10 Korrik – Octavius Winslow
“Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.” Hebrenjve 7:25
Çfarë dëshmie që është kjo për fuqinë dhe gatishmërinë e Krishit për të shpëtuar! Kjo është dëshmia e Frymës së Shenjtë për Birin e bekuar të Perëndisë. Por ai bën shumë më tepër se kaq. Ai e sjell këtë tregim me fuqi në shpirt. Ai e shkruan dëshminë në zemër. Ai e kthen vetë shpirtin besimtar në një dëshmi që “Krishti Jezus erdhi në botë të shpëtojë mëkatarët.”
Çfarë ungjilli që është ky për një mëkatar të mjerë! Ai flet për falje – për pranim – për paqe – për shpengim të plotë këtu dhe për lavdi të patregueshme më pas. Ungjilli shpall një Shpëtimtar për të humburin; një Shpengimtar për robin; një Garant për skamësin; një Mjek për të sëmurin; një Mik për nevojtarin; një Avokat për kriminelin; – gjithë sa ka nevojë një mëkatar zemërthyer, që ka shkatërruar veten, është mallkuar prej mëkatit, është dënuar prej ligjit dhe kërcënohet nga drejtësia sigurohet nga ky “ungjill i lavdishëm i Perëndisë së bekuar”.
Ungjilli i zbulon mëkatarit që ka rrënuar veten Një që është ndihma e tij, Osea 13:9. Atij që është akuzuar prej mëkatit i zbulon Atë që mund të largojë çdo mëkat, 1 Gjoin 1:7. Atij që është dënuar prej ligjit i zbulon Atë që shpëton nga çdo dënim, Romakëve 8:1. Atij që kërcënohet nga drejtësia i zbulon Atë që është vendstrehimi nga era, dhe mburoja në stuhi, Isaia 32:2. Zemërthyerit i zbulon Atë që lidh plagët dhe shëron, Isaia 61:1. Ky është Jezusi. Oh sa emër përherë i dashur, përherë i çmuar, përherë aromëmbël, përherë shërues për “shpirtin e mjerë”!
Çfarë dëshmie, pra, që është kjo që Fryma i Perëjetshëm jep për Jezusin! Ai e siguron besimtarin që gjithë sa mund të ketë nevojë është ruajtur në Krishtin – që nuk ka asnjë kryq të cilin Krishti të mos e mbajë – nuk ka asnjë brengë të cilën Krishti të mos ia lehtësojë – asnjë prishje të cilën Krishti nuk mund ta mposhë – asnjë faj të cilin Krishti nuk mund ta largojë – asnjë mëkat të cilin Krishti nuk mund ta falë – asnjë nevojë të cilën Krishti të mos e përmbushë. Ngrini kokat lart ju të mjerë, nevojtarë dhe të pangushëlluar! Ngrini kokat tuaja dhe ngazëlloni që Krishti është gjithçka për ty – gjithçka që ke nevojë në këtë luginë lotësh – gjithçka ke nevojë në pikëllimin më të thellë – gjithçka që ke nevojë nën mundimet më të rënda – gjithçka ke nevojë në sëmundje – gjithçka ke nevojë në momentin e vdekjes dhe në ditën e gjykimit. Po, dhe Krishti është në të gjitha.
Ai është në gjithë shpëtimin tuaj – Ai është në gjithë mëshirat tuaja – Ai është në gjithë sprovat tuaja – Ai është në gjithë ngushëllimet tuaja, dhe në të gjitha mundimet tuaja. Çfarë mund të kërkosh më tepër? Çfarë tjetër mund të dëshirosh? Një Atë që të do si bebzën e syrit të Tij – një Shpëtimtar të përsosour tek i cili mund të shkosh në çdo moment – dhe një Frymë të bekuar, ngushëllues dhe shenjtërues që banon brenda teje, për të të zbuluar gjithçka dhe për të të dhënë Veten, si “kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë.” “Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!