18 Korrik – Octavius Winslow
“Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.” Romakëve 8:5
Me këtë të vërtetë le të testojmë realitetin e rrëfimit tonë fetar. Nën këtë dritë le të shqyrtojmë nga afër karakterin dhe ecjen tonë të krishterë. Lexues, cila është prirja e zakonshme dhe supreme e mendjes tëne? A është një prirje frymërore, apo një prirje mishore? Gjyko përgatitjen tënde për vdekjen duke parë nga afër seriozitetin e saj ndërsa afrohet. Vendos për gjendjen tënde në përjetësi ndërsa hijet afrohen me të shpejtë. Vlerësoje gjendjen tënde reale para gjykimit në arritjen e sigurt të zhbirimit të tij të frikshëm. Mendja jote ose është e fokusuar mbi gjërat e mishit ose mbi gjërat e Frymës. Ose ke lindur prej së larti, ose je duke u zhgërryer në gjërat këtu poshtë. Ose je i shenjtë ose je i pashenjtë. Ose je me Zotin ose je kundër Tij. Je ose skllavi i Satanit ose i liruari i Zotit. Cili nga të dy?
Ti mund të pyesësh, “Si mund ta di që i takoj Frymës?” Përgjigja është – përmes prodhimit të frytit të Frymës. Një zemër e thyer për mëkatin – një bindje e fortë për plagën e fshehur – një frymë e përulur dhe e penduar – një mohim total i drejtësisë njerëzore – një pranim i thjeshtë dhe me besim i Zotit Jezus – dhe një dëshirë për t’u përshtatur me jetën hyjnore, këto janë provat e një gjendjeje të ripëtërirë dhe të shenjtëruar. Nëse këto janë tuajat në çfarëdo mase, atëherë ju jeni të Frymës.
Por mos qëndroni këtu. Nxituni për të ecur në Frymë. Mos u kënaqni thjesht që pyetja të marrë përgjigje në favorin tuaj – thjesht duke ditur që keni kaluar kufirin që ndan të rilindurit nga të parilindurit – vdekjen nga jeta. Mos qëndro aty ku je – ec përpara. Mos ji i kënaqur me një standard të ulët. Mos e krahaso kishën tënde me kishat e tjera, as veten tënde me të krishterë të tjerë; dhe mos u mat me veten tënde. Por fokusoji sytë mbi Krishtin; imito shembullin e Tij, përvetëso mendjen e Tij, dhe vendose veten tënde nën qeverisjen e Frymës së Tij. Përpiqu të shkosh përpara!
Përpiqu të jesh gjithmonë duke mbjellë për Frymën. Ji i kënaqur me mënyrën se si Zoti të trajton. Studio artin hyjnor të kënaqësisë. Ji i bindur që ajo që Zoti cakton është më e mira. Mos i lakmo të mirat tokësore; dhe ashtu si ka këshilluar dhe një teolog i vjetër, “lundro me një fllad të lehtë.” Ji i përulur. Sekreti i madh i jetës së lumtur dhe të shenjtë përmblidhet në një frazë të shkurtër – të ecësh me përulësi me Perëndinë. Në të gjitha dështimet në detë, në të gjitha mangësitë në praktikë, në të gjitha marrëdhëniet me Perëndinë dhe në të gjitha marrëdhëniet me njeriun – ndërsa kujtoni të gjitha shenjat e panumërta të papërsosmërive dhe mëkatit të cilat gjenden mbi gjithçka që bëni – merruni shpesh dhe nga afër me gjakun shlyes. “Lahu dhe ji i pastër.”
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!