Mendime Shtjelluese Mateu 14
Ungjilli sipas Mateut kapitulli 14
nga J. C. Ryle
Mateu 14:13-21
Këto vargje përmbajnë një prej mrekullive më të mëdha të Zotit tonë, ushqyerjen e “pesë mijë burrave, përveç grave dhe fëmijëve,” me pesë bukë dhe dy peshq. Nga të gjitha mrekullitë që bëri Zoti ynë, asnjë tjetër nuk është përmendur aq shpesh në Dhiatën e Re sa kjo. Mateu, Marku, Lluka dhe Gjoni, që të katërt fokusohen tek kjo mrekulli. Është e qartë që kësaj ndodhi në historinë e Zotit duhet t’i kushtohet një vëmendjen e veçantë. Le ta bëjmë këtë gjë tani, dhe të shohim se çfarë mund të mësojmë.
Së pari, kjo mrekulli është një provë e pakundërshtueshme për PUSHTETIN hyjnor të Zotit tonë. Për të kënaqur urinë e pesë mijë burrave me një sasi kaq të vogël ushqimi si pesë bukë dhe dy peshq, do të ishte qartësisht e pamundur pa shumëfishimin e mbinatyrshëm të ushqimit. Kjo ishte një gjë të ilën nuk do ta provonte kurrë asnjë magjistar, mashtrues apo profet i rremë. Një person i tillë mund të shtirej që të kuronte një të sëmurë, apo të ringjallte një trup të vdekur – dhe përmes hileve dhe mashtrimit të bindte njerëzit e dobët se ia kishte dalë ta bënte. Por një person i tillë nuk do të provonte kurrë të bënte një vepër kaq të pushtetshme si kjo që është regjistruar në këto vargje. Ai do ta dinte shumë mirë që nuk mund t’i bindte dot dhjetë mijë burra, gra dhe fëmijë që ishin të ngjinjur kur në fakt ishin të urritur. Ai do të demaskohej në vend si mashtrues dhe shtirës.
Megjithatë, kjo është vepra më e pushtetshme që në fakt bëri Zoti ynë, dhe duke e bërë këtë gjë Ai dha një provë të qartë për faktin që Ai ishte Perëndi. Ai solli në ekzistencë atë që nuk ekzistonte. Ai siguroi ushqim material të dukshëm dhe të prekshëm për dhjetë mijë njerëz, nga një sasi e cila në vetvete nuk do të mund të kishte ngopur as edhe pesëdhjetë vetë. Sigurisht që duhet të jemi të verbër nëse nuk dallojmë në këtë gjë dorën e Atij “që i siguron ushqim do gjallese,” i cili krijoi botën dhe gjithë sa gjendet në të. Të krijosh është e drejta e veçantë e Perëndisë.
Duhet t’i kapim fort pjesë të tilla si kjo. Duhet ta ruajmë në mendjen tonë çdo provë të pushtetit hyjnor të Zotit tonë. Njeriu i ftohtë, ortodoks në doktrinë por e pakonvertuar mund të dallojë fare pak në këtë histori. Besimtari i vërtetë duhet ta ruajë në kujtesën e tij. Le të mendojë për botën, djallin dhe zemrën e tij, dhe të mësojë ta falënderojë Perëndinë që Shpëtimtari i tij Zotin Jezu Krishti është i gjithëpushtetshëm.
Së dyti, kjo mrekullli është një shembull i goditur për DHEMBSHURINË e Zotit tonë ndaj njerëzve. Ai pa një turmë të madhe në një vend të shkretë të cilët ishin gati t’u binte të fikët për shkak të urisë. Ai e dinte që shumë prej tyre në atë turmë nuk kishin besim të vërtetë dhe dashuri ndaj Tij. Ata e ndoqën thjesht se ishte në modë dhe nga kurioziteti, apo me disa motive po aq të ulëta (Gjoni 6:26). Por Zoti ynë kishte dhembshuri ndaj të gjithëve. Të gjithë u ndihmuan. Të gjithë e shijuan ushqimin e siguruar në mënyrë të mrekullueshme. Të gjithë u “ngopën” dhe asnjëri nuk u largua i urritur. Le të shohim në këtë gjë zemrën e Zotit tonë Jezu Krisht ndaj mëkatarëve. Ai është po ashtu sikurse ishte në lashtësi, “Zoti, Zoti Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri.” (Eksodi 34:6). Ai nuk i trajton njerëzit sikurse e meritojnë mëkatet e tyre, apo t’i shpërblejë sipas paudhësive të tyre. Ai madje i mbush me të mira edhe armiqtë e tij. Askush nuk ka për të qenë krejt pa asnjë justifikim sa ata që në fund gjenden të papenduar. Mirësia e Zotit i prin në pendim (Romakëve 2:4). Në të gjithë marrëdhëniet e Tij me njerëzit mbi tokë, Ai e ka treguar veten si dikush që “kënaqet me mëshirën.” (Mikea 7:18). Le të përpiqemi të jemi si Ai. Kesneli thotë, “Ne duhet të kemi keqardhje dhe dhembshuri të bollshme ndaj shpirtrave të sëmurë.”
Së fundi, kjo mrekulli është një emblemë e gjallë e mjaftueshmërisë së Ungjillit për të plotësuar nevojat e shpirtit të gjithë njerëzimit. Nuk ka fare dyshim që të gjitha mrekullitë e Zotit tonë kanë një kuptim të thellë figurativ dhe na mësojnë të vërteta të mëdha frymërore. Por ato duhet të trajtohen me drojë dhe maturi. Duhet të tregojmë kujdes që të mos veprojmë sikurse shumë nga etërit e hershëm dhe të shohim alegori atje ku Fryma e Shenjtë nuk kishte për qëllim të tregonte të tilla. Por ndoshta, nëse ka ndonjë mrekulli e cila të ketë një kuptim të qartë figurativ, përveç mësimit të qartë që mund të nxirret nga studimi i drejtpërdrejtë, kjo është vetë mrekullia që po konsiderojmë.
Çfarë përfaqëson për ne kjo turmë e madhe dhe e uritur në shkretëtirë? Kjo është një emblemë për gjithë njerëzimin. Bijtë e njerëzve janë një asamble e madhe mëkatarësh që po humbasin, të uritur në mes të një bote shkretëtire – pa ndihmë, pa shpresë dhe duke shkuar drejt shkatërrimit. Ne të gjithë jemi shpërndarë si dele të humbura (Isaia 53:6). Prej natyre ne jemi larg Perëndisë. Sytë tanë mund të mos jenë hapur ndaj rrezikut të plotë që na kanoset. Por në realitet ne jemi të mjerë, të humbur, të varfër, të verbër dhe lakuriq (Zbulesa 3:17). Ne jemi vetëm një hap larg vdekjes së përjetshme.
Çfarë përfaqësojnë këto pllaka bukë dhe këta peshq, të cilët duken qartë që janë të pamjaftueshëm për të nevojat e këtij rasti, por që përmes mrekullisë u bënë të mjaftueshme për të ushqyer dhjetë mijë njerëz? Ato janë një emblemë e doktrinës së Krishtit të kryqëzuar për mëkatarët, si përfaqësuesi i tyre zëvendësues i cili bëri shlyerjen për mëkatin e botës përmes vdekjes së Tij. Kjo doktrinë i duket njeriut të natyrshëm si dobësia vetë. Krishti i kryqëzuar ishte një gur pengese për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët (1 Korintasve 1:23). E megjithatë, Krishti i kryqëzuar është buka e Perëndisë që zbriti nga qielli dhe i dha jetë botës (Gjoni 6:33). Historia e kryqit i ka plotësuar si duhet nevojat frymërore të njerëzimit kudo që është predikuar. Me mijëra nga çdo rang, moshë dhe komb janë bërë dëshmitarë që kjo është “urtësia e Perëndisë dhe fuqia e Perëndisë.” Ata kanë ngrënë nga kjo bukë dhe janë “ngopur.” Ata kanë përjetuar që ai është “me të vërtetë ushqim dhe me të vërtetë pije.”
Le t’i mendojmë mirë këto gjëra. Ka thellësi të mëdha në të gjithë veprat e dokumentuara të Zotit tonë Jezu Krisht mbi tokë, të cilat askush nuk i ka matur dot ndonjëherë. Ka miniera të pasura udhëzimesh në të gjitha fjalët dhe veprat e Tij, të cilat askush nuk i ka eksploruar kurrë plotësisht. Shumë pjesë të Ungjillit janë si reja që pa shërbëtori i Elias. (1 Mbretërve 18:44). Sa më shumë ta shohim aq më e madhe do të duket. Në Shkrim gjendet një plotësi e pashtershme. Shkrimet e tjera duken bajate në krahasim me Shkrimet e Shenjta. Por për sa i përket Shkrimeve, sa më tepër t’i lexojmë aq më të pasura do të shohim se janë.
Mateu 14:22-36
Historia që gjendet në këto vargje është tepër interesante. Mrekullia e regjistruar këtu nxjerr fort në pah si karakterin e Krishtit ashtu dhe atë të njerëzve të Tij. Pushteti dhe mëshira e Zotit Jezus si dhe përzierja e besimit dhe mosbesimit të dishepujve të Tij më të mirë ilustrohen në mënyrë shumë të bukur.
Së pari, nga kjo mrekulli mësojmë çfarë sundimi absolut që ka Shpëtimtari ynë mbi të gjitha gjërat e krijuara. Ne shohim që Ai “ecën mbi det,” sikur të ishte tokë e thatë. Ato valë të egra që e hodhën andej këndej barkën e dishepujve të Tij, iu bindën Birit të Perëndisë dhe u bënë një taban i fortë poshtë këmbëve të Tij. Kjo sipërfaqe e lëngshme e cila trazohej edhe nga flladi më i lehtë i erës, i mbajti këmbët e Shpengimitarit tonë sikur të ishte sipërfaqe shkëmbore. Për mendjet tona të varfra dhe të dobëta e gjithë kjo ndodhi është krejtësisht e pakonceptueshme. Dodrixh ka thënë që abloja e dy këmbëve që ecin mbi det ishte emblema Egjiptiane e një gjëje të pamundur.
Njerëzit e shkencës do të na thonë që mishi dhe gjaku material të eci mbi ujë është fizikisht e pamundur. Ne na mjafton të dimë që kjo gjë ndodhi. Na mjafton të kujtojmë që për Atë që e krijoi detin në fillim, duhet të ketë qenë përsosmërisht e lehtë të ecte mbi valët e tij kur të dëshironte Ai.
Këtu ka inkurajim për të gjithë të krishterët e vërtetë. Le ta dinë të gjithë që nuk ka asnjë gjë të krijuar, e cila të mos jetë nën kontrollin e Krishtit. “Të gjitha gjërat i shërbejnë Atij.” Ai mund t’i lejojë njerëzit e Tij të lodhen për një stinë, dhe të hidhen andej këndej nga stuhitë e shqetësimev. Ai mund të vonojë që t’u vijë në ndihmë në kohën që dëshirojnë ata, dhe të mos u afrohet deri në “rojen e katërt të natës.” Por le të mos harrojnë kurrë që erërat, valët dhe stuhitë janë shërbëtorë të Krishtit. Ato nuk mund të lëvizin dot pa lejen e Krishtit. “Por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.” (Psalmi 93:4). A tundohemi ndonjëherë të thërrasim bashkë me Jonën, “rryma më mori dhe gjithë dallgët e tua dhe valët e tua më kaluan sipër.” (Jona 2:3). Le të kujtojmë që ato janë dallgët e “Tij.” Le të presim me durim. Ende mund ta shohim Jezusin duke ardhur tek ne dhe “duke ecur mbi det.”
Së dyti, nga kjo mrekulli mësojmë çfarë fuqie mund t’u japë Jezusi atyre që besojnë tek Ai. Këtu shohim Simon Pjetrin që zbret nga barka dhe ecën mbi ujë, sikurse Zoti i tij. Çfarë prove e mrekullueshme që ishte kjo për hyjninë e Zotit tonë! Të ecte Vetë mbi det ishte një mrekulli e pushtetshme. Por që të aftësonte një dishepull të dobët dhe të varfër të bënte të njëjtën gjë ishte një mrekulli edhe më e madhe.
Në këtë pjesë të historisë ka një kuptim të thellë. Ajo na tregon se çfarë gjërash të mëdha mund të bëjë Zoti ynë për ata që e dëgjojnë zërin e Tij dhe e ndjekin. Ai mund t’i aftësojë që të bëjnë gjëra të cilat në një moment ata do t’i kishin konsideruar të pamundura. Ai mund t’i mbartë them përmes vështirësive dhe sprovave, të cilat pa Të nuk do të kishin guxuar kurrë t’i përballnin. Ai mund t’u japë fuqi për të ecur përmes zjarrit dhe ujit të palënduar dhe të dalin fitimtarë mbi çdo armik. Moisiu në Egjipt, Danieli në Babiloni, shenjtorët në shtëpinë e Neronit, që të gjithë janë shembuj të fuqisë së Tij të pushtetshme. Le të mos kemi frikë asgjë, nëse jemi duke ecur në shtegun e detyrës. Ujërat mund të duken të thella. Por nëse Jezusi thotë, “Eja,” nuk kemi asnjë arsye për t’u frikësuar. “Kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto.” (Gjoni 14:12).
Së treti, le të mësojmë nga kjo mrekulli sa shumë telashe që i sjellin vetes dishepijt përmes mosbesimit të tyre. Ne shohim që Pjetri ecën me guxim mbi ujë për një farë kohë. Por shumë shpejt kur sheh “erën e fotë.” ai ka frikë dhe fillon të fundoset. Mishi i dobët fiton mbi frymën e gatshme. Ai i harron provat e mrekullueshme të mirësisë dhe fuqisë së Zotit të tij të cilat sapo i kishte parë. Ai nuk e konsideron faktin që i njëjti Shpëtimtar i cili e aftësoi të hidhte një hap, duhet të jetë në gjendje ta mbajë lart përgjithmonë. Ai nuk reflektoi për faktin që ishte më afër Krishtit tani që ishte mbi ujë sesa ishte në momentin e parë që doli nga barka. Frika ia largoi kujtesën. Alarmi ia ngatërroi arsyen. Ai nuk po mendonte për asgjë tjetër përveç erës dhe valëve dhe rrezikut të tij të menjëhershëm, prandaj besimi i tij dështoi. Kështu thirri, “Zot, më shpëto.”
Çfarë tabloje të gjallë që kemi këtu rreth përjetimit të shumë besimtarëve! Sa të shumtë janë ata që kanë besim të mjaftueshëm për të hedhur një hap në ndjekjen e Krishtit, po jo mjaft për të vazhduar sikurse filluan. Ata frikësohen për shkak të sprovave dhe rreziqeve që duket se gjenden në shtegun e tyre. Ata shohin armiqtë që i rrethojnë dhe vështirësitë që duket se do t’iua zënë shtegun. Ata fokusohen më tepër tek ato sesa në Jezusin dhe menjëherë këmbët e tyre fillojnë të fundosen. Zemrat e tyre lëshohen brenda tyre. Shpresa e tyre humbet. Ngushëllimet e tyre zhduken. Pse ndodh e gjithë kjo? Krishti nuk ka ndryshuar. Armiqtë e tyre nuk janë më të mëdhenj nga sa ishin. Kjo ndodh thjesht sepse ashtu si Pjetri, ata nuk po shohin më drejt Jezusit, dhe i janë dorëzuar mosbesimit. Ata janë të pushtuar nga mendimet rreth armiqve të tyre në vend që të mendojnë për Krishtin. E ngulitshim këtë gjë në zemrën tonë dhe mësofshim urtësinë.
Së fundi, le të mësojmë nga kjo mrekulli sa i mëshirshëm që është Zoti ynë Jezu Krisht ndaj besimtarëve të dobët. Ne shohim që Ai zgjati dorën e Tij menjëherë për ta shpëtuar Pjetrin, menjëherë pasi Pjetri i klithi për ndihmë. Ai nuk e lë të korrë frytin e mosbesimit të tij dhe të zhytet në ujërat e thella. Ai duket se nuk po mendon për asnjë gjë tjetër përveç shqetësimit të tij dhe sesi ta shpëtojë prej tij. E vetmja fjalë që Ai thotë është qortimi i butë, “O njeri besimpak, pse dyshove?”
Vështroni në këtë pjesë përmbyllëse të mrekullisë , “butësinë e jashtëzakonshme të Krishtit!” Ai mund të durojë shumë dhe të falë shumë, kur shoh hir të vërtetë në zemrën e njeriut. Ashtu si nëna që e trajton me butësi foshnjën e saj, dhe nuk e braktis për shkak të kokëfortësisë dhe gabimeve, kështu edhe Zoti Jezus i trajton me butësi njerëzit e Tij. Ai e deshi dhe i mëshiroi para konvertimit, dhe pas ti Ai i do dhe i mëshiron edhe më tepër. Ai e njeh dobësinë e tyre, dhe i duron shumë. Ai dëshiron që të njohim që dyshimi nuk vërteton që dikush nuk ka besim, por vetëm që besimi i tij është i vogël. Por edhe kur besimi ynë është i vogël Zoti është gati të na ndihmojë. “Kur thashë: “Këmba ime ngurron”, mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.” (Psalmi 94:18).
Sa shumë ka në gjithë këtë për t’i inkurajuar njerëzit që t’i shërbejnë Krishtit! Ku është njeriu që duhet të ketë frikë për të filluar të vrapojë garën e krishterë me një Shpëtimtar të tillë si Jezusi? Nëse rrëzohemi, Ai do të na ngrejë sërish. Nëse gabojmë, Ai do të na kthejë sërish. Por mëshira e Tij nuk do të na hiqet kurrë plotësisht. Ai ka thënë, “Kurrë nuk do të të lë, kurrë nuk do të të braktis,” dhe Ai ka për ta mbajtur fjalën e Tij. Kujtofshim thjesht që edhe se nuk e përbuzim besimin e vogël, nuk duhet të rrimë të kënaqur me të. Lutja jonë duhet të jetë gjithmonë, “Zot, na e shto besimin.”
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!