12 Mars – Octavius Winslow
12 Mars
“Oh, më mirë unë të bija në duart e Zotit sepse është shumë i mëshirshëm, por të mos bija në duart e njerëzve!” 1 Kronikave 21:13
Mirë tha mbreti i Izraelit që po dridhej, kur me një besnikëri të butë profeti vendosi para tij zgjedhjet e të ligave që do t’i binin mbi krye për shkak të mëkatit të tij. Nga çdo pikëvështrimi që mund të shihet vendimi i tij e justifikon si urtësinë ashtu dhe shenjtërinë e tij. Ishte vendim i urtë: ai e dinte që Zoti ishte Perëndia i tij; dhe si i tillë, kishte kohë që e kishte bërë zakon të merrej vesh me Të përmes marrëveshjeve solemne dhe duke i besuar, kështu pra, nga njohuria dhe përjetimi ai ndjeu që tani në mënyrë të sigurt mund t’i zinte besë Atij. Ishte një vendim i shenjtë: ai e pa që Perëndia ishte shumë i drejtë në ndëshkimin e mëkatit, dhe duke iu nënshtruar me butësi atij ndëshkimi që i erdhi direkt nga Zoti, ai po binte dakord me paanësinë e qeverisjes hyjnore, dhe kështu po e lartësonte karakterin e “Gjykatësit të të gjithë tokë” si “shumë i drejtë.”
I drejtuar nga këto konsiderime, ai më mirë zgjodhi të binte në duart e Zotit, edhe pse ato ishin ngritur për të fshikulluar. Kush është ai që nuk e ka bërë këtë lutjen e vet, dhe ta ketë shqiptuar tek stoli i mëshirës? “Mëshirat më të buta të të ligjve janë katile,” por korrigjimet më të ashpra të Atit tonë janë dashuri. Të goditet nga Perëndia është pafundësisht më e mirë për besimtarin sesa të bekohet nga njeriu. Shpesh dashuria e krijesës mbart me vete një lak; dhe nderimi që vjen nga njeriu priret të ushqejë parimet e prishura të vetes tonë të shthurur. Por në përjetimin e fëmijës së Perëndisë, çfarëdo qoftë ajo që vjen direkt prej Zotit sjell me vete bekimin e saj të fshehur por shpesh të papërshkrueshëm. Oh sa të sigurt që jemi në duart e Zotit! Edhe pse mund të jetë i vrenjtur, ende e duam. Edhe pse fshikullon, ende mbahemi fort tek ai. Edhe pse na vret, ende mund t’i besojmë. “Do të bëj që të kaloni nën shufër dhe do t’ju kthej në detyrimet e besëlidhjes.” Me një siguri të tillë, mirëpriteni disiplinën që ju çon tek ajo. “Më mirë unë të bija në duart e Zotit sepse është shumë i mëshirshëm.”
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!