28 Nentor – Octavius Winslow

28 Nëntor

“Të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan.” Veprat 13:48

Nuk mund të ketë asnjë gjë në Bibël që ta kundërshtojë shpëtimin e një mëkatari. Doktrina e paracaktimit është një doktrinë e zbuluar e Biblës; prandaj paracaktimi nuk mund të vihet kundër shpëtimit të mëkatarit. Përveçse kjo është e vërtetë, ne nuk hezitojmë që ta afirmojmë me forcën më të madhe që nuk njohim asnjë doktrinë tjetër të fjalës së Perëndisë e cila të jetë më e tejmbushur me inkurajim për shpirtin e zgjuar nga gjumi dhe të ngarkuar me mëkat i cili kërkon Krishtin. Çfarë prove më të fortë mund të kemi për zgjedhjen tonë nga Perëndia sesa puna e Frymës në zemrën tonë?

A je vërtet i interesuar për shpëtimin e shpirtit tënd? A e ndjen murtajën e mëkatit? A je i vetëdijshëm për dënimin e ligjit? A e pranon se je pjesë e atyre që janë “të lodhur dhe të ngarkuar”? Nëse po, atëherë fakti që je subjekt i tërheqjes Hyjnore – që ke ndjerë bindjen për mëkatshmërinë tënde – dhe se po kërkon me zell një vend strehimi, japin bazën më të fortë për të besuar se ti je një prej atyre të cilët Perëndia i ka paracaktuar për jetën e përjetshme. Vetë kjo punë që ka nisur është dora e parë e Frymës për të vijëzuar shëmbëlltyrën Hyjnore në shpirtin tënd – vetë shëmbëlltyrën me të cilën shenjtorët janë paracaktuar që të përshtaten.

Por ndërsa e lartësojmë kështu këtë doktrinë duke treguar që ajo nuk është armiqësore për shpëtimin e një shpirti në ankth, me zell dhe qartësi të plotë duhet të deklarojmë se në këtë fazë të ecjes tuaj të krishterë më së pari dhe kryesisht keni të bëni me një doktrinë tjetër dhe të ndryshme. E kemi fjalën për doktrinën e Shlyerjes. Nëse do të kishe mundësi të shihje në librin e dekreteve Hyjnore dhe të lexoje emrin tënd të shkruar mbi faqet e tij kjo gjë nuk do të të jepte gëzimin dhe paqen që do të të përcjellë një shikim me besim i Krishtit të kryqëzuar. Nuk është thelbësore për shpëtimin tënd që të besosh doktrinën e zgjedhjes; por është thelbësore për shpëtimin tënd që të besosh në Zotin Jezu Krisht.

Në rastin tënd, si një individ që debaton pyetjen serioze si mund të drejtësohet një mëkatar para Perëndisë, më së pari ke punë me Krishtin, dhe me Krishtin në mënyrë ekskluzive. Duhet të ndjesh se je një mëkatar i humbur dhe jo që je një shenjtor i zgjedhur. Doktrina që e trajton fazën e tanishme të gjendjes tënde frymërore nuk është doktrina e paracaktimit, por doktrina e një Shpëtimtari shlyes. E vërteta që duhet ta konsiderosh të parën dhe besimin më të thjeshtë dhe pa dyshime është e vërteta që “Krishti vdiq për të paperëndishmit” – që Ai erdhi në botë të shpëtojë mëkatarët – që Ai erdhi të thërrasë, jo të drejtët, por mëkatarët në pendim – që në të gjitha aspektet në çështjen e madhe të shpëtimit tonë, Ai qëndron në lidhje me ne si Shpëtimtar, ndërsa ne qëndrojmë para Tij në karakterin e një mëkatari. Le të ketë një objekt në sytë tuaja, le të ketë një temë që ta mbushë mendjen tuaj – Krishti dhe shpëtimi i Tij. I zhytur në meditimin dhe studimin e këtyre dy gjërave, me siguri mund t’i lini mënjanë të gjitha kërkimet e tjera për një fazë tjetër më të përparuar të ecjes së krishterë. Mbaj mend se fakti i paracaktimit tënd, siguria e zgjedhjes tënde, mund të nxirren vetëm nga kthimi yt në besim. Duhet të të mbajmë të lidhur fort me këtë të vërtetë. Arsyetimi i fshehtë dhe fatal i Satanit është një specie fatalizmi ateist që argumenton “Nëse jam i zgjedhur do të shpëtohem pavarësisht nëse kam lindur sërish apo jo.”

Shtegu i mjerimit të përjetshëm është i shtruar me argumente të tilla. Njerëzit e kanë lajkatuar shpirtin e tyre me një justifikim të tillë të kotë derisa e kanë parë veten përtej viseve të shpresës! Por ne duhet të arrimë tek burimi duke ndjekur rrjedhën. Kthimi në besim, dhe jo paracaktimi është fundi i zinxhirit pas të cilit duhet të kapemi. Duhet të largohemi nga vetja dhe të shkojmë te Perëndia dhe të mos zbresim nga Perëndia te vetja, nëse duam ta sqarojmë këtë pyetje të madhe. Qëllimin e dashur të Perëndisë ndaj nesh duhet ta gjykojmë përmes punës subjektive të hirit të Tij brenda nesh. Si konkluzion, ju përgjërohemi me zell që të lini mënjanë çdo spekulim dhe t’i kushtoheni lutjes.

Le të përkulet arsyeja para besimit, besimi t’ju mbajë të lidhur ngushtë me Krishti dhe Krishti të jetë gjithçka në ju. Kini kujdes që të mos ju shpëtojë kthimi i vërtetë në besim – një zemër e ndryshuar, një mendje e ripërtërirë, në mënyrë që të bëheni një “krijesë e re në Krishtin Jezus.” Dhe nëse si një mëkatar i mjerë dhe i humbur shkoni te Shpëtimtar, pavarësisht se je krejtësisht i neveritshëm dhe fajtor, i padenjë dhe i dobët, Ai do të të pranojë dhe të të strehojë në gjirin e Tij që u përgjak mbi kryq për të siguruar një shlyerje dhe një strehë edhe për kreun e mëkatarëve.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*