16 Mars – Octavius Winslow

16 Mars

“Ai do të më përlëvdojë” Gjoni 16:14.

Ofiqi thelbësor dhe i rëndësishëm i Frymës është të përlëvdojë Krishtin. Si e përlëvdon Ai më tepër Krishtin, përveçse duke lartësuar veprën e Tij shlyese, duke i dhënë asaj përparësinë, rëndësinë dhe lavdinë që kërkon; duke e udhëhequr mëkatarin, të cilin më së pari e ka bindur për mëkat, që ta pranojë Jezusin si një Shpëtimtar të gatshëm dhe të gjithë-mjaftueshëm; për të hequr dorë nga gjithë besimi tek vetja, nga çdo mbështetje tek besëlidhja e veprave, e cila nuk është gjë tjetër veçse një besëlidhje vdekjeje, dhe kështu duke e braktisur krejtësisht veten e tij të gjejë prehje në gjakun dhe drejtësinë e Emanuelit, Ndërmjetësit Perëndi-njeri. Oh, çfarë kënaqësie e ëmbël dhe e shenjtë që duhet të jetë për Frymën e Perëndisë kur një mëkatar i mjerë, në gjithë skamjen e tij të ndërgjegjshme, udhëhiqet të ndërtojë mbi Jezusin, “gurin e sprovuar, gurin e çmuar të qoshes, themelin e sigurt!”

Prandaj, le ta imagjinojë lexuesi sa gjë brengosëse duhet të jetë për Frymën, kur në shpirt ka sadopak mbështetje tek veprat e tij, qoftë për pranim, apo për ngushëllim, për paqe apo për forcë, apo qoftë edhe për prova të gjendej së hirit, dhe kur shpirti nuk mbështetet plotësisht vetëm në veprën shlyese që Jezusi ka kryer për shpengimin e mëkatarëve. Vepra e Frymës dhe vepra e Krishtit, edhe pse janë pjesë të një tërësie të lavdishme, janë ende të dallueshme, dhe duhet të dallohen në ekonominë e hirit dhe në shpëtimin e mëkatarit. Është vetëm vepra e Jezusit, bindja e Tij e përsosur ndaj ligjit të shkelur të Perëndisë, dhe vdekja e Tij sakrifikuese si përmbushje e drejtësisë hyjnore, ajo që formon bazën e pranimit të një mëkatari me Perëndinë – vetëm ky është burimi i faljes, drejtësimit dhe paqes. Vepra e Frymës nuk është që të bëjë shlyerje, por që të zbulojë shlyerjen; jo që të bindet, por që të bëjë të njohur bindjen; jo që të falë dhe drejtësojë, por që ta bëjë shpirtin e bindur, të zgjuar dhe të penduar të pranojë faljen, dhe të përqafojë drejtësimin që tashmë është siguruar në veprën e Jezusit. Nëse ka ndonjë ngatërrim të veprës së Frymës me veprën e Krishtit – ndonjë mbështetje jo të duhur dhe të pabazë mbi punën brenda, në vend të punës jashtë besimarit, kështu e çnderojmë Krishtin, dhe si rrjedhim e trishtojmë Frymën e Shenjtë të Perëndisë. Nuk mund të jetë e pëlqyeshme për Frymën që Ai të bëhet zëvendësim për Krishtin; e megjithatë ky është mëkati në të cilin po bien vazhdimisht shumë njerëz. Nëse kërkoj bindje për mëkatin brenda meje, ndaj çfarëdo lëvizjeje të Frymës brenda banues, ndaj çdo pjese të punës së Tij, si burimin e ligjshëm të shërimit, ngushëllimit apo provës, ia kam kthyer shpinën Krishtit. I kam larguar sytë nga kryqi, dhe kështu e kam përçmuar veprën e tij madhështore të shlyerjes; e kam bërë Frymën Krisht! E kam bërë Frymën e Shenjtë Shpëtimtar! E konvertoj punën e Tij në një punë shlyerjeje dhe e marr provën e ngushëllimit të faljes dhe pranimit tim nga ajo që Ai ka bërë, dhe jo nga ajo që Jezusi ka bërë! Oh, sërish pyesim, a nuk është kjo çnderuese për Krishtin, dhe diçka që e brengos Frymën e Shenjtë të Perëndisë? Mos mendoni që e nënvlerësojmë veprën e Frymës – ajo është madhështore dhe e çmuar. Kur e shohim si Ringjallës – si Banues – si Shenjtërues – si Dëshmitar – si Ngushëllues – si Autorin e lutjes – nuk është e mundur që ta duam personin e Tij me një dashuri tepër të zjarrtë, dhe nuk ekziston mundësia që veprën e tij ta çmojmë më tepër se duhet; por dashuria që i japim Atij, nderi që i tregojmë Atij nuk duhet të jetë në kurriz të nderit, lavdisë dhe dashurisë që i takon Zotit Jezu Krisht, duke qenë se vetë shërbesa dhe kënaqësia e Frymës së Shenjtë që ta përlëvdojë Krishtin. Kurora e shpengimit duhet vendosur mbi kryet e Jezusit; vetëm Ai është i denjë që ta mbajë – vetëm Ai ka të drejtën që ta mbajë. “Ti na shpengove me gjakun tënd,” është kënga që të shpenguarit këndojnë në lavdi; dhe “Ti do ta mbash kurorën,” duhet të jetë kënga që jehon nga të shpenguarit mbi dhe.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*