28 Korrik – Octavius Winslow

“Shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre.” Kantiku i Kantikëve 2:9

Ky është një zbulim më i qartë dhe më i lavdishëm i Krishtit po aq sa dhe është manifestim i Krishtit në fjalën e zbuluar. Zoti ynë nuk e fsheh Veten nga shenjtorët e Tij. Ai kujton që gjithë bukuria e tyre është përmes Tij, gjithë hiri i tyre është në Të, dhe gjithë lumturia e tyre është prej Tij; prandaj, Ai kënaqet t’u ofrojë atyre ÇDO MJET dhe rast për t’jua shtuar njohurinë dhe për ta përsosur ngjashmërinë e tyre me Të. “Hekurat” e shtëpisë së tij janë shprehje figurative për doktrinat, udhëzimet dhe premtimet e Ungjillit të Tij. Përmes këtyre Zoti Jezus e manifeston Veten kur e studiojmë fjalën, jo si mësues të vetëmjaftueshëm, por si nxënës të sinqertë dhe të përulur, thellësisht të vetëdijshëm se sa pak dimë në të vërtetë, dhe duke pasur etje për të njohur edhe më tepër për Perëndinë në Jezusin.

Zoti Jezus shpesh e tregon Veten përmes këtyre “hekurave” – ndoshta një tip, profeci, doktrinë apo urdhërim – dhe ne udhëzohemi, shenjtërohemi dhe bekohemi. Është humbje për shumë lexues të Biblës të cilët nuk e hulumtojnë atë për Krishtin. Njerëzit e studiojnë Biblën me qëllim që të shtojnë njohurinë e tyre për shkencën, profecinë, poezinë dhe pikturën; por sa të paktë janë ata që e hulumturojnë për Jezusin! E megjithatë kur njohim Atë hapet e gjithë çadra e misterit frymëror – gjithë sa Perëndia planifikoi të komunikonte në botën e tanishme. Të njohësh Perëndinë do të thotë të kuptosh gjithë njohurinë; Perëndia njihet me të vërtetë vetëm ashtu si zbulohet në Jezusin; prandaj, ai që e njeh Jezusin nga përjetimi mban në dorën e tij çelësin që hap thesarin e pafund të mendjes dhe zemrës së zbuluar të Perëndisë.

Kërkoni për Krishtin në dritaret e fjalës! Tipat janë hije të Tij, profecitë shpalosin Atë, doktrinat na mësojnë për Të, udhëzimet flasin për Të, premtimet nga çojnë tek Ai. “Ngazëllohuni për fjalën, por vetëm ashtu si bënë dijetarët me yllin, për shkak se i udhëhoqi te Krishti. Fjala e Krishtit është e çmuar, por nuk ka asgjë më të çmuar se Krishti vetë dhe formimi që Ai i jep shpirtit. Mos u prehni te fjala, por përmes saj shihni drejt Krishtit.”

Zot i bekuar, me sinqeritet e hap këtë enë parfumi të çmuar – fjalën Tënde – në mënyrë që aroma e hirit tënd dhe emri yt të mund të më rigjallërojnë. Është fjala Jote, jo fjala e njeriut, ajo që mund të më ndihmojë dhe të ma kënaqë shpirtin. Njeriu vetëm mund të më drejtojë te Ti; fjala jote më sjell te Ti. Më e mira që mund të bëjnë shërbëtorët e tu është që të të sjellin Ty në ungjillit tënd para zemrës time; por Fryma jote e së vërtetës të sjell ty përmes ungjillit tënd në zemrën time. Ma trego veten tënde përmes “kangjellave” të fjalës tënde, dhe unë do të ngazëllohem si dikush që ka gjetur një plaçkë të madhe – sepse të kam gjetur ty.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*