10 Dhjetor – Octavius Winslow
10 Dhjetor
“Jezusi i tha: ”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.” Gjoni 14:6
Bëkimi jo më pak i kushtueshëm që rrjedh nga fuqia jetësore e gjakut shlyes është jeta dhe forca që i jep lutjes së vërtetë. Shtegu i besimtarit drejt përbashkësisë me Perëndinë quhet “udha e re dhe e gjallë” për shkak se është udha e hapur me gjakun e Shpëtimtarit të gjallë dhe të ringjallur. Nuk mund të ketë jetë frymërore në lutje veçse për shkak të gjallërisë së gjakut shlyes, i cilie e siguron pranueshmërinë e saj. Madje as Fryma e Shenjtë nuk mund ta frymëzojë dot shpirtin qoftë edhe me një hukatje të lutjes së vërtetë, nëse nuk do të ishte siguruar shlyerja e Birit të Perëndisë. Oh sa dobët që i njohim mrekullitë që gjenden brenda dhe bekimet që burojënë prej gjakut jetëdhënës të Perëndisë tonë të mishëruar!
Përsa i përket temës së lutjes – unë i afrohem Perëndisë i shtypur nga mëkatet, duke e pasur zemrën të shtypur nga pikëllimi, me shpirtin që dridhet; me fytyrën e mbuluar nga turpi dhe konfuzioni, i pagojë përpara tij. Në atë çast shfaqet gjaku i Jezusit, besimi e sodit atë, besimi e pranon, besimi përgjërohet për atë gjak! Në atë gjak ka jetë dhe fuqi por ja në një çast shpirti im i drithëruar aftësohet të kapet në fuqinë e Perëndisë dhe të jetë në paqe me Të, dhe është në paqe. Nga të gjitha privilegjet e krishtera mbi tokë, asnjë nuk mund t’ia kalojë, asnjë nuk mund të krahasohet me privilegjin e bashkësisë me Perëndinë. E megjithatë sa i kufizuar që është ky privilegj në përjetimin e shumicës!
Pse ndodh kështu? Kjo është thjesht pasojë e pamjeve të tyre të mjegullta, të papërsosura dhe të vogla të lidhjes me lutjes së vërtetë me gjakun jetësor të Jezusit. E megjithatë, çfarë afërsie dhe çfarë komunikimi me Atin mund të përjetojë gjatë gjithë kohës dhe në çfarëdo rrethane edhe fëmija më i vogël, më i dobët dhe më i padenjë i cili thjesht dhe me besim e shfrytëzon gjakun e Krishtit! Ti afrohesh pa asnjë argument apo përgjërim. Ke shumë mëkate për të rrëfyer, pikëllime për të zbuluar, ke shumë kërkesa për të bërë, shumë bekime për të dëshiruar; e megjithatë vetëdija e thellë e neverisë tënde të skajshme, kujtimi i mëshirave që ke shkelur dhe i shpagimeve të ulëta dhe mosmirënjohëse, t’i mbyll buzët dhe je memec para Perëndisë.
Shpirti yt i mbingarkuar thërret, “Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij! Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente.” Dhe tani Fryma i Shenjtë sjell gjakun shlyes për të të ndihmuar. Ti e dallon që ky është argumenti i vetëm, përgjërimi i vetëm që mund të fitojë me Perëndinë. Ti e përdor – e paraqet me përgjërim – përleshesh me të. Perëndia e pranon, preket prej tij, dhe kështu ti bekohesh! Prandaj, lëre fuqinë jetëdhënëse të gjakut të të inkurajojë të kultivosh një zakon më të zellshëm përbashkësie me Perëndinë. Me frymën e lëshuar, me shkurajim dhe vështirësi, mund t’i afrohesh Madhështisë së Tij hyjnore, dhe të bisedosh me Të si me një Atë, duke e përqendruar syrin e besimit atje ku Ai ka kthyer syrin e Tij të kënaqur – mbi gjakun e Jezusit. Oh çfarë bekimi, çfarë fuqie, çfarë ndikimi të mahnitshëm që ka lutja!
Besimtar, ti ke kapur çelësin që hap çdo dhomë të zemrës së Perëndisë, kur besimi yt i ndruajtur kapet pas gjakut të besëlidhjes dhe e shpall atë në lutje me Perëndinë. Është e pamundur që pastaj Perëndia të të refuzojë. Zëri i gjakut të gjallë përgjërohet më fort për ty sesa të gjitha zërat e tjerë mund të flasin kundër teje. Prandaj kushtoju lutjes, kësaj “hajmalie” të shenjtë për pikëllimin, këtij “ndjellësi” hyjnor të shpresës.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!