20 Prill – Octavius Winslow

“Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishteje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej.” Eksodi 3:2

Kjo ndodhi e jashtëzakonshme në historinë e Izraelit të lashtë të Perëndisë është ilustruese për një të vërtetë shumë të rëndësishme, e cila ka të bëjë me përjetimin praktik të çdo besimtari në Jezusin. Kjo na paraqet një skicë të vërtetë dhe të bukur për kishën e Perëndisë. Ne kujtohemi për dy natyrat e kundërta të besimtarit – natyrën e rënë dhe natyrën e ripërtërirë, natyrën mishore dhe atë frymërore. Njëra e ulët, mëkatare, e shëmtuar dhe nga toka – tokësore; tjetra e lartësuar, e shenjtë, e lavdishme, dhe nga qielli – qiellore. “Ajo që ka lindur nga mishi është mish; ajo që ka lindur nga Fryma është frymë.”

Konflikti mes këtyre të dy natyrave të kundërta dhe antagoniste brenda fëmijës së Perëndisë paraqitet gjithashtu në këtë pamje. Sikurse shkurrja në të cilën banon Hyjnia ishte e rrethuar nga flakët, kështu dhe njeriu i ripërtërirë, në të cilin Perëndia i përjetshëm denjon të banojë me Frymën e Tij, është përherë i rrethuar nga zjarri i konfliktit, sprovës dhe vuajtjes. Natyra dhe hiri, mëkati dhe shenjtëria, janë aq të kundërta nga njëra-tjetra sa nuk mund të ketë tjetër. Ato nuk mund të bien dakord, nuk mund të ndërthuren apo apo të kombinohen ashtu sikurse kjo gjë nuk mund të ndodhë mes elementeve të kundërta dhe antagoniste në botë. Nuk mund të ketë kurrë një armëpushim mes tyre. Është e domosdoshme që ato të jenë vazhdimisht në kundërshtim, në armiqësi dhe në luftë me njëra-tjetrën. Përleshja bëhet për të pasur supremacinë. Pyetja e madhe në diskutim është, “kush do të mbretërojë tek besimtari – mëkati apo shenjtëria; natyra apo hiri; Satani apo Perëndia?” Oh çfarë konflikti i zjarrtë që është ky! Dëgjo rrëfimin e një apostulli të frymëzuar, mëso nga përjetimi i ij i dhimbshëm: “por unë jam mishëror, i shitur mëkatit si skllav. Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej.” Kush nuk mund ta dallojë konfliktin këtu? Ai kishte një neveri të thellë dhe të fortë ndaj mëkatit. Prirja mbizotëruese, zakoni i fiksuar i mendjes së tij të ripërtërirë ishte shenjtëria – prirja e dëshirave të tij ishte ndaj Perëndisë. E megjithatë, si pasojë e shthurjes së qenësishme të zemrës së tij, ndikimit të shtysva mëkatare, prirjeve dhe dëshirave të prishura u ndje si dikush i lidhur me një trup të vdekur, nga i cili dëshironte të çlirohej. Ja çfarë i përcakton dy natyrat, që karakterizon konfliktin e përhershëm mes të dyjave, dhe e cila e dallon njeriun e shenjtë nga mëkatari.

Përveç këtij konflikti frymëror, janë edhe flakët e vuajtjes dhe sprovës të cilat shpesh e rrethojnë fëmijën e Perëndisë. Ky është pagëzimi i zjarrit, i lidhur dhe që vazhdimisht rrjedh prej pagëzimit të Frymës së Shenjtë. “Ai do t’ju pagëzojë,” thotë Gjoni “me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.” Perëndia e ka “zjarrin e Tij në Sion dhe furrën e Tij në Jerusalem.” Por kjo nuk është furra e drejtësisë dhe as furra e zemërimit. Jezusi, garantuesi, ka kaluar përmes tyre dhe ka duruar gjithçka; Ai e ka shuar flakën e tyre dhe i ka fikur thëngjijtë e tyre. Por është zjarri i disiplinës së dashurisë dhe mëshirës së përjetshme. Edhe pse përndjekja mund të lejohet të vlojë dhe ai që rrëfen Krishtin mund të ngjitet në lavdi me një karrocë të zjarrtë – edhe pse sprovat e çdo lloji mund të bien mbi fëmijën e Perëndisë, hiri dhe hiret e tij “sprovohen me zjarr,” – megjithatë, si përndjekja e kishës ashtu dhe sprova e besimtarit janë thjesht fryte të dashurisë së përjetshme dhe të pandryshueshme; dhe do të dalin që kanë efekt pastrues, shenjtërues dhe shpëtues. Asnjë gjë nuk do të konsumohet përveç vjetërsirave të botës dhe ndryshkut të mëkatit, aliazhi që shpesh gjendet i përzjerë me arin e pastër.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*