22 Tetor – Octavius Winslow

22 Tetor

“Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” Gjoni 20:29

Rrethanat e ringjalljes së Shpëtimtarit ishin në përputhje me madhështinë e saj solemne dhe unike. Asnjë dëshmitar njerëzor nuk kishte privilegjin ta shikonte. Bashkimi i mistershëm i shpirtit njerëzor me trupin e Krishtit ishte një ngjarje e jashtëzakonshme të cilën nuk u lejua ta sodiste asnjë sy i vdekshëm. Në ringjalljen e Krishtit ka një madhështi morale të padukshme me një karakter të jashtëzakonshëm. Ky fakt nuk është diçka me të cilën ka të bëjë aq shumë shqisa sa ka besimi. Fakti që asnjë sy njerëzor nuk u lejua ta dëshmonte këtë ngjarje marramendëse nuk ka dyshim që kishte për qëllim t’i mësonte njeriut se kjo e vërtetë kishte të bënte më tepër më kuptimin frymëror se sa me atë mishor.

Cili sy përveç atij të besimit mund ta shihte Ngadhënjimtarin e shquar të dilte në dritë pasi i kishte lidhur me një zinxhir të pakëputshëm ferrin, vdekjen dhe varrin? Cili parim përveç parimit të pushtetshëm dhe frymëror të besimit mund të hynte në mendjen e zbuluar të Perëndisë, të kuptonte planin e Shpëtimtarit dhe të interpretonte misterin sublim të kësaj ndodhie madhështore? Prandaj, ishte me vend, jo ishte e denjë për Perëndinë dhe në harmoni me karakterin dhe planin e ringjalljes së Zotit tonë që një vel ta mbulonte përmbushjen e saj aktuale nga sytë e Kishës së Tij; që prova e madhe që do të kishin për të vërtetën e faktit të ishte fuqia e ringjalljes së tij të cilën do ta ndjenin dhe përjetonin në shpirtin e tyre.

Oh po! E vetmja fuqi e ringjalljes së Shpëtimtarit të cilën dëshirojmë ta njohim është ajo që vjen tek ne përmes energjisë së një besimi që sheh gjithçka, që mposht gjithçka dhe që beson gjithçka. Ma jep këtë në vend që të kisha dëshmuar me këta sy shërbëtorët qiellorë që u mblodhën rreth varrit – rrokullisjen e gurit në hyrje të tij – hapjen e vulës – daljen prej tij të Birit të Perëndisë duke mbajtur në duart e Tij shenjat dhe simbolet e fitores së Tij. Frymërorja e tejkalon në mënyrë të jashtëzakonshme mishoren – syri i besimit është shumë më tepër i lavdishëm se syri i shqisës, atë Vetë Zoti ynë e ka shenjtëruar dhe e ka vulosur me bekimin e Tij të çmuar – “Jezusi i tha: ‘Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!’”

Jezus i bekuar, me besim do të të ndjek Ty çdo hap të udhëtimit Tënd përmes kësaj lugine lotësh; në besim do të vizitoj grazhdin, kryqin dhe varrin; sepse mbi gjithçka tjetër Ti e ke shpallur të lumtur atë që, edhe pse nuk ka parë, megjithatë ka besuar në Të. “Zot, unë besoj: ndihmo mosbesimin tim.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*