Komentim – Hebrenjve 4

Hebrenjve 4

nga Matthew Henry

Skica e kapitullit

  • Nxitje për një frikë të përulur dhe të kujdesshme që askush të mos e humbasë prehjen e premtuar për shkak të mosbesimit (1-10)
  • Argumente dhe motive për të pasur besim dhe shpresë në afrimin tonë ndaj Perëndisë (11-16)

Hebrenjve 4:1–10

Privilegjet që kemi në epokën e Ungjillit janë më të mëdha nga ato që njerëzit kishin nën ligjin e Moisiut edhe pse në thelb u predikua i njëjti ungjill në të dyja Besëlidhjet. Në çdo epokë ka pasur shumë dëgjues që nuk kanë pasur dobi nga fjala dhe rrënja e mungesës së frytshmërisë gjendet mosbesimi. Besimi tek dëgjuesi është jeta e fjalës. Por pasoja e dhimbshme e neglizhimit të pjesshëm dhe një rrëfimi të dobët dhe të lëkundur ka qenë shpesh ajo që ka bërë që njerëzit të mos i arrijnë premtimet. Prandaj le të tregojmë zell në mënyrë që të kemi një hyrje të hapur në mbretërinë e Perëndisë. Ashtu si Perëndia e përfundoi veprën e Tij dhe pastaj u preh prej saj, po kështu Ai do të bëjë që ata që besojnë të pushojnë nga veprat e tyre dhe pastaj të kënaqen me prehjen e tyre. Është e qartë që për popullin e Perëndisë ka një shabat frymëror edhe më të përsosur sesa ajo e ditës së shtatë apo ajo në të cilën Jozueu i futi Judenjtë. Kjo prehje është prehja e hirit, ngushëllimit dhe shenjtërisë në gjendjen e Ungjillit. Është prehja në lavdi, ku populli i Perëndisë do të kënaqet me synimin e besimit të tyre dhe me objektin e dëshirave të tyre. Prehja apo shabati si tema e arsyetimit të apostullit gjë për të cilën ai konkludon se do të shijohet nga besimtarët nuk ka dyshim që është prehja qiellore e cila e pret popullin e Perëndisë, gjë e cila është e kundërt me gjendjen e mundimit dhe telasheve në botë. Kjo është prehja që besimtarët do të fitojnë kur Zoti Jezus të shfaqet prej qiellit. Por ata që nuk besojnë nuk do të hyjnë kurrë në këtë prehje frymërore, as në prehjen e tanishme të hirit dhe as në prehjen e pastajme të lavdisë. Perëndia ka shpallur gjithmonë që prehja e njeriut ka qenë në Të dhe dashurinë për Të si të vetmen lumturi të vërtetë të shpirtit; Ai e ka shpallur besimin në premtimet e Tij përmes Birit të Tij si të vetmen mënyrë për të hyrë në atë prehje.

Hebrenjve 4:11–16

Vini re synimin për të cilin flitet: prehje e përjetshme frymërore; prehja e hirit këtu dhe ajo e lavdisë më pas; prehje në Krishtin mbi tokë dhe me Krishtin në qiell. Pas mundimit të zellshëm dhe të nevojshëm do të vijë prehja e ëmbël dhe e kënaqshme; mundi tani do ta bëjë prehjen edhe më të këndshme kur ajo të vijë. Le të mundohemi dhe ta nxitim njëri-tjetrin për të qenë të zellshëm në përgjegjësinë tonë. Shkrimet e Shenjta janë fjala e Perëndisë. Kur Perëndia na e zbulon Fjalën përmes Frymës së Tij ajo bind në mënyrë të fuqishme, konverton në mënyrë të fuqishme, dhe ngushëllon në mënyrë të fuqishme. Ajo e bën të përulur shpirtin që për shumë kohë ka qenë krenar; shpirtin e shthurur e bën të butë dhe të bindur. Zakonet mëkatare që janë bërë të natyrshme për shpirtin dhe i kanë shtrirë rrënjët e tyre thellë veçohen dhe priten prej fjalës së Tij. Fjala do t’iu zbulojë njerëzve mendimet dhe qëllimet e tyre, do të zbulojë poshtërsinë e shumë njerëzve, parimet e këqija përmes të cilave janë të motivuar dhe synimet mëkatare drejt të cilave shkojnë. Fjala do t’i tregojë mëkatarit gjithë sa gjendet në zemrën e tij. Le t’i mbajmë fort në mendjen tonë doktrinat e besimit të Krishterë, le t’i përqafojmë parimet e saj gjallëruese në zemrën tonë, rrëfimi i qartë i tyre qoftë mbi buzët tona dhe le t’u nënshtrohemi me jetën tonë. Krishti e kreu një pjesë të priftërisë së Tij mbi tokë duke vdekur për ne; kurse pjesën tjetër e ushtron në qiell duke ndërmjetësuar për ne dhe duke paraqitur ofertat e popullit të Tij. Nën dritën e Urtësisë së Pafundme ishte e nevojshme që Shpëtimtari i njerëzve të ishte dikush që ka të njëjtat ndjenja të cilat s’mund t’i ketë asnjë qenie tjetër përveçse një bashkë-krijese; prandaj ishte e nevojshme që ai në fakt të përjetonte të gjitha efektet e mëkatit që mund të veçohen prej fajit të mëkatit. Perëndia e dërgoi Birin e Tij në ngjasim të mishit mëkatar (Romakëve 8:3); por sa më i shenjtë dhe i pastër që ishte Ai aq më i pavullnetshëm duhet të ketë qenë në natyrën e Tij për të mëkatuar dhe në të njëjtën kohë duhet të ketë pasur një ndjesi më të thellë për ligësinë e mëkatit; si rrjedhim ai është edhe më i interesuar për ta çliruar popullin e Tij nga faji dhe pushteti i mëkatit. Ne duhet ta inkurajojmë njërit-tjetrin me përsosmërinë e Krye Priftit tonë që të shkojmë me guxim para fronit të hirit. Mëshira dhe hiri janë gjërat që na nevojiten; mëshirë për të na falur gjithë mëkatet tona dhe hir për të na pastruar shpirtin tonë. Përveç varësisë tonë të përditshme tek Perëndia për furnizimit e tanishme, ka gjithashtu stinë për të cilat duhet të sigurojmë në lutjet tona; këto janë kohët e tundimit, si nga armiqësia ashtu dhe nga begatia dhe në mënyrë të veçantë kur të jemi përballë vdekjes. Ne duhet të shkojmë me nderim dhe frikë të perëndishme – jo sikur po na tërheqin zvarrë para fronit të drejtësisë – por sikur jemi ftuar miqësisht tek froni i mëshirës, atje ku hiri mbretëron. Ne kemi guxim për të hyrë në shenjtëroren e shenjtëroreve vetëm përmes gjakut të Jezusit; Ai është Avokati ynë i cili ka blerë për ne gjithë sa u nevojitet apo mund të dëshirojnë shpirtrat tanë.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*