilin e kanë trashëguar nga prindërit dhe kultura e tyre mëkatare.
Nëse njerëzit sot janë të gatshëm që mënyra e tyre e të menduarit rreth botës të ndryshohet, atëherë ose do të shtrembërojmë Biblën për t’u përshtatur me paragjykimet tona ose do ta mohojmë Biblën, për shkak se Bibla është e prerë në këmbënguljen e saj që Krishti vdiq në vend të mëkatarëve në mënyrë që drejtësia e Perëndisë të përmbushej dhe që mëkatarët të mund t’i shpëtonin dënimit.
Galatasve 3:13, “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: ‘I mallkuar është kushdo që varet në dru.’”
Isaia 53:5, “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar.” Ai u tejshpua. Ne kryem shkeljet. Ai u shtyp. Lavdi! Lavdi!
1 Pjeteri 2:24, “Ai vet i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit.”
Kolosianëve 2:14, Perëndia anuloi “e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq.” Ky varg më pëlqen sepse është pak a shumë imazhi që pres të krijohet nga një mësues i shkollës së të dielës – dhe në fakt Pali e krijoi. Kur gozhdët u ngulën në kyçet e duarve të Jezusit, mes dorës dhe gozhdës u vendos një dokument i quajtur “dëftesa e borxheve të John Piper,” dhe atje u gozhdua, në dru, dhe borxhi u pagua, u shlye, u krye!”
Këto janë thjesht të vërteta të lavdishme. Unë vajtoj, vajtoj që ka njerëz që largohen nga këto të vërteta si të pakonceptueshme apo të padrejta. Por nuk habitem, sepse Pali thotë që ungjilli ishte “skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët” (1 Korintasve 1:23). Prandaj, kemi nevojë për hir në mënyrë që kategoritë tona të mendimeve të përshtaten prej Biblës.
Tani kalojmë tek çështja e dytë: Si përpiqemi?
Më lejoni të bëj një përpjekje për ta përshkruar drejtësinë e shlyerjes. Kjo është pak a shumë si përpjekja për të konceptualizuar Trininë. Është gjithmonë me rrezik, sepse konceptimi njerëzor i gjërave hyjnore mund të jetë i pamjaftueshëm – këto konceptime nuk janë gjithëpërfshirëse. Por le të shohim nëse të paktën mund të jenë të vërteta. Ja pra, fillojmë.
Çështja themelore këtu është: Çfarë i bën mëkati Perëndisë dhe si rregullohet kjo gjë?
Përgjigja më e rëndësishme është që mëkati e çnderon Perëndinë. Ai i heq lavdi. E nëpërkëmb. E trajton si inferior në vlerë ndaj atyre që preferojmë në dëshirën tonë mëkatare. Mendoj se ky është mëkati. Kjo është arsyeja pse paragrafi më i rëndësishëm rreth shlyerjes në Bibël përmban fjalët – ky është Romakëve 3:23 – “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.” apo fjalë për fjalë, “iu mungon lavdia e Perëndisë.” Me fjalë të tjera, mëkati është i lidhur me lavdinë, është i lidhur me humbjen e lavdisë; domethënë, shkëmbimi i lavdisë së Perëndisë me imazhet (Romakëve 1:23). Kjo është një përpjekje për ta privuar Perëndine nga lavdia e Tij.
Ja cili është problemi më i madh në gjithësi: krijesat e Perëndisë e kanë deklaruar hapur që e nënvlerësojnë lavdinë e Perëndisë. Kjo është sikur imazhi i Cezarit Romak të shkulej nga muri, të hidhej përtokë dhe të shkelej me këmbë nga turmat. Një tradhti si kjo, ka qenë gjithmonë krim kapital në të gjithë botën. Të shkelësh lavdinë e qenies më të lavdishme është krimi më serioz në gjithësi.
Si pra do të zgjidhet kjo situatë në mënyrë të drejtë? Si do të vendoset drejtësia në këtë gjë? Dhe përgjigja është që lëndimi që i është shkaktuar lavdisë së Perëndisë duhet të riparohet. Kjo është drejtësia. E drejta apo drejtësia është që lavdia e Perëndisë duhet të rivendoset në vendin e saj të merituar të lartësimit dhe admirimit.
Kjo drejtësi ndodh duke ua hequr lavdinë shkelësve në raport me mënyrën sesi ata ia kanë hequr lavdinë Perëndisë. Ky është kuptimi i ferrit. Do të duhet përjetësia për t’u hequr lavdi të mjaftueshme krijesave të fundme. Ato nuk kanë lavdi të pafundme. Prandaj do të duhet një kohë e pafundme për të ekuilibruar shpërfytyrimin që i është bërë lavdisë së një qenieje të pafundme – prandaj, ky dënim është i përjetshëm.
Pyetja madhore është kjo: A mundet Krishti ta riparojë lavdinë e Perëndisë për njerëzit e Perëndisë? Përgjigja e Biblës është po! Arsyeja është që Krishti erdhi saktësisht për të lartësuar lavdinë e Perëndisë. Kjo nuk është e vërtetë për asnjë kriminel në planet i cili është sot në burg. Prandaj nuk mund ta bëjmë dot këtë lloj gjëje mes njerëzve. Arsyeja pse Krishti erdhi është të riparojë, të lartësojë lavdinë e Perëndisë.
Ja një tregues i vogël i kësaj tek Gjoni 12. Jezusi tha, “Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë. O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Atëherë një zë erdhi nga qielli: ‘E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!’’” (Gjoni 12:27-28)
Kjo është arsyeja përfundimtare për vdekjen e Jezusit – ai erdhi të riparonte lëndimin që i kishim shkaktuar lavdisë së Perëndisë. Ai e la mënjanë lavdinë e tij (Filipianëve 2:1-11). Ai e zbrazi veten. Ai duroi poshtërimin e skajshëm, jo në një mënyrë rastësore, por saktësisht për lavdinë e Atit. Gjithë mishërimi i Krishtit ishte zhbërja e sulmit tonë kundër lavdisë së Perëndisë. Përderisa ai është pafundësisht i vlefshëm, humbja prej tij e lavdisë në përuljen dhe vdekjen e tij mund t’i mbulojë të gjitha mëkatet tona që nëpërkëmbin, çnderojnë dhe poshtërojnë Perëndinë. Prandaj, drejtësia e plotë mund të arrihet në drejtësimin e të pudhëve si puna jonë.
Lavdia e Perëndisë lartësohet saktësisht në lidhje me mënyrat që ne e kemi poshtëruar lavdinë e Tij. Krishti humbi lavdi në vuajtje dhe mohim saktësisht për mënyrat sesi unë kam bërë që Perëndia të humbasë lavdi në mëkatet e mia. Prandaj, Perëndia shfaqet që është i lavdishëm në kalimin e mëkateve të mia për hir të Jezusit, i cili jetoi dhe vdiq për të ripërtërirë lavdinë e Atit. Kjo është saktësisht ajo që kërkon drejtësia.
Oh, sa shumë shpresoj që Perëndia të hapë sytë e atyre që mendojnse se thelbi i Biblës, thelbi i ungillit, lajmi më e mirë në botë, është i padrejtë. Në fat, kjo është shprehja më e lartë e drejtësisë që në të njëjtën kohë ishte dhe veprimi më i madh i mëshirës.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!