12 Nentor – Octavius Winslow
12 Nëntor
“Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.” Mateu 5:3
Mbi të gjitha tiparet frymërore kultivo me më tepër urgjencë, lutje, zell dhe dëshirë varfërinë e frymës. Mos u kënaq pa e arritur atë. Ky është fryti legjitim dhe prova e vetme e sigurt e bashkimit tonë me Krishtin dhe i faktit që Fryma banon në zemrat tona. Asnjë gjë nuk mund ta zëvendësojë atë. Talenti i shkëlqyer, dhuntitë e mëdha, njohuria e thellë, elokuenca e ndritur, madje edhe dobia e madhe janë zëvendësime të mjera për varfërinë e frymës. Ata mund ta ndriçojnë syrin, mund t’i pëlqejnë veshit, mund ta kënaqin shijen, dhe të ngjallin duartrokitjet e njeërzve, por, nëse nuk është e lidhur me përulësinë e mendjes, Perëndia nuk sheh lavdi në to.
Çfarë thotë Ai? “Mbi atë” – vetëm atë, atë në mënyrë ekskluzive – “që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime do të kthej shikimin tim.” Mund t’i vlerësojmë së tepërmi dhuntitë, por le të mësojmë vlerën e tyre të krahasueshme dhe vendin e tyre real nga fjalët e Zotit tonë, që u thanë në lidhje me Gjonin, “Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.” Shikojeni pozitën e vërtetë që Krishti i cakton dallimit të ofiqit, vendit dhe dhuntive – të nënshtruara ndaj përulësisë së shpirtit.
Kjo është renditja e duhur; dhe ai që i lartëson ato mbi përuljen e thellë të vetes, përulësisë së thellë të shpirtit, mëkaton kundër Perëndisë, hedh poshtë urtësinë e Tij, dhe mohon të vërtetën e fjalës së Tij. Por si ta përshkruajmë në mënyrë të mjaftueshme këtë gjendje të bekuar? Si ta pikturojmë portretin e njeriut i cili është “skamës dhe i përulur në shpirt”? Shikoje atë sikurse shfaqet në vlerësimin dhe gjykimin e vet – “kreu i mëkatarëve” – “më i vogli nga të gjithë shenjtorët” – “edhe pse unë jam një hiç.” Me fytyrë përtokë, kur të tjerët e lartësojnë; dënon veten, kur të tjerët e aprovojnë; mbyll gojën, kur të tjerët e duartrokasin; e përul veten, kur të tjerët i japin nderin më të lartë. Rrëfen në fshehtësi, dhe i shtrirë në pluhur para Perëndisë, mangësitë, papërsosmëritë dhe mëkatet e atyre gjërave që ia kishin verbuar sytë dhe i vetëdijshëm për dridhjen e shpirtrave të shumicës.
Shikoje atë në vendin që zë mes të tjerëve – ai zë pozitën më të ulët; parapëlqen të nderohen të tjerët; lan këmbët e dishepujve; është i gatshëm të shërbejë, në vend që t’i shërbejnë; gëzohet në dallimin, lartësimin, dhuntitë, dobinë dhe nderin që u jepet bashkë shentjorëve të tij; dhe vetë është i gatshëm të të ngjitet më lart kur e thërret Zotëria e tij. Shikoje atë nën dorën e Perëndië – zemërbutë, i duruar, i tërhequr, i përulur, pi nga kupa, bekon dorën që e ka goditur, i jep të drejtë urtësisë, dashurisë dhe butësisë që e karakterizojnë disiplinën dhe është i gatshëm të mësojë mësimet e shenjta që u dërgua t’i mësojë. Shikoje atë para kryqt – duke i dorëzuar të gjitha dhuntitë, arritjet, nderet e tij te këmbët e kryqit dhe mburret vetëm në faktin që kryqi i shpalos një Perëndi të shenjtë që fal mëkatin përmes vdekjes së Birit të Tij, dhe si instrumentin e shenjtë përmes të cilit ai kryqëzohet për botën dhe bota për të.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!