1 Gusht – Octavius Winslow

“Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua.” Romakëve‬ ‭15:30

Ka shumë konsiderata solemne dhe me peshë të cilat kërkojnë me forcë lutjet e kishës së Perëndisë për hir të shërbëtorëve dhe pastorëve të saj. E para që mund të konsiderohet është madhësia e punës së tyre. Nuk ka pasur një punë tjetër më të madhe se puna e tyre që t’u jetë besuar duarve të të vdekshmëve. Asnjë engjëll i dërguar prej qiellit nuk ka një porosi me autoritet më të lartë, apo të lëshohet fluturimthi për të përmbushur një detyrë me madhështi dhe përgjegjësi kaq të jashtëzakonshme.

Ai është shërbëtor i Zotit Jezu Krisht – një ambasador nga oborri qiellor – një predikues i ungjillit të lavdishëm të të bekuarit Perëndi – një administrator i mistereve të mbretërisë. Për ta përmbushur si duhet këtë ofiq të lartë – për t’iu dhënë atyre të shtëpisë ushqimin në kohën e duhur – për të hyrë thellë në minierën e fjalës së Perëndisë dhe për të nxjerrë qartë para kuptimit të çdo besimtari thesaret e saj të fshehura – për të shpalosur lavdinë e Emanuelit, efektshmërinë e veprës së tij dhe plotësinë e hirit të Tij – për të qenë një skrib i mësuar mirë, që e ndan si duhet fjalën e së vërtetës – për të qenë i urtë dhe i zoti për të fituar shpirtrat, që është edhe synimi madhor i shërbesës së krishterë – kush vallë ka kaq shumë nevojë për lutjet mbështetëse të kishës sa ai?

Së dyti, ndjesia e dhimbshme e pamjaftueshmërisë së tyre siguron një përgjërim tjetër prekës. Kush janë shërbëtorët e Krishtit? A janë engjëjt? A janë qenie mbinjerëzore? A janë të frymëzuar? Jo, ata janë njerëz në çdo aspekt si gjithë të tjerët. Ata kanë të njëjtat dobësi, përjetojnë të njëjtat sulme, dhe nuk janë të huaj për asnjë gjë që është njerëzore. Ashtu sikurse zemra e njeh hidhësinë e saj, po ashtu edhe ata janë vërtet të vetëdijshëm për ekzistencën dhe ndikimin e vazhdueshëm të atyre shumë dobësive të cilat i përjetojnë si të tjerët. Megjithatë, Perëndia u ka besuar një detyrë e cila është përtej fuqive të një engjëlli, nëse do të mbështetej vetëm te energjia e vetes së tij.

Së treti, sprovat e shumta dhe të veçanta të shërbesës dhe punës pastorale kërkojnë nga ne këtë favor. Këto janë të veçanta dhe të pandashme nga ofiqi që shërbestari përmbush. Përveç atyre që i përjeton njësoj si gjithë të krishterët e tjerë – sprova personale, familjare dhe shoqërore – këto janë sprova të cilat besimtarët e tjerët nuk i njohin aspak. Ashtu sikurse janë të panjohura janë dhe të të pa përjetuara nga njerëzit që u janë besuar. Me gjithë ëmbëlsinë e afeksionit, me butësinë e dhembshurisë, dhe delikatesën e vëmendjes që i tregoni pastorit tuaj, ende ka diçka e cila mungon dhe të cilën mund ta sigurojë vetëm Jezusi, gjë të cilën do ta sigurojë përmes kanalit të lutjeve tona. Përveç barrës së tij, ai mban edhe barrët e të tjerëve. Sa gjë e pamundur është për një pastor të dashur dhe të dhembshur që të veçohet nga rrethanat e tufës së tij, pavarësisht se cilat mund të jenë këto rrethana. Lidhja e bashkimit është aq e ngushtë dhe e dhembshur – nëse ata vuajnë, ai vajton; nëse ata janë të pikëlluar, ai derdh lot; nëse ata çnderohen, ai poshtërohet; nëse ata ngazëllojnë, ai gëzohet. Ai është një me kishën e tij. Shihni me sa ndjenjë e shpreh apostulli këtë gjë, “Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesia për të gjitha kishat. Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?”

Të shohësh një pastor të krishterë që përveç vajtimit të tij personal të cilin shpesh e mban në vetmi dhe qetësi, e megjithatë të kërrusur prej pikëllimeve që nuk janë të tijat – kur të tjerët presin prej tij dhembshuri, këshillë dhe ngushëllim – kjo është një pamje e cila mund të ngjallë frymën e përgjumur të lutjes për çdo shërbestar të krishterë. Prandaj nuk habitemi ta dëgjojmë kreun e apostujve të përgjërohet, “Vëllezër, lutuni për ne.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*