Sa shumë gjuhë “dashurie” duhet të përdorim në këngët e adhurimit?

nga Pastor John Piper

Dëgjuesit tanë na dërgojnë gjithmonë pyetje që kanë të bëjnë me fjalët e këngëve të adhurimit. Ndoshta këto janë pyetjet më polarizuese të cilave përpiqemi t’u japim përgjigje. Roberti na shkruan dhe ka një pyetje të përgjithshme rreth kësaj teme.

“Përshëndetje Pastor John! Kam vënë re në kishën time një shtim të gjuhës së ‘dashurisë’ në këngët bashkëkohore të adhurimit. Shkrimi tregon që martesa dhe në disa raste seksualiteti reflektojnë diçka rreth marrëdhënies së Krishtit me njerëzit e tij. A duhet ta kuptojmë këtë gjë në një kuptim thjesht të përbashkët, apo është me vend që individët të këndojnë këngë si ‘E kam ndjerë prekjen tënde,’ apo ‘Jezus, i dashuri i shpirtit tim’? Çfarë vendi ekziston për një gjuhë intime dhe personale ‘dashurie’ në adhurimin e përbashkët? Sa shumë nga kjo rrjedh nga një interpretim alegorik i Kantikut të Kantikëve?”

Përkujdesje baritore përmes këngës
Çfarë nevoje e jashtëzakonshme që ekziston për udhëheqës adhurimi të cilët janë njerëz të lutjes, të urtë, me eksperiencë, të zhytur në Bibël dhe të thellë ne teologji. Të jesh në gjendje t’i biesh kitarës dhe të ndjekësh melodinë nuk mjafton për ta bërë një person të përshtatshëm për rolet më të rëndësishme pastorale në kishë. Mendoj që pas pastorit i cili predikon rregullisht, planifikuesi dhe udhëheqësi i takimeve të adhurimit është personi me më tepër ndikim frymëror dhe teologjik në kishë – qoftë për mirë apo për keq.

Po e filloj me këtë theksim – me këtë thirrje për lutje, urtësi, pjekuri, zhytje në Bibël, për thellësi dallimi në këtë rol – sepse, sikurse me shumicën e gjërave të bukura dhe të çmuara, zgjidhja për gjërat pa vend, të papërshtatshme, të marra dhe pa shije në takimet e adhurimit nuk është një libër me rregulla, por pjekuria, urtësia dhe dhuntitë e dallimit për raportin dhe ekuilibrin, për bukurinë dhe efektin.
Prandaj, kur Roberti na pyet, “Çfarë vendi ekziston për gjuhën intime dhe personale të ‘dashurisë’ në adhurimin e përbashkët?” përgjigja ime është që çdo udhëheqës pastoral i adhurimit duhet të dallojë nëse fjalët e një kënge dhe konteksti i saj në adhurim do të sigurojë sfondin mendor dhe emocional për ta përjetuar gjuhën e dashurisë në një mënyrë të pastër dhe të shenjtë si dhe në raport të përshtatshëm edhe me emocionet e tjera.

Në këtë zonë mund ta dallojmë nevojën e jashtëzakonshme për urtësi. Kjo nuk është gjë e thjeshtë. Sa më individuale dhe seksuale të bëhen imazhet e Krishtit dhe popullit të tij aq më problematike ka për të qenë kjo për adhurimin e përbashkët. Së pari, është sfida për ta kaluar eroticizmin në ndjenja frymërore. Mund të bëhet, por nuk ka të ngjarë që do të ndodhë për çdo person në adhurimin e përbashkët. Së dyti, për shkak se Jezu Krishti është mashkull, është burrë, nuk mund të presim që meshkujt dhe femrat në bashkësi të lidhen në të njëjtën mënyrë me një Krisht mashkull të individualizuar që iu flet në një gjuhë që përfshin ngjyrime erotike.

Por nuk dua të lë përshtypjen që duhet të lejojmë emëruesin më të ulët të përbashkët të ndjeshmërisë frymërore në bashkësi dhe intimitetin personal të bashkësisë me Jezusin të përcaktojë kufijtë e shprehjes të ndjenjave tona biblike për Perëndinë. Sërish, thirrja për urtësi, për thellësi dhe dallim frymëror tek udhëheqësi është shumë kritike.

Luan dhe Qengj në një person
Ja se çfarë mendoj unë që duhet të jetë fokusi i cili do na ndihmojë të zgjidhim probleme të tilla: A po dallohen dhe shijohen shkëlqesitë e Krishtit nga njerëzit javë pas jave në adhurim në një mënyrë që e ruan secilën prej këtyre shkëlqesive të Krishtit nga shtrembërimi duke i ruajtur ato në lidhje me shkëlqesinë ekuilibruese? E di që kjo tingëllon e ndërlikuar. Nuk është e tillë. Ja se çfarë dua të them.

  • Ne duhet të këndojmë për shkëlqesinë e lavdisë së tij, por duke e kombinuar me përulësinë e tij.
  • Ne duhet të këndojmë rreth epërsisë së tij duke e kombinuar me denjimin e tij.
  • Ne e admirojmë atë për drejtësinë e tij të pa kompromentueshme, por e bëjmë këtë gjë edhe më tepër për shkak se ajo është e ndërthurur me mëshirën e tij.
  • E admirojmë atë për madhështinë e tij, por e bëjmë edhe më tepër për shkak se është një madhështi në butësi – luan dhe qengj.
  • E admirojmë atë për shkak se barazisë së tij me Perëndinë, por e bëjmë edhe më tepër sepse Ai është i barabartë me Perëndinë e megjithatë ka drojë ndaj Perëndisë.
  • E admirojmë për faktin se sa i denjë është ai për çdo të mirë, por e bëjmë edhe më tepër për faktin se sa i duruar ishte ai kur vuajti gjithë ligësinë.
  • Ne këndojmë për të për shkak të sundimit të tij sovran mbi botën, por e bëjmë edhe më tepër për shkak se sundimi i tij është i veshur me një frymë bindjeje dhe nënshtrimi.
  • Na pëlqen mënyra sesi ua mbylli gojën skribëve dhe Farisenjve krenarë me urtësinë e tij, dhe na pëlqen edhe më tepër për shkak se mund të ishte aq i thjeshtë sa fëmijët dëshironin t’i afroheshin dhe të kalonin kohë me të.
  • E admirojmë atë për shkak se ai mund të qetësonte stuhinë me një fjalë, e megjithatë refuzoi ta përdorte pushtetin e tij që të zbriste nga kryqi.

Më tepër se thjesht muzikë
Prandaj, kur Roberti pyet, “A është me vend që individët të këndojnë fjalë të tilla si, ‘E kam ndjerë prekjen tënde’?” përgjigja ime është po, me kusht që të gjithë ta dinë se kur e ndjen prekjen e tij mund të të zërë korrenti. Kjo vetëdije mund ta ruajë imazhin e prekjes së Krishtit që të mos përfundojë në sentimentalizëm dhe eroticizëm.

Varet shumë nga çfarë kuptimi kanë fjalët e një kënge në përjetimin tonë personal. Për mua, kur mendoj për faktin e prekjes nga Perëndia, mendoj për 1 Samueli 10:26 – me të vërtetë që për këtë mendova kur po përgatitesha. “Edhe Samueli shkoi në shtëpinë e tij në Gibeah, dhe me të shkuan njerëz trima, të cilëve Perëndia u kish prekur zemrën.” Këtë lloj prekjeje dëshiroj unë. Ky është një konotacion krejt i ndryshëm nga ai që të vjen në mendje nga nata e parë e muajit të mjaltit.

Përgjërimi që kam për pastorët është që të zgjedhin me shumë kujdes se kush do ta planifikojë dhe udhëheqë këtë pjesë tepër të rëndësishme të takimit të adhurimit: këta duhet të jenë njerëz të lutjes, të urtë, të pjekur, me eksperiencë, të zhytur në Bibël dhe të thellë në teologji. Nëse nuk ka një person të tillë, atëherë mbajeni udhëheqjen e kësaj pjese në duart tuaja derisa të ngrini një udhëheqës të tillë. Ndërkohë, mësojuni njerëzve tuaj kush është Krishti dhe çfarë është adhurimi.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*