Ndihmë për të dobëtin – John MacDuff
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”
“Mos u frikëso, o krimb i Jakobit, o njerëz të Izraelit! Unë të ndihmoj, thotë Zoti; “Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit.” – Isaia 41:14
“Krimb i Jakobit!” Çfarë dobësie, parëndësie, padenjësie! Megjithatë, është i njëjti “krimb” pa forcë dhe zvarritës i cili gjendet në ‘mendimet e Perëndisë’ – është ai që ka simpatinë e Tij dhe sigurinë e ndihmës së Tij të plotfuqishme.
Besimtar, mund të jesh i rrëzuar nga një tufë mundimesh apo duke u dridhur nën ndjesinë e padenjësisë dhe fajit tënde – duke vajtuar për ftohtësinë e besimit tënd, për vaktësinë e dashurisë tënde, shpeshtësinë e rrëzimeve të tua, për lëkundjen e qëllimeve të tua më të mira, dhe për dobësinë e shërbimit tënd – Perëndia yt të afrohet pranë – Ai kujton që edhe pse t’i je një krim – ende je “krimbi i Jakobit,” – i të dashurit të tij; dhe Ai të thotë se mendimet që ka për ty janë “mendime paqeje, dhe jo të së keqes.”
Virja veshin mesazhit të Tij të ngushëllimit, “Mos ki frikë!” Dalloje qëllimin e Tij, “Unë do të të ndihmoj!” Garancia që Ai jep për përmbushjen e atijj premtimi, është emri i Tij i madh; “thotë Zoti; ‘Shpëtimtari yt është i Shenjti i Izraelit’.” “Si mund të rezistojë Jakobi,” thotë profeti Amos, “duke qenë se është i vogël? Ja këtu e kemi përgjigjen. Ai do të rezistojë përmes pushtetit të Perëndisë së tij të besëlidhjes – Perëndisë që ka dhënë JEZUSIN si kapar për dhënien e gjithë bekimeve të tjera.
“Vetë Unë do të të ndihmoj!” Po, ty që je i varfër, i dobët dhe që po dridhesh, “Jahve”, “Shpengimtari yt”, “I Shenjti i Izraelit” – me fjalë të tjera, Gjithëfuqia, Dashuria, Drejtësia, janë hedhur të gjitha në krahun tënd dhe janë betuar për shpëtimin tënd!
Atij i pëlqen t’i afrohet popullit të Tij në caqet e dobësisë së tyre. “Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym.” Njeriu e bën. Shpesh ai e shkel me këmbë krimbin që përdridhet – e dëbon të penduarin që dridhet; por Ai mendimet e të cilit nuk janë si mendimet tona thotë, “As unë nuk të dënoj.”
“Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.” “Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai. Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij.” Dëgjoni dëshminë e një përgjëruesi të tillë të përulur, “Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës. Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: ‘Mos ki frikë!’”
Kërkoni të jeni të përulur. Sepse të përulurve Perëndia u ‘jep hir.’ Ai preferon forcën në dobësi. Filip Henri thotë, “Kur kedrat e lartë rrëzohen, gëmushat janë të sigurta.” Apostulli i madh thotë, “sepse kur jam i dobët atëherë jam i fortë.” Krimbi i Jakobit, sakati i dobët i Penielit, u bë i fortë nga dobësia e tij e dukshme. Ai mori një emër të ri, “si princ, ai kishte pushtet me Perëndinë, dhe fitoi.”
Qofsha edhe unë një nga ata që ecën në fuqinë e Zotit Perëndi. “Unë do të të ndihmoj!” mjafton për të gjitha urgjencat e të tashmes; dhe për të gjitha gjasat e një të ardhmeje të panjohur dhe ndoshta të errët. “Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij.”
“Thoughts of God” by John MacDuff
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!