1 Korrik – Octavius Winslow

“Të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë.” Romakëve 8:28

Vini re unitetin e këtij veprimi. Ato “bashkëveprojnë,” jo më vete dhe të ndara, por të lidhura bashkë – si shkaqe të lidhura dhe ndihmë reciproke. Prandaj kjo është arsyeja pse shpesh dallojmë një larmi sprove në fatkeqësinë që bie mbi të krishterin. Rrallë herë vjen pikëllimi vetëm dhe i pashoqëruar; stuhia vjen pas stuhisë, reja pas resë. Një lajmëtar mjerimi shpejt pasohet nga një tjetër, i ngarkuar me lajmet e një pikëllimi edhe më të rëndë.

Gjurmoni urtësinë, jo vetëm urtësinë, por edhe dashurinë e Perëndisë tuaj o bij të vuajtjes, në caktimin e shtegut tuaj për në qiell përmes “shumë mundimesh,” dhe duke ndërthurur shumë spova. Kur ishit vetëm, e mira që u urdhëruat të përcillni u përmbush vetëm pjesërisht, dhe ligësitë që duhej të trajtoheshin prej saj u kuruan në mënyrë të pjesshme. Është kombinimi i përbërësve në recetë ai që përbën fuqinë shëruese. Hiqeni edhe një nga përbërësit dhe kështu i gjymtoni të tjerët, dhe e shkatërroni të gjithën. Mund të mos e kuptojmë dot si ndodh procesi; nuk e shohim se si një element vepron mbi cilësitë e të tjerëve, dhe as si arrihet kura përmes kombinimit të të gjithë atyre elementeve. Megjithatë, i besojmë zotësisë së farmacistit, dhe duke ia nënshtruar arsyen besimit tonë, e marrim kurën dhe përjetojmë dobinë e saj. Kështu është edhe me veprimet Hyjnore, ato veprojnë, por në realitet “bashkëveprojnë.” Është e sigurt që procesi i kurimit do të cungohej nëse do të mungohte qoftë edhe njëri prej përbërësve! Si do të shkatërrohej rendi, simetria, dhe harmonia e planit të Perëndisë nëse do të mungonte edhe një veprim i erët, apo ndoshta shumë nga ato që na e bllokojnë horizontin! Është kombinimi i tingullit, harmonia e shumë notave madje shpesh të ndryshme, ajo që përbën muzikën.

Oh sa të paditur që jemi jo vetëm për domosdoshmërinë e sprovave, por edhe për larminë e tyre, në mënyrë që nga gojët tona të burojë himni më i ëmbël, më i lartë i lavdërimit dhe falënderimit për Perëndinë! Kështu ndodh që besimtarët që janë sprovuar më fort janë këngëtarët më të zotë dhe më melodiozë në kishën e Perëndisë. Ata që këndojnë këngët më të ëmbla mbi dhe, zëri i tyre dëgjohet më fort në qiell, janë ata që po kalojnë dhe që kanë dalë nga “mundimi i madh.” Prandaj, i krishterë, konsideroje të gjithën gëzim kur përballesh me sprova të ndryshme; mos u tmerro nëse përballesh me valë pas vale – nëse reja mbulon renë – nëse stuhia pason stuhinë – nëse të është marrë Jozefi yt, dhe tani të kërkojnë edhe Beniaminin. Sa më i madh të jetë grumbullimi i sprovës, aq më i madh do të jetë shpërblimi. Atëherë do të ndodhë që ndërhyrja, urtësia dhe dashuria e Perëndisë tonë do të shfaqen edhe më të shkëlqyera dhe më të mrekullueshme. Pasi të na ketë çliruar nga gjashtë vështirësi, do të shohim që Ai do nxitojë të na shpëtojë nga e shtata. Në atë moment përjetimi i këngëtarit gojë ëmbël të Izraelit zgjon një jehonë në zemrën tonë: “Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.”

Le të mos harrojmë që ky është një veprim i tanishëm. Nuk thotë që të gjitha gjërat do të bashkëveprojnë për mirë, edhe pse kjo është po aq e sigurt. Por thotë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë tani për mirë. Nuk është një proces i të shkuarës, as i të ardhmes, por i të tashmes. Ato gjithmonë bashkëveprojnë për mirë. Ky bashkëveprim mund të jetë aq i padukshëm dhe pa zë sa edhe majaja kur e bën të vijë bukën, e megjithatë nuk është më pak i sigurt dhe i efektshëm. Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme në shpirtin tonë, dhe as nuk rrritet aty në mënyrë të dukshme. Nëse e mira na vjen me krahët e korbit në sprovë, apo me retë e një provanie të vështirë mbi kokat tona, nuk ka rëndësi nëse është e menjëhershme apo e largët; herët a vonë ajo do ta përmbushë misionin e saj të mirë për të cilin u dërgua nga qielli, pastaj sprova do të hapë krahët e saj të errët dhe do të fluturojë larg, trishtimi do t’i mbledhë perdet e tij të errëta dhe do të zhduket. Përjetimet e dhimbshme dhe të pashpjegueshme që në momentin e tanishëm mund të jenë duke u shtuar rreth shtegut tuaj janë thjesht përbërës të qeverisjes së Perëndisë të cilat po i ushtron për të arritur rezultatet e tyre të sigurta, të kënaqshme dhe të lumtura.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*