31 Tetor – Octavius Winslow

31 Tetor

“Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty.” Isaia 60:1

Ka nga ata besimtarë të krishterë të cilëve nuk do t’u fiket llamba kur të shfaqet Zoti. Ata janë të zgjedhurit e Tij, janë populli i tij i thirrur dhe i shpenguar. Drita e tyre për shkak të dobësive të shumta shpesh mund të zbehet gjatë jetës; por në shpirtin e tyre ka një besim të gjallë – vaji i artë dhe i çmuar i hirit që rrjedh nga Jezusi në zemrat e tyre; prandaj flaka e tyre nuk mund të shuhet kurrë. Të shumta ishin ndikimet armiqësore me të cilat duhej të luftonte hiri i tyre i dobët, të shumta ishin sprovat e besimit të tyre të dobët, por drita e tyre nuk u shua kurrë.

Valët e brengës kërcënuan ta shuanin atë; përmbytjet e ligësisë së brendshme kërcënuan ta shuanin gjithashtu; era e acartë e armiqësisë kërcënoi ta shuante; pengimet në të ecur, luhatjet e zemrës, rëniet e shpirtit, të cilat shpësh zgjatën për një farë kohe e dobësuan dhe e zbehën atë flakë; por ajo vazhdon të jetë aty, e gjallë, digjet, ndriçuese, aq e pashueshme dhe aq e pavdekshme sa edhe burimi nga i cili erdhi. Hiri i Perëndisë në zemër është i pashueshëm dhe jeta e Perëndisë në shpirt është e pavdekshme sikurse dhe vetë Perëndia. Drita e njohurisë e ndezur në mendje, flaka e dashurisë që vezullon në zemër, drita e shenjtërisë që shkëlqen në jetë do të digjen në tempullin qiellore me një plotësi të bollshme lavdie përgjatë përjetësisë.

Drita hyjnore e rrëfimit të krishterë e cila është ndezur nga brenga e shenjtë për mëkatin, nga dashuria për Perëndinë, nga banimi brenda i Frymës së Shenjtë, do të shkëlqejë më fort dhe më gjatë se dielli në kupën qiellore. Dielli do të shuhet, yjet do të bien dhe hëna do të kthehet në gjak, por edhe shkëndija më e vogël e hirit në shpirt do të jetojë përjetë. Zoti kujdeset për veprën e Tij me një vigjilencë syçelë. Kur ena zbrazet, Ai është aty pranë për ta mbushur atë sërish; kur drita zbehet, ai është afër për ta rizgjuar atë; kur era e acartë fryn furishëm dhe valët e egërsuara ngrihen lartë, Ai kalëron mbi erërat, Ai ecën mbi valët për ta mbrojtur këtë shkëndijë të zjarrit të Tij.

Drita që është në ty është dritë që vjen nga Jezusi, “Burimi i Dritës.” A mund të shteret vallë një burim i pafundmë? Kur dielli të shuhet, atëherë të gjitha dritat më të vogla që e marrin shkëlqimin e tyre prej tij do të shuhen gjithashtu – por jo para se të shuhet ai. Kush është ai që e ka rindezur sërish kandilin që bën tym? Ai që nuk do ta shuajë as shkëndijën më të vogël të dritës së gjallë në shpirt. “Ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time.” Nëse Zoti e ndez, cila fuqi mund ta shuajë? A nuk është dashuria e Tij shkëlqimi i shpirtit tënd? A nuk është Ai vetë ylli yt i mëngjesit? A nuk është nuk e sheh vallë dritën në dritën e Tij, madje “dritën e lavdisë së Perëdisë në fytyrën e Jezu Krishtit”? Prandaj, “Çohu, shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur, dhe lavdia e Zotit u ngrit mbi ty.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*