2 Dhjetor – Octavius Winslow
2 Dhjetor
“Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.” Psalmi 41:3
Çfarë pamje që na jep kjo shprehje prekëse për konsiderimin e Atit tonë qiellor – i cili përkulet pranë shtratit të fëmijës së tij të sëmurë – duke ia lehtësuar sëmundjen me njëmijë mirësi pa emër – ia lehtëson vuajtjen dhe dhimbjen. Dëshiron ta njohësh butësinë e ëmbël të Zotit ndaj popullit të Tij? Shko në dhomën e sëmundjes së aij që Ai e do! Dhjetëmijë libra nuk do të ta mësojnë atë që do të ta mësojë ajo vizitë e vetme. Dëgjo dëshminë e të përvuajturit të dobësuar – “Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon.”
Çfarë mund të dëshirojmë më tepër? Çfarë dëshmie më të fortë kërkojmë? Çfarë! Është Jezusi këtu? A është prehëri i tij i dashur jastëku dhe krahu i Tij mbështetja për pacientin e sëmurë? A është Krishti mjeku dhe infermieri? A është vendosur gishti i Tij mbi pulsin që regëtin, a e kontrollon dora e Tij temperaturën, a e rregullon jastëkun dhe shtratin e sëmundjes? Kështu është. Oh çfarë lavdie që rrezaton përreth të sëmurit të cilin Jezusi e do! Shikojeni këtë edhe në hirin të cilin Ai ia jep të sëmurit të lënguar. Stina e sëmundjes është një stinë hiri të bollshëm dhe të veçantë në jetën e krishterë. Shumë fëmijë të Perëndisë e njihnin në mënyrë të dobët birësimin e tyre dhe interesimin e tyre për Krishtin në mënyrë të papërsosur deri në këtë çast. Krishterimi i tyre ishte gjithnjë i pasigurt, provat e tij të mjegullta, dhe shpirti i tij i pashëndetshëm.
Ndoshta duke jetuar në trazirën e botës laike apo në mes të ngazëllimit të botës fetare, ai kishte fare pak përbashkësi me zemrën e tij apo njohje me zemrën e Perëndisë. Asnjë sasi kohe nuk u hoq nga përfshirjet e tjera që t’i kushtohej qëllimeve të larta dhe të shenjtëruara të vetë-shqyrtimit, meditimit, leximit dhe lutjes – elemente të cilat prekin thelbin dhe thellësinë e përparimit të jetës së Perëndisë në shpirtin e njeriut. Por pastaj erdhi sëmundja dhe bashkë me të erdhën disa prej bekimeve më të kushtueshme dhe më të shenjta në jetën e tij. Ju dha një masë hiri e përshtatshme për të gjitha synimet e shenjta dhe të bekuara. Sa shumë që rrezaton tani ajo dhomë e sëmundjes me lavdinë e hirit Hyjnor!
Këtë e shohim në frymën dhe sjelljen e atij të përvuajturi të zbehur dhe të lënguar. Shikoni durimin me të cilin ai e zotëron shpirtin e tij; zelli me të cilin e puth thuprën; zemërbutësia me të cilën përkulet para goditjes; nënshtrimi, zbutja dhe përulja e shpirtit të tij, i cili dikur ndoshta ishte krenar, i shqetësuar dhe i ndjeshëm ndaj vuajtjes. Sa ngadalë që kalojnë këto ditë lodhjeje dhe dhimbjeje, këto netë pa gjumë dhe të lodhshme! E megjithatë nuk dëgjon asnjë psherëtimë padurimi, asnjë murmuritje, asnjë shprehje mungese nënshtrimi nuk del nga buzët që dridhen. Kjo nuk është e natyrshme – kjo është e mbi natyrshme. Çfarë mund ta shkaktojë këtë lloj reagimi përveçse hirit Hyjnor? Oh sa shumë që përlëvdohet Biri i Perëndisë në plotësinë e Tij të hirit dhe të vërtetës!
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!