19 Dhjetor – Octavius Winslow

19 Dhjetor

“Por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njëri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.” 1 Gjoni 1:7

Jezusi jo vetëm që është jeta reale, por Ai është edhe jeta relative e besimtarit – jeta e faljes dhe pranimit të tij. Shikojeni këtë gjë në lidhje me gjakun e Emanuelit. Ky është gjaku i Atij që ishte vetë jeta. Edhe pse doli nga njerëzit e Tij e pastër, jeta thelbësore i dha atij gjaku gjithë virtytin dhe fuqinë e vet. Ringjallja e Jezusit e konfirmoi përgjithmonë vlerën e pafundme dhe efektshmërinë sovrane të gjakut të Tij shlyes. Oh çfarë virtyti që ka ai gjak tani, gjaku që rrjedh nga jeta e Jezusit! Ai gjak e ka larguar shkeljen në një distancë të pafundme dhe përgjithmonë nga Kisha. I larë dhe i bërë më i bardhë se bora, i falur nga të gjitha paudhësitë, me mëkatin e hequr tej, besimtari tani qëndron para Perëndisë si një shpirt i falur. Oh çfarë jete që gjen ai në pastrimin e vazhdueshëm të ndërgjegjes së tij në gjakun e shlyerjes! Një pikë e këtij gjaku dhe shiko se çfarë paqeje që jep! Çfarë sigurie që frymëzon! Çfarë gjallërie që i jep besimit dhe çfarë fuqie i jep lutjes, çfarë gëzimi që i jep bindjes! Ky është një gjak i gjallë.

Ai që e derdhi këtë gjak jeton për të ndërmjetësuar, jeton për ta ushtruar efektin eij, jeton që ta ruajë virtytin e tij, derisa të mos ketë më mëkate për të falur, dhe mëkatarë për të shpëtuar. “Gjaku i Jezu Krishtit na pastron nga çdo mëkat,” dhe “flet më mirë se gjaku i Abelit,” për shkak se ky gjak zotëron një jetë të pavdekshme. Shiko pra, shumë i dashur, se në çmënyrë të qartë Jezusi është jeta e faljes tënde! Oh, ky gjak është po aq i freskët, po aq i efektshëm, po aq i çmuar në këtë çast sa ishte edhe kur u derdh i ngrohtë dhe me vrull nga ija e tejshpuar e Shpengimtarit të lavdishëm. Ky është një gjak që jep jetë dhe që ushqen jetë. Këtu shohim antitipin e “gjakut të gjallë i cili zhytej në gjakun e zogut të vrarë,” dhe pastaj lihej i lirë, i varur mes qiellit dhe tokës mbi krahët e një jetë të gëzueshme dhe pa kufij. Ashtu si gjaku i gjallë mbartte mbi pendët e tij simbolin e kuqërremtë të shlyerjes – duke pasur vdekjen dhe jetën të përzjera në një mënyrë kaq të habitshme – cila ishte e vërteta e madhe e ungjillit që portretizoi kjo gjë, veçse bashkimi i ngushtë dhe i pandashëm i gjakut falës me jetën e ringjallur të Perëndisë tonë të mishëruar?

Besimtar, mos lejo të të shpëtojë domethënia e thellë e “ujit të rrjedhshëm” mbi zogun që u vra. Ai ujë i rrjedhshëm ishte imazhi i jetës së përherëshme të gjakut të Jezusit. Kjo rrjedhë të bën thirrje me një gjumë tepër të gjallë për të mos u keqkuptuar, dhe tepër bindëse për t’i rezistuar, afrohu dhe lahu. Ç’të vërtetë të lavdishme që na mëson! Ç’privilegj të çmuar që na përforcon! Rrjedha e vazhdueshme dhe e përhershme e gjakut shlyes, jetëdhënës, jetëushqyes të Emanuelit e cila e mban të pastër ndërgjegjen dhe në paqe me Perëndinë.

Lexues i dashur, asnjë e vërtetë tjetër praktike dhe jetësore nuk lidhet më ngushtë me ecjen tënde të lumtur dhe të shenjtë se kjo. Paqja e mendjes tënde, besimi yt në Perëndinë, etja jote për shenjtëri, afrimiteti yt prej fëmije, mbështetja jote në sprovat më të thella, burojnë nga prehja e vazhdueshme e shpirtit tënd poshtë këmbëve të kryqit. Cila është situata jote e tanishme? Cili është mëkati që po e lëndon shpirtin tënd? Cili është faji që e rëndon ndërgjegjen tënde? Cili është vajtimi që ta ka rënduar zemrën? Cila është frika dhe dridhja që ta shqetson mendjen? Çfarë të shkakton ditë dhe netë plot ankth?

Shikoje atë rrjedh! Rrjedhën e kuqe që gurgullon, ajo është rrjedha jetëdhënëse me gjakun e gjallë të Jezusit. Shko tek ajo rrjedhë me besim. Shko tani – shko në këtë çast. A ke shkuar atje më parë? Shko sërish. A je larë në të më parë? Lahu në të sërish. Ja, ajo është një “rrjedhë e vazhdueshme.”

Hidhe mëkatin tënd, hidhe fajin, barrë dhe pikëllimin tënd në atë rrjedhë; ajo ka për ta çuar larg dhe nuk ke për t’i parë më kurrë. Qëndroi pranë atij gjaku shlyes dhe jetëdhënës! Kur zgjohesh në mëngjes dhe kur shkon të flesh në mbrëmje, lahu në atë gjak. Kur shkon në punë dhe kur kthehesh nga puna, lahu në atë gjak. Kur të kesh lëshuar psherëtimën më të thellë, kur të kesh derdhur lotin më të shenjtë, kur të kesh bërë rrëfimin më përulës që është bërë ndonjëherë, kur të kesh marrë vendimin tënd më të sinqertë, kur të kesh bërë ripërtëritjen më solemne të besëlidhjeës, kur trupi, shpirti dhe fryma të jenë përkushtuar sërish në mënyrë të plotë, të lirë dhe pa rezerva – lahu në atë gjak. Kur i afrohesh të Shenjtit Zotit Perëndi, dhe e parashtron çështjen tënde para Tij, përgjërohu për atë gjak. Kur Satani të akuzon, kur ndërgjegja të dënon, kur vdekja të tmerron, dhe gjykimi të alarmon, turru tek ai gjak. Oh, asgjë tjetër përveç gjakut të Qengjit të panjollë nuk të jep asnjëherë pranimin para Perëndisë. Por ky gjak do të ta hapë udhën në çdo çast për të hyrë në dhomën e fshehtë të pranisë së Tij, ky gjak do të bëjë që veshi dhe zemra e Tij të përkulen për të dëgjuar edhe pëshpëritjen më të dobët dhe nevojën tënde më të thellë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*