17 Prill – Octavius Winslow

“Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.” Gjoni 14:15

Si Mbret në Sion, Zoti ynë i admirueshëm Jezus kënaqet të mbretërojë mbi një popull të dashur dhe të bindur. Prandaj, Ai e ka bërë bindjen e tyre ndaj urdhërimeve të Tij testin e dashurisë së tyre për personin e Tij, “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.” “Duke i mësuar të zbatojnë të gjitha ato që unë ju kam urdhëruar,” ishte porosia e fundit që Ai u dha dishepujve të Tij. Tani është ky zbatim i urdhërimeve të Tij, ky respektim i asaj që Ai na ka kërkuar, gjë e cila e përlëvdon Atë në shenjtorët e Tij. Ardhja tek Ai në paditurinë tonë e përlëvdon Atë si Profet; ardhja tek Ai me fajin tonë e përlëvdon Atë si Prift; dhe ecja me bindje ndaj porosive të Tij e përlëvdon Atë si Mbret. Kjo e vendos kurorën mbi kryet e sovranitetit të Tij, dallon natyrën frymërore të mbretërisë së Tij, dhe lartëson pastërtinë, madhështinë, dhe autoritetin e ligjeve të Tij. Dhe kështu bëhet detyra solemne dhe e domosdoshme e çdo besimtari që të kërkojë vullnetin dhe testamentin e Zotit të tij që vdiq, u ringjall dhe që është i lartësuar, të respektojë të gjitha ato për të cilat Ai kërkon bindjen e tij në udhën e porosive dhe urdhërimeve.

Si mund të jetë ndryshe besimtari një qytetar i mirë dhe i bindur nëse ai nuk i kupton ligjet e mbretërisë së Krishtit? Atëherë, kur porosia është zbuluar në mënyrë të qartë, dhe urdhërimi është bërë i njohur në mënyrë të dallueshme, duhet të pasohen menjëherë nga mohimi i vetes dhe bindja me gëzim, si shtegu i cili siguron paqen më të ëmbël të shpirtit dhe që i sjell lavdinë më të madhe Krishtit. Qoftë ecja juaj një ecje me bindje, lexues i dashur! Qoftë bindja jote fryti i besimit, urdhëri i dashurisë. Mos lejo asnjë rezervë ndaj bindjes tënde; le të jetë ajo tërësore, e sinqertë dhe e plotë. Hetoje Shkrimin e Dhiatës së Re, dhe shqyrtoje nga afër ecjen tënde, vlerëso saktësisht se cilat janë mangësitë e bindjes tënde ndaj Krishtit. Tregohu i drejtë, i ndershëm dhe i sinqertë në kërkimin tënd. Qoftë lutja jote e zjarrtë, “Zot, çfarë dëshiron që të bëj? Mos e kam përbuzur ndonjë porosi të Fjalës tënde, mos vallë nuk i jam bindur ndonjë urdhërimi, mos kam lënë ndonjë kryq pa e mbartur? Mos kam vallë ndonjë dëshirë të fshehtë për të mos e ulur qafën time poshtë zgjedhës tënde, apo ta largoj supin tim nga mbajtja e barrës tënde, mos kam ndonjë prirje për të krijuar një shteg më të butë se ai që ti ke zgjedhur dhe më ke bërë thirrje të eci në të? Mos vallë po formoj ndonjë justifikim të fshehtë për mosbindjen time, ndonjë zvarritje, ndonjë ndjenjë mishore, ndonjë motiv sipas botës, ndonjë frikë nga njeriu, ndonjë hezitim për shkak të pasojave?

Zot, ti i di të gjitha gjërat, ti e di që unë të dua. Ti je i çmuar për shpirtin tim, sepse ti ke mbartur mëkatet e mia, ke duruar mëkatin tim, ke mbartur kryqin tim; dhe tani thjesht më kërkon, që si provë të faktit se sa shumë të detyrohem, dhe sa shumë të dua, të eci me bindje ndaj urdhërimeve të tua dhe të ndjek shembullin tënd. Tani o Zot, merre zemrën time të mjerë dhe le të jetë e jotja, plotësisht e jotja, përjetë e jotja. Dashuria jote e ëmbël le të më shtrëngojë që të vrapoj në shtegun e urdhërimeve të tua, sepse këtë gjë do të bëj kur ti të më zgjerosh zemrën.” Pastaj do të vijnë frytet e çmuara të bindjes, ndërsa sythi do të çelë, dhe lulja do të prodhojë frytin. Do të ketë një rritje, një zgjerim të kënaqshëm të jetës së Perëndisë në shpirt; dhe me rritjen e jetës hyjnore, do të ketë një rritje të të gjithë “frytit të çmuar të Frymës.” Sigurohu që Shpenguesi yt të përlëvdohet në bindjen tënde; që pëer lumturinë e shpirtit tënd dhe për nderin e Krishtit të “jesh i plotë në gjithë vullnetin e Perëndisë.”


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*