Votoni sikur të mos votonit!
Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë; dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim; dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.
1 Korintasve 7:29-31
Votimi është si martesa, si të qarët, si të qeshurit dhe si të blerët. Këtë gjë duhet ta bëjmë, por vetëm sikur të mos ishim duke e berë. Kjo për shkak se “forma e kësaj bote po kalon” dhe në sytë e Perëndisë “koha tanimë është shkurtuar.”
Duke e zbatuar 1 Korintasve 7:29-31 në temën e votimit pastor Xhon Pajpër parashtron këto pesë pika kthjelluese për mënyrën sesi besimtarët e krishterë duhet të votojnë por sikur të mos votonin:
1. Ne duhet të votojmë. Por vetëm sikur të mos ishim duke votuar. Rezultati i votimeve nuk na jep gëzimin më të madh nëse del sipas dëshirs sonë dhe as nuk na demoralizon nëse nuk del si duam ne. Përfshirja jonë në jetën politike ka të bëjë me të treguarit sa i madh është Krishti pavarësisht çfarë i ndodh botës, bie apo qëndron.
2. Në politikë ka humbje. Ne vajtojmë. Por jo si ata që nuk kanë shpresë. Votojmë dhe humbasim, apo votojmë dhe fitojmë. Në secilin rast fitojmë apo humbasim sikur të mos fitonim apo humbisnim. Pritjet dhe zhgënjimet tona janë modeste. Më e mira që mund të na ofrojë kjo boëtë është një flluckë jetëshkurtër. Më e keqja që mund të na ofrojë është parashikuar në librin e Zbulesës. Këtë gjë nuk mund ta pengojë asnjë lloj vote! Në këndvështrimin afatshkurtër të krishterët humbasin (Zbulesa 13:7). Në këndvështrimin afatgjatë ne fitojmë (Zbulesa 21:4).
3. Në politikë ka gëzime. Vetë akti i votimit është një deklaratë e gëzuar që nuk jemi nën pushtetin e ndonjë tirani. Mund të ketë fitore të lumtura. Por edhe qeveria më e mirë që mund të kemi është thjesht një hije. Tani paqja dhe drejtësia janë të pjesshme. Por kur të vijë Krishti do të jenë të përsosura. Prandaj gëzimi ynë është modest. Triumfet tona jetëshkurtra dhe plot papërsosmëri. Prandaj votojmë sikur të mos votonim.
4. Ne nuk largohemi prej politikës. Ne përfshihemi – por sikur të mos përfshiheshim. Politika nuk ka autoritetin përfundimtar për ne. Ajo është thjesht një skenë tjetër kur mund të shpaloset e vërteta që Krishti është suprem dhe jo politika!
5. Ne merremi me sistemin politik. Merremi me lajmin. Merremi me kantidatët. Merremi me çështjet e ndryshme. Por me të gjitha këto merremi sikur të mos merreshim. Këto gjëra nuk kanë vëmendjen tonë të plotë. Këto nuk janë gjëja madhështore në jetën tonë. Përkundrazi, Krishti është madhështor në ne. Krishti do sundojë mbi popullin e vet me supremitet të përsosur ska rëndësi kush zgjidhet apo cila qeveri qëndron apo bie. Prandaj ne votojmë sikur të mos votonim.”
Përfshirja politike është e rëndësishme për të Krishterët. Në fakt, sa më tepër potencial për mirë apo keq të ketë një çështje (si për shembull martesa) aq më të përfshirë me zell duhet të jemi. Por këto çështje të rëndësishme nuk i trajtojmë si çështje përfundimtare. Ne veprojmë, ne votojmë, ne përfshihemi në çështje sociale por pritjet tonë për atë që mund të arrihet përmes politikës janë të matura. Kjo do të thotë që ne votojmë si ata që nuk votojnë. Ndoshta nuk është një shenjë aq e keqe kur njerëzit apo gazetat e kanë të vështirë ta kuptojnë një gjë të tillë.