13 Korrik – Octavius Winslow

“Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj. Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.” Gjoni 17:4-5

Tani që vepra e tij po përfundohej, shlyerja e madhe po ofrohej, dhe shpëtimi i përjetshëm po sigurohej për të gjithë farën e besëlidhjes, ishte me vend që Biri i Perëndisë të kthehej sërish në lavdi. Qielli ishte vendi i tij origjinal dhe i duhur. Ai ishte shjesht i huaj dhe shtegëtar këtu. Tani që misioni i tij ishte përmbushur, toka nuk e tërhiqte më në gjirin e saj ashtu siç e tërhoqi dikur. Ai erdhi me gatishmëri drejt saj si fusha e mundimeve të Tij, si skena e poshtërimit të Tij dhe si teatri i konfliktit të Tij. Meqë tani e kishte luftuar betejën, e kishte korrur fitoren me të njëjtën gatishmëri u nis për t’u larguar nga të gjitha gjërat këtu poshtë.

Oh çfarë lidhjesh më të forta, çfarë tërheqjesh më të fuqishme se qielli kishte toka për Jezusin! Për Të gjithçka kishte qenë mundim, vuajtje, sprovë dhe pikëllim. Shtegëtimi i Tij kishte qenë i lodhshëm, jeta e Tij e mundimshme, çdo skenë e saj ishte poshtëruese, dhe çdo ndodhi e dhimbshme. Krijesat më të mira dhe më të dashura e kishin zhgënjyer Atë, burimet shumë premtuese të mirësisë së krijuar e kishin lënë në baltë, dhe ora e nevojës dhe mjerimit të Tij më të thellë e gjeti duke e shtypur rrushin i vetëm, i harruar nga njerëzit dhe i braktisur nga Perëndia! Nga çdo anë e kishte rrethuar një atmosferë mëkati; para syve të Tij kalonin çdo moment forma vuajtjeje dhe njollosjeje, dhe në çdo hap që hidhte veshi i kapte tinguj blasfemie dhe mjerimi. Në çdo moment që kalonte, Ai shihte që emri i Atit të tij çnderohej dhe Fryma e Tij trishtohej. Vetë dinjiteti i Tij u poshtërua, mësimi i Tij u përbuz, Ungjilli i Tij u mohua, dhe autoriteti i Tij u shkel me këmbë prej njerëzve që ishin betuar t’i qëndronin besnik një sovrani tjetër rival.

Prandaj, çfarë tërheqjesh më të mëdha, më të ëmbla dhe më të shenjta kishte toka nga qielli për Jezusin? Ringjallja e Tij prej së vdekuri ishte përgatitja e Tij për lavdi. Duke i lënë petkat e vdekshmërisë në një varr të braktisur, Ai mbështolli përreth Vetes mantelin e pavdekësisë dhe duke qenë gati priste thjesht sinjalin për t’u nisur për në qiell. Gjithë sa i kishte mbetuar tani për të përmbushur ishte që ta vërtetonte faktin e jetës së Tij të ringjallur, ta vendoste kishën e Tij në një pozitë për të marrë Frymën e premtuar, të jepte bekimin e Tij të largimit dhe pastaj të ngjitej në lavdi.

Qielli ishte shtëpia e Tij, të cilën e donte dhe për të cilën e kishte marrë malli! Sa të ëmbla ishin kujtimet e qiellit për të! Sa të shenjta dhe të përforcuara përmes kontrastit të tyre me skenën nga e cila tani po largohej! Atje nuk kishte mallkim, nuk kishte brengë, nuk kishte vuajtje, nuk kishte lot, nuk kishte poshtërim, që ta priste. Gjithçka ishte një qiell lavdie, gjithçka ishte një çadër lumturie! E ndritshme ishte pamja që shtrihej para Tij, të lehta flladet dhe e ëmbël muzika që vjen nga lëndinat dhe tendat e saj.

Por shumë më lart se gjithë lavdia e imazheve të shkëlqyera materiale ngrihej në madhështi frymërore dhe të pashoqe stoli, altari dhe froni mbi të cilat do të ulej Ai si Profet, Prift dhe Mbret. Ai mezi priste të zinte atë vend. Atë e priste një veshje më e përsosur me ato ofiqe dhe një themelim më i plotë i sundimit të Tij ndërmjetësues. I gjithë pushteti në qiell dhe në tokë do të vendosej në duart e Tij: dhe të gjitha gjërat do t’i nënshtroheshin Atij; të gjithë qeniet që nga engjëlli më i lartë në qiell deri te krijesa më e ulët në tokë, do ta pranonin qeverisjen e Tij, do t’i nënshtroheshin sovranitetit të Tij, do ta adhurojnë dhe “kurorëzojnë Atë Zot të të gjithëve.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*