10 Tetor – Octavius Winslow

10 Tetor

“Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë.” 1 Pjetri 1:18-19

Çfarë motivi të fuqishëm që na jep kjo e vërtetë për një shenjtërim të përditshëm dhe pa rezerva të vetes tonë ndaj Zotit! Nëse nën besëlidhjen e vjetër enët apo rrobat që spërkateshin me gjak ishin të shenjta dhe solemne, sa më tepër është i tillë shpirti i cili është larë me gjakun e zemrës së Krishtit! Kur mbreti i Izraelit, në mes të betejës, dhe në agoninë e etjes, klithi për një pikë ujë dhe disa nga ushtarët e tij ia siguruan duke rrezikuar jetën e tyre, monarku fisnik që i druhej Perëndisë refuzoi ta pinte, për shkak se ky ishte çmimi i gjakut, por “e derdhi atë para Zotit.”

Ushtar i krishterë, nuk ishte thjesht duke rrezikuar jetën e tij, por shumë më tepër, duke e flijuar jetën e Tij që Zoti dhe Shpëtimtari yt e siguroi shpengimin tënd dhe i solli ujrat e shpëtimit, të freskëta dhe të kristalta nga froni i Perëndisë në buzët e tua. Ti je çmimi i gjakut! “Je blerë me njëçmim.” Prandaj, a nuk do ta përlëvdosh Perëndinë në shpirtin, trupin dhe pasuritë e tua të cilat i përkasin Atij? A nuk do ta derdhësh gjithçka para Zotit – ta paraqesësh atë si një fli të gjallë mbi altarin e mbuluar nga gjaku jetësor i vetë Birit të Perëndisë?

Nëse ka një parim jetësor dhe si rrjedhim të pavdekshëm në gjakun shlyes të Jezusit, atëherë do të vlejë për shpëtimin e kreut të mëkatarëve edhe në ditët më të vona. Epokat kanë pasuar njëra pas tjetër që nga çasti që u derdh ai gjak dhe miliona njerëz kanë shkuar në qiell për shkak të meritave të tij, e megjithatë ai është ende i efektshëm! Dëgjoji ti i penduar i përulur këto lajme të gëzueshme. Afroju gjakut të Jezusit, thjesht duke besuar në caktimin e tij hyjnor dhe në efikasitetin e tij sovran, kështu falja që ofron dhe paqja që jep do të jenë të tuat.

Shiko rrjedhën e shenjtë e cila rrjedh me po atë gjallëri, efikasitet dhe liri si edhe para dymijë vjetësh, kur e gjithë natyra u trondit nga pamja e gjakut që nisi të rridhte nga zemra e tejshpuar e Krijuesit të saj të Mishëruar dhe kur hajduti që po vdiste u la në atë gjak ndërsa u shpëtua! Jo, edhe më tepër se kaq; nëse virtyti i gjakut të Shpëtimtarit para se të derdhej arriti deri në kohën e Adamit dhe Abelit, sepse Ai ishte “Qengji që u therr që para themelimit të botës,” sigurisht që nga çasti që është ofruar do të vazhdojë të jetë i efektshëm përgjatë të gjitha cikleve të kohës deri në epokën më të largët dhe deri te mëkatari i fundit që mund të besojë.

Nëse Jezusi është “Prift përjetë,” merita e flijimit të Tij duhet të jetë e përjetshme, sepse Ai nuk mund të shërbejë si prift pa pasur një flijim. Dhe meqë ungjilli i Tij duhet t’u predikohet të gjitha kombeve, deri në fund të epokës, po ashtu edhe efikasiteti shpëtues i gjakut të Tij, mbi të cilën mbështetet ungjilli për fuqinë dhe suksesin e tij, duhet të jetë aq e jetëgjatë sa edhe koha.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*