Nusja e Reformimit
Vibrandis Rozenblat
1504–1564
nga Noël Piper
Në vitin 1540, Vibrandis Rozenblat lindi në Sekingen të Gjermanisë. Gjatë gjashtëdhjetë viteve në vijim ajo u martua dhe mbeti vejushë katër herë, duke frymëzuar kështu një shkrimtar që ta pagëzonte atë si Reformationfrau – “Nusja e Reformimit”.
Ludvig Keller
Martesa e saj në vitin 1524 me Ludvig Keller nuk zgjati shumë. Në korrik 1526, 22-vjeçarja Vibrandis mbeti vejushë duke pasur prej kësaj martese edhe një vajzë të quajtur gjithashtu Vibrandis.
Mes udhëheqësve të Reformimit, martesa e klerikëve po shndërrohej në “një mënyrë e re për të shërbyer në komunitetin e Jezu Krishtit.” Johan Ekolampadi kishte argumentuar publikisht në mbrojtje të së drejtës së pastorëve për t’u martuar, edhe pse ai vetë kishte mbetur beqar (Frau Vibrandis, fq. 15). Shoku i Ekolampadit, Volfgang Kapito i shkroi: “Nëse të njohin me një person të përshtatshëm, mendoj që nuk duhet të refuzosh. Të pasurit e një bashkëshorteje që shfaq të njëjtin zell si edhe ti vetëm i jep më shumë lavdi Zotit”.
Johan Ekolampadi
Dikush duhet t’i ketë folur atij për Vibrandisin. Më 15 mars 1528, ajo dhe Ekolampadiu martuan duke shkaktuar habi në disanjerëz për shkak të ndryshimit në moshë (45 vjeç ai dhe 24 vjeç ajo) dhe një gëzim të pamasë tek shumica e miqve të tyre. Ai shkroi në një letër: “Zoti më ka falur një motër dhe një bashkëshorte… një vejushë që ka disa vite përvojë në mbartjen e kryqit. Do të dëshiroja që të ishte më e madhe në moshë, por tek ajo nuk shoh asnjë shenjë gërnjosjeje që e shohim tek të rinjtë. I lutem Zotit që të na japë një martesë të gjatë dhe të lumtur” (Gratë e Reformimit, 82).
Në këtë pikë të historisë së kishës, pastorët kishin shekuj që nuk martoheshin. Vibrandis dhe gratë e tjera të Reformatorëve të shekullit të gjashtëmbëdhjetë zunë shoqëri me njëra-tjetrën përmes letrave, duke e përcaktuar dhe duke i dhënë formë rolit të tyre teksa e jetuan atë në praktikë.
Shumë shpejt, familjes së tyre iu shtuan tre fëmijë – Eusebi, Alithia dhe Irena – para se Ekompaladi të vdiste në Nëntor të vitit 1531 për shkak të helmimit të gjakut prej një lunge qelbi.
Volfgang Kapito
Menjëherë pas kësaj Martin Buceri e shfaqi sërish dhuntinë që kishte për mblesëri. “Zgjedhja ime për Kapiton është vejusha e Ekolampadit… Më ka shkruar dhe më ka treguar që është prekur shumë kur e ka parë vejushën e Ekolampadit dhe fëmijët e saj jetimë” (Gratë e Reformimit, 85). Vibrandis dhe Kapito u martua më 11 gusht 1532.
Kapito ishte pastori i Kishës së Re të Shën Pjetrit në Strasburg. Në familjen e tyre përfshihej nëna e Vibrandisit dhe katër fëmijët nga martesat e saj të mëparshme. Lindën edhe pesë fëmijë të tjerë – Anjeza, Dorotea, Irena (pas vdekjes së Irena Ekolampadit), Gjon Simoni, dhe Volfgangu.
“Përderisa ajo e plotësonte në pikat e tij të dobëta, i mbante shtëpinë dhe financat familjare në rregull, arritjet e saj e kanë vendin mes kronikave të pashkruara të heroizmit” (Gratë e Reformimit, fq. 87). Mirëpo, murtaja e vitit 1540 i rrëmbeu fëmijët Euseb, Dorotea, Volfgang dhe vetë Kapiton.
Martin Bucer
Lajmi i vdekjes së Kapitos i erdhi Bucerit kur Elisabeta Bucer ishte duke dhënë shpirt. Elisabeta iu përgjërua bashkëshortit të saj dhe Vibrandisit që të martoheshin pas vdekjes së saj, dhe kështu bënë në vitin 1542. Bucer shkroi: “Nuk dëshiroj asgjë tjetër më tepër për bashkëshorten time të re përveç faktit që është kaq e vëmendshme dhe e kujdesshme. Ajo nuk është aq e shpejtë për të bërë kritika saç ishte gruaja ime e parë… Vetëm shpresoj që mund të jem aq i mirë me gruan time të re saç është edhe ajo ndaj meje. Por, oh sa më dhemb shpirti për gruan që humba” (Gratë e Reformimit, 87-88).
Mund të imagjinojmë lehtë edhe vajtimin e Vibrandisit për tre bashkëshortët e saj. Ajo u përshtat për herë të katër me një bashkëshort të ri dhe të dy ata mësuan si ta donin dhe mbështesnin njëri-tjetrin në përputhje me nevojat, shërbesat dhe preferencat e tyre të veçanta.
Në vitin 1548, u vendosën ligje të reja të cilat vendosnin kushte të tilla mbi kishat protestante me të cilat Buceri nuk binte dakord. Ai shkoi në mërgim në Angli dhe dha mësim në Kembrixh, ndërsa jepte kontributin e tij për përkthimin e Biblës dhe në zhvillimin e liturgjisë. Një vit më pas, pasi kaloi një dimër të ftohtë, të gjatë dhe shumë lëngata trupore, i dërgoi fjalë Vibrandisit që të vinte tek ai. Ajo erdhi dhe pastaj solli edhe familjen.
Gjatë muajve të fundit të Bucerit, Vibrandis u kujdes për të pa reshtur, duke bërë gjithashtu gjithë sa nevojitej për pjesën tjetër të familjes së saj, e cila përbëhej nga fëmijët dhe nëna e saj. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj në shkurt 1551, Vibrandis shkroi shumë letra të sakta për të sqaruar gjendjen e tyre financiare dhe për ta kthyer familjen në Strasburg. Disa letra ishin në Gjermanisht dhe disa të tjera në Latinisht dhe përmes tyre zbulojmë zotërimin e shkëlqyer prej saj të disa gjuhëve.
Gruaja Vibrandis
Me qëllim që të mos tundohemi që ta shohim Vibrandisin si një grua të nënshtruar, e cila ishte viktimë e rrethanave dhe vendimeve të burrave autoritarë, pa të dëgjojmë pak se me ç’zë të fuqishëm i flet djalit të saj Gjon Simon Kapito, i cili ishte asokohe ndiqte universitetin:
U bë kohë që nuk kam marrë fjalë prej teje, por e di shumë mirë që edhe po të ndodhte kjo, lajmet nuk do të ishin shumë përdëllyese… Jetofsha deri atë ditë që të dëgjoj lajme të mira prej teje. Atëherë do të vdes tërë gëzim… Po të ndiqje shembullin e babait tënd, atëherë Gjyshja, motrat, dhe krushqia do jepnin jetën e tyre për ty… biri im kthehu po qe se ke ndërmend të sillesh siç duhet. Nëse nuk ke ndër mend ta bësh këtë, atëherë bëj si të duash. Të uroj një vit të mbarë. Nëna jote besnike (Gratë e Reformimit, fq. 93-94).
Në vitin 1564, Bazeli humbi 7000 banorë nga murtaja dhe mes tyre ishte edhe Vibrandis Rozenblat. Ajo u varros pranë Ekolampadit.
Sot në vendlindjen e saj Bad Sekingen, gjendet një rrugë e shkurtër me emrin Vibrandis-Rozenblat-Veg, e cila të çon në brigjet e Rinit. Përkrah rrugës ngrihet Evangelische Kirchengemeinde, një kishë Protestante.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!