16 Tetor – Octavius Winslow
16 Tetor
“Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.” Psalmi 66:18
Vrasja e vërtetë e mëkatit që banon brenda dhe braktisja e plotë e shkakut të njohur të dobësimit të zemrës, çfarëdo që të dalë se është, përbën elementet e vërteta të ripërtëritjes së një besimtari në gëzimet e shpëtimit të Perëndisë. Nuk mund të ketë një rizgjim të vërtetë, frymëror dhe të qëndrueshëm të hirit për aq kohë sa mëkati i fshehur mbetet i pazbuluar dhe i pa vrarë në zemër. Vrasja e vërtetë dhe frymërore e mëkatit nuk është punë sipërfaqësore: nuk ka të bëjë thjesht me prerjen e lastarëve të tharë që varen aty-këtu nëpër degë; nuk është thjesht këputja e mëkateve të jashtme dhe një kryerje e jashtme e detyrave frymërore; ajo në thelb përfshin shumë më tepër se kaq: është një goditje e sëpatës mbi rrënjën e mëkatit brenda besimtarit; nuk synon asgjë më pak se nënshtrimin e plotë të parimit të mëkatit dhe derisa të bëhet kjo gjë nuk mund të ketë një kthim të vërtetë të zemrës te Perëndia.
Lexues i krishterë, cili është shkaku i dobësimit të fshehtë të shpirtit tënd? Çfarë është duke e konsumuar bimën e hirit në këtë çast, çfarë po ia prish gjallërinë, bukurinë dhe frytshmërinë? Mos është ndonjë lidhje e papërshtatshme me krijesën? Vrite! A është dashuria për veten? Vrite! A është dashuria për botën? Vrite! Mos është ndonjë zakon i fshehtë mëkatar që ke lejuar? Vrit edhe atë! Duhet vrarë si dega ashtu edhe rrënja, nëse dëshiron të përjetosh një kthim të plotë te Perëndia. Edhe pse mund të jetë gjë e dashur si dora jote e djathtë, apo si syri yt i djathtë, por nëse hyn mes shpirtit tënd dhe Perëndisë, nëse e kryqëzon Krishtin në ty, nëse ta dobëson besimin, nëse ta dobëson hirin, nëse ta shkatërron perëndishmërinë e shpirtit, nëse ta bën shpirtin shterp dhe të pafrytshëm, mos u kënaq derisa ta kesh ekzekutuar plotësisht. Kjo vepër e madhe nuk duhet të merret përsipër në forcën tënde. Ky është më së pari rezultat i punës së Perëndisë, Frymë e Shenjtë i cili bekon përpjekjet e besimtarit: “nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni.”
Këtu vihet në pah përpjekja e besimtarit në lidhje me fuqinë e Frymës së Shenjtë: “Nëse (ju besimtarë, ju shenjtorë të Perëndisë) “me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit.” Kjo është puna e vetë besimtarit, por fuqia është e Frymës së Perëndisë. Prandaj, çoje mëkatin tënd të zbuluar te Fryma: ai Frymë që e sjell kryqin e Jezusit me fuqi kryqëzuese dhe vrasëse në shpirtin tënd, duke të dhënë një pamje të veçantë të vuajtjes së Shpëtimtarit për mëkatin, të cilën ndoshta nuk e ke pasur kurrë më parë, në një çast ka për ta rrëzuar armikun para këmbëve të tua.
Oh, mos iu dorëzo dëshpërimit o shpirt i shqetësuar! A po dëshiron fort një rizgjim të hirshëm të punës së Perëndisë brena teje? A po vajzon në fshehtësi për dobësimin e zemrës tënde? A ke kërkuar dhe a e ke gjetur shkakun e fshehtë të dobësimit tënd? A ke një dëshirë të vërtetë për vrasjen e atij shkaku për mëkat? Atëherë shiko lart, dhe dëgjo fjalët ngushëlluese të Zotit tënd: “Unë jam Zoti që të shëron.” Zoti ësht ëshëruesi yt; dashuria e Tij mund të të ripërtërijë, gjaku i Tij mund të të shërojë, hiri i Tij mund ta nënshtrojë mëkatin tënd.
“Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: “Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë,” dhe Zoti do të përgjigjet, “Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua shumë, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!