2 Gusht – Octavius Winslow

“Jeni të gjithë pjesëtarë me mua të hirit.” Filipianëve‬ ‭1:7‬

Është shumë e vërtetë që hiri të cilin Perëndia e vendos mbi një pastor të krishterë përjetohet nga e gjithë tufa e besimtarëve për të cilët kujdeset. Ata marrin pjesë në atë që i përket atij. Gjithë hiri me të cilin është pasuruar ai – të gjitha dhuntitë që i janë dhënë atij – të gjitha arritjet që ka kapur ai – të gjitha pikëllimet që i kanë rënë – të gjitha ngushëllimet me të cilat është qetësuar – e gjithë forca me të cilën është ngritur lart – të gjitha nderet dhe emri i mirë me të cilin është zbukuruar – i përkasin njëlloj kishës mbi të cilën Perëndia e ka vendosur mbikëqyrës. Në marrëdhënien pastorale ka një komunitet interesi. Ai e mban atë hir, ushtron ato dhunti, jo thjesht për llogari të shenjtërisë dhe lumturisë së tij personale, por duke pasur parasysh shenjtërinë dhe lumturinë tuaj.

Ju jeni pjesëmarrës bashkë me të. Ju pasuroheni nga “bollëku” i tij, ose varfëroheni nga “skamja” e tij. Masa e hirit të tij do të matet nga hiri juaj; sasia e inteligjencës së tij do të matet nga shtrirja e inteligjencës tuaj. Ndërsa ai mësohet dhe bekohet prej Krishtit, kështu do të ndodhë edhe me ju. Lavdia që ai e mbledh në bashkësi me Perëndinë do t’ju ndriçojë ju; hiri që ai merr nga Jezusi do t’ju shenjtërojë ju; pasuria që ai mbledh nga studimi i Biblës do t’ju pasurojë ju. Kështu, në të gjitha gjërat ju jeni “pjesëtarë të hirit të tij.” Prandaj, sa e rëndësishme është që në të gjitha rastet ai të jetë pjesëtar i lutjeve tuaja! Kështu interesat tuaja më të mira janë përgjërimet e tij më të forta. Dobia që do të keni prej tij do jetë në raport me lutjet tuaja për të.

Pjesa më e madhe e mungesës së frytit në dëgjimin e fjalës mund të gjurmohet te ky fakt, neglizhimi i kësaj detyre të rëndësishme. Ndoshta keni qenë të prirur për t’u tërhequr nga shtëpia e Perëndisë duke u ankuar për doktrinën, duke e kundërshtuar predikimin me një frymë kriticizmi grindavec, duke gjykuar temën apo mënyrën e predikuesit, dhe duke u ankuar me hidhësi për padobinë e predikimit. Me një besnikëri shumë të butë po ia bëjmë këtë pyetje ndërgjegjes tuaj, “Sa shumë luteni për predikuesin tuaj?” Ka shumë të ngjarë që këtu të jetë sekreti i kësaj ligësie të madhe për të cilën vajtojmë.

Ju u jeni ankuar të tjerëve për predikuesin tuaj (mjerisht e keni bërë këtë shpesh dhe me hidhësi për turpin tuaj); ai i jeni ankuar Zotit për të? A nuk keni reflektuar kurrë seriozisht sa shumë të lidhura mund të jenë mangësia në predikim, për të cilin ankoheni, me mangësinë tuaj në dhomëzën e lutjes, për të cilën nuk keni qenë të vetëdijshëm?

Ju e keni frenuar lutjen për llogari të pastorit tuaj. Keni neglizhuar të kujtojni në ndërmjetësim të veçantë dhe të zjarrtë para Zotit, instrumentin nga i cili varet kaq shumë përparimi juaj në jetën e perëndishme. E keni parë atë si një kanal të hirit, por keni dështuar të kërkoni nga duart e Jezusit atë hir për të cilin pastori është kanali. Keni pritur për udhëzime dhe ngushëllim nga shërbesa e tij por keni neglizhuar të përgjëroheni që atij t’’i jepet ai mësim dhe ajo vajosje, të cilat janë mjetet e vetme përmes të të cilave mund t’ju themelojë në të vërtetën apo t’ju ngushëllojë në pikëllim.

Ndoshta keni vënë re një varfëri në mendime, dhe keni qenë të vetëdijshëm për një mungesë fuqie në shërbesën e tij; por nuk e keni lidhur këtë pjesërisht me varfërinë dhe mungesën tuaj të frymës dhe zakonit të lutjes për llogari të tij. Jeni habitur dhe keni vajtuar për mungesën e dhembshurisë, ndjenjës dhe butësisë në ushtrimin e detyrave të tij pastorale, por keni harruar të kuptoni përgjegjësitë e larta, ankthet e forta, përfshirjet hutuese të cilat janë të pandashme nga ofiqi që përmbush pastori juaj, dhe të cilat mund t’i përjetojë fort, shpesh “u rënduam përtej fuqive tona, aq sa u dëshpëruar edhe për jetën vetë.”

Kështu, në një shkallë të madhe shkaku i një dëgjimi pa dobi të fjalës mund të gjendet më pranë vetes nga sa kemi menduar. Ka pasur një ndërprerje të lutjes dhe dhembshurisë në këtë çështje.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*