Furrnalta Protestante

Martin Bucer
1491–1551

nga Marshall Segal

Ka shumë gjasa që Martin Buceri të jetë reformatori më i rëndësishëm, për të cilin mund të mos keni dëgjuar asnjëherë. Ai e udhëhoqi reformimin nën hijen e gjigantëve të tjerë gjermanë si Luteri dhe Melanktoni, por në fakt ishte udhëheqësi i kishës në qytetin që për një farë kohe u bë kryeqyteti i botës protestante.

Buceri lindi në Strasburg më 11 nëntor 1491. Në moshën 15-vjeçare iu bashkua manastirit dominikan të qytetit, i cili i takonte një urdhri murgjish të cilët njiheshin ndryshe si predikuesit e Kishës së Romës. Murgjit si Buceri tek fillonin jetën e tyre murgjërore ndërmerrnin betimet e varfërisë, dëlirësisë dhe bindjes, por ndryshe nga murgjit e tjerë, këtë gjë e bënin në mes të popullit duke i shërbyer komunitetit dhe jo të izoluar prej tij në ndonjë manastir larg qyteteve e fshatrave.

Murgu beqar që gjithë Gjermania e donte për dhëndër

Martin Buceri për herë të parë dëgjoi për Luterin në prill të vitit 1518 (Buceri ishte 26 vjeç, kurse Luteri ishte 34 vjeç). Ai u magjeps nga Luteri, në mënyrë të veçantë nga bindja e tij që ne shfajësohemi vetëm përmes besimit dhe pa ndonjë kontribut apo meritë nga ana jonë. Tre vjet më pas, jo vetëm që u largua nga urdhri i murgjve dominikanë, me qëllim që që të predikonte ungjillin, por po ashtu i braktisi edhe betimet e tij murgjërore dhe vendosi të martohej dhe kështu papritur u bë ndoshta murgu beqar që gjithë Gjermania e donte për dhëndër (dhe më radikali). Ai u martua me një murgeshë të quajtur Elizabetë.

Edhe pse Luteri e kishte udhëhequr Bucerin në Reformim, Buceri nuk binte dakord për të gjitha gjërat me atin e tij frymëror, pjesërisht për shkak se tashmë ishte ndikuar së tepërmi nga Erazmi, të cilin e vlerësonte dhe e admironte pavarësisht ndryshimeve të tyre teologjike. Prirja përgjithësisht më përfshirëse dhe ekumenike e Bucerit në mënyrë providenciale/provaniore i dha atij mundësinë që të luante një rol domethënës në lëvizjen më të gjerë protestante.

Reformim me Vetëpërmbajtje

Strasburgu u kthye në qendrën e protestantizmit më së shumti për shkak se Buceri dhe udhëheqësit e tjerë të kësaj lëvizjeje në atë qytet u treguan dorëlëshuar në lidhje me shumë prej çështjeve më të debatueshme dhe ndarëse. Për shembull në vitin 1529 Buceri organizoi një takim historik edhe pse armiqësor mes Luterit dhe Zvinglit rreth Darkës së Zotit. Meqenëse vetë ishte simpatizant i të dyja qëndrimeve ndërmjetësoi takimin e të dyja palëve me shpresën se do të arrinte një lloj marrëveshjeje, në mënyrë që të nxiste bashkimin e dy degëve të reformimit.

Edhe pse takimi nuk çoi në arritjen e një marrëveshjeje rreth Darkës së Zotit, vuri në dukje rolin që luante ai ish-murg mes Luterit dhe Zvinglit, mes Protestantëve të mirëfilltë dhe Anabaptistëve më radikalë, madje edhe mes vetë reformatorëve dhe katolikëve. Në vend që të formonte dhe të udhëhiqte një lëvizje të vetën të dallueshme – për shembull Bucerianët – ai u përpoq t’i shkrinte në një lëvizjet e ndryshme nën mësimin e qartë të Shkrimit në një furrnaltë të madhe protestante. Ai e kuptoi dhe e çmoi fuqinë e vyer e madhështore të solidaritetit.

Grupet e parë të vegjël

Si pasardhësi i çuditshëm i Luterit dhe Erazmit që ishte, reformimi i udhëhequr prej Bucerit pati një shije të veçantë dhe gjithëpërfshirëse. Fillimisht, ai thoshte se shfajësimi është vetëm përmes besimit, por gjithashtu kërkonte me zell disiplinën e fuqizuar nga Fryma dhe veprat e mira në jetën e krishterë. Deri këtu gjithçka ishte në rregull. Megjithatë, në një pikë më të vonë të jetës së vet ai zuri të fliste për një lloj “shfajësimi të dyfishtë”, një gjë që më së paku ishte ngatërruese, për të mos thënë që e zbehu parimin “vetëm përmes besimit”.

Në një mënyrë apo një tjetër, Buceri kujdesej për doktrinën e krishterë. Për pasojë, ai u përpoq me këmbëngulje që të vendoste mjetet e disiplinës në kishë. Së pari, ai shkoi tek zyrtarët e Strasburgut, dhe iu përgjërua atyre për kufizime më strikte. Kur qeveria refuzoi që të vendoste standarde më rigoroze për bindjen, ai formoi grupe vullnetare besimtarësh në kishat lokale me qëllim që të ushtronin një llogaridhënie të rregullt dhe disiplinë kishtare. Kështu, Buceri ka të ngjarë që pa dashje (apo me ngurrim) të ketë qenë ati i grupeve të vegjël të studimit biblik siç i njohim sot.

Gjatë mërgimit të përkohshëm në Strasburg, Gjon Kalvini u bë vetë dëshmitar i disiplinës që ushtrohej në kishën e këtij qyteti dhe punoi me të njëjtat parime kur u kthye në Gjenevë. Kalvini i kaloi disa prej viteve më të lumtura të jetës së vet duke mësuar prej Bucerit në Strasburg teksa shërbente si pastori i një bashkësie refugjatësh francezë.

Mastiçi gjerman

Bashkëshortja e parë e Bucerit, me të cilën kishte qenë i martuar për plot dy dekada, vdiq nga murtaja në vitin 1542. Në shtratin e vdekjes, ajo e nxiti Martinin të martohej me Vibrandis Rozenblat. Vibrandis që më vonë u quajt “Nusja e Reformimit”, sepse qe martuar dhe kishte varrosur tre burra të rëndësishëm të reformimit: Ludvig Keller, Johan Ekolampadi dhe Volfgang Kapito (edhe ky nga Strasburgu). Vetëm shtatë vjet më pas ajo varrosi edhe bashkëshortin e saj të katërt.

Ndërsa ky ish-murg dha ndihmën si nismëtar në hapjen e shtegut të martesës për murgjit e kthyer në besimin ungjillor, ai gjithashtu lejoi edhe divorcin, por vetëm si “një zgjidhje absolutisht e fundit dhe e rrallë, në vend të dënimit me vdekje për kurorëshkelje” (Reformimi, fq. 660). Përjashtimet e tij shërbyen si një gërshërë që priste hapësira lirshmërie në Evropën protestante.

Në vitin 1549, për shkak se Kompromisi i Augsburgut i detyroi protestantët e Strasburgut që të përqafonin sërish besimet dhe praktikat katolike, Buceri e pranoi ftesën e Tomas Krenmërit për t’u strehuar për një farë kohe në Kembrixh të Anglisë si Profesori Mbretëror i Teologjisë. Buceri vdiq pas dy vitesh, në vitin 1551, përpara se e shoqja ta kthente trupin e tij në Strasburg.

Shumë persona e kanë anashkaluar Martinin më pak të njohur, ndoshta për shkak se atij i mungonte momenti historik i Luterit dhe Zvinglit apo precizoni saktësues i Melanktonit apo Kalvinit, por përkundrazi parapëlqente të ndërtonte ura lidhëse dhe të nxiste unitetin mes reformatorëve. Kjo është pikërisht edhe arsyeja se përse duhet që ta përkujtojmë atë, mastiçin gjerman të Reformimit Protestant.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*