19 Gusht – Octavius Winslow

“Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.” ‭Galatasve‬ ‭2:20‬

Jeta frymërore qëndron mbi natyrën njerëzore dhe si rrjedhim gjithë fuqia e natyrës nuk mund ta frymëzojë atë. E pranojmë që natyra mund t’i imitojë fort disa prej karakteristikave të saj, por natyra nuk mund ta krijojë dot cilësinë thelbësore apo parimin e kësaj jete. Natyra mund të prodhojë një ngjashmëri të besimit, si në rastin e Simon Magjistarit; një ngjashmëri të pendimit, si në rastin e Judës; një ngjashmëri të dëgjimit të fjalës me gëzim, si në rastin e Herodit. Ajo madje mund të duket se po shijon dhuratën qiellore dhe të ndiejë fuqitë e botës që po vjen. Natyra njerëzore mund ta bëjë të gjithën këtë, madje edhe më tepër, dhe ende të mbetet natyrë njerëzore.

Këtu mbaron fuqia e saj. Ka diçka të cilën ajo nuk mund ta bëjë dot. Nuk mund ta falsifikojë brenda banimin e Krishtit në shpirtin e mëkatarit. Nuk mund ta aftësojë dot një njeri të thotë, “Jetoj, dhe Krishti rron në mua.” Kjo e tejkalon në mënyrë të pafundme edhe fuqinë më të pushtetshme. Prandaj, jeta frymërore nuk buron prej natyrës njerëzore, dhe si rrjedhim nuk prodhohet nga shkaqe apo mjete. Ajo është nga Perëndia. Është Ai që e thërret këtë krijim të ri në ekzistencë, Ai i pikturon mrekullitë e saj, Ai i përflak lavditë e saj dhe hukat mbi të frymën e jetës. Kjo është jeta e Perëndisë në shpirtin e njeriut.

Prandaj i krishteri i vërtetë është dikush që mund ta përqafojë gjuhën e fortë dhe të gjallë të Palit; “Rroj.” Duke i theksuar fjalët ai mund të shpallë, “Rroj; si një shpirt i gjallëruar. Rroj; si një shpirt i rilindur. Rroj; si një mëkatar i falur. Rroj; si një mëkatar i drejtësuar. Rroj; si një fëmijë i birësuar. Rroj; si një trashëgimtar i lavdisë. Rroj; dhe nuk kam jetuar kurrë më parë! Gjithë ekzistenca ime deri tani ka qenë thjesht në formë. Nuk kam jetuar kurrë me të vërtetë, deri sa vdiqa! Jetova, nëse mund të quhet jete, për botën, për mëkatin, për krijesën, për veten; por nuk jetova kurrë prej Krishtit, dhe nuk jetova kurrë për Perëndinë.”

Oh sa e vërtetë e jashtëzakonshme! Çfarë mendimi solemn që një shpirt të kalojë në përjetësi pa e arritur synimin e madh të krijimit të tij; pa jetuar kurrë me të vërtetë! Me çfarë ndjenjash, me çfarë emocionesh, me çfarë përgjërimi do ta takojë ai shpirt Perëndinë që e krijoi? Ai Perëndi do t’i thotë, “unë të krijova për veten time, për lavdinë time. Të mbusha me dhurata, të fisnikërova me aftësi, të vesha me fuqi pak më të ulëta se të miat. Të dërgova në botë që t’i shumëfishosh ato dhurata, t’i vësh në veprim ato aftësi, t’i ushtrosh ato fuqi për lavdinë time dhe me synimin që të kënaqesh në mua përjetë. Por ti i gropose ato dhurata, abuzove me ato aftësi, i harxhove ato fuqi dhe jetove për veten dhe jo për mua; dhe tani do të vazhdosh të jetosh në përjetësi për veten tënde i dëbuar nga prania ime.”

Eja nga të katër cepat e dheut o frymë e Perëndisë së gjallë dhe fry mbi të vdekurit që ata të mund të jetojnë! Largoje nga lexuesi një shkatërrim kaq të madh dhe një katastrofë kaq të frikshme! Mos lejo që asnjëri nga ata që i lexon këto fjalë të vazhdojë të jetojë për veten e vet, por nga ky moment e në përjetësi jetofshin për ty o Shpëtimtari i hirshëm; qoftë vendimi i tyre solemn dhe motoja e tyre sublime “Për mua të jetuarit është Krishti.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*