Thesaret Hyjnore – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Ata do të jenë të mitë”, thotë Zoti i ushtrive, “ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë, dhe unë do t’i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij.” Malakia 3:17

Konteksti pararendës na flet për “një libër kujtimi” që “u shkrua para Atij, për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.” Libri i kujtimit ishte një regjistrim i “mendimeve” të besimtarëve ndaj Perëndisë. Këtu kemi plotësuesen e mrekullueshme – mendimet e Perëndisë për besimtarit. Kemi dy tablo të bukura të tokës dhe Qiellit! Mbi tokë, fëmijët e Tij janë mbledhur së bashku, duke folur “shpesh me njëri-tjetrin” – për atë Qenie madhështore dhe të lavdishme të cilës i shërbejnë me kënaqësi. Në Qiell, Ai që sheh në fshehtësi, “dëgjon” – dhe kështu i regjistron mendimet e Tij të hirshme në lidhje me ata në librin e jetës, “Ata do të jenë të mitë”, thotë Zoti i ushtrive, “ditën kur unë përgatis thesarin tim të veçantë!” (Apo “margaritarët e mi të veçantë”).

Me çfarë mendimesh të zellshme – me çfarë aspirata të zjarrta – që e presin njerëzit arritjen e një shprese, çmimi, apo thesari të dashur, për të cilën, në varësi të rastit, janë munduar me apo pa mend. Ai që kërkon më tepër para mezi e pret ditën kur do të grumbullojë dhe magazinojë dengjet e lakmuara të parave. Historiani mezi e pret ditën kur gjithë faktet që ka grumbulluar – gjithë urtësia e tij e dokumentuar – do të hidhen të gjitha në një volum. Arkitekti mezi e pret momentin kur do të hiqet edhe dërrasa e fundit nga skelaria e ndërtesës në të cilën ai shpreson që do të përjetësohet fama e tij. Skulptori mezi e pret që t’i japë prekjen e fundit statujës prej mermeri në mënyrë që ta shohë të jetë pjesë e veprave të tij të përfunduara.

Perëndia madhështor, këtu si kudo tjetër, paraqitet si dikush që pret gëzim dhe kënaqësi në ditën kur “do të përmbushen të gjitha gjërat” – në ditën kur guri i kreut të tempullit të Tij do të nxirret më klithma gëzimi – kur volumi i kujtesës që është duke u shkruar tani do të përfundohet – kur sëndyqi i thesarit që po mbushet tani më në fund do të jetë plot; atë ditë Ai do t’i shfaqë xhevahirët e Tij para një bote admiruese. Çfarë thotë Ai se do të jetë, mes këtyre xhevahirëve të shkëlqyer, thesari i Tij më i çmuar – ai të cilin syri i Tij e sheh me aq dashuri dhe mbi të cilin do të fiksohet vështrimi i Tij? “Ata,” thotë Ai (Njerëzit e mi besimtarë, bashkësia e atyre që dridhen, që patën frikën Time dhe folën për Mua mbi tokë), “ata” atë ditë “do jenë të mitë!”

Oh çfarë mendimi i çmuar dhe i mrekullueshëm nga Perëndia! A mund të ndodhë që Ai të mendojë të më ketë mua si thesar – një copë argjile të varfër, të padenjë dhe të përbuzur, të jem tani në sëndyqin e thesarit të Tij, dhe më në fund të më vendosë si xhevahir në kurorën e Tij? Po! Çfarë ka dhënë Ai për atë margaritar? Përllogariteni vlerën e tij përmes çmimit me të cilin u ble, “Ju nuk u shpenguat me gjëra që prishen si argjendi dhe ari – por me gjakun e çmuar të Krishtit!”

Sikur kjo tablo e jashtëzakonshme të mos mjaftonte, Ai shton, “dhe unë do t’i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij.” Margaritarët janë të çmuar, por çfarë janë ata në krahasim me një bir të dashur dhe të bindur? Nëse margaritarët do të ishin në një shtëpi që po digjet, njeriu do të nxitonte t’i shpëtonte. Por nëse do i duhej të zgjidhte të shpëtonte margaritarët ose një fëmijë të çmuar, a do të hezitonte ai edhe për një moment të vetëm se kë të shpëtonte? Unë do t’i fal njerëzit e mi besimtarë, thotë Perëndia, ashtu si një njeri që turret në mes të flakëve për të shpëtuar birin e tij të dashur. Kur qiejt do të shpërbëhen nga zjarri, dhe elementet do të shkrihet nga nxehtësia – atyre nuk do t’u përcëllohet as edhe një fije floku! Unë do t’i shpëtoj me një shpëtim të madh. Ata janë të mitë tani – të mitë, të drejtësuar në Krishtin, të mitë, të birësuar në familjen Time! Të mitë do të jenë – të pranuar dhe të shfajësuar ditën e gjykimit! Po, të mitë në jetë të jetëve! ““Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir.”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*