23 Qershor – Octavius Winslow

“Që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij.” ‭‭Filipianëve‬ ‭3:10‬

Ne jemi tepër të vetëdijshëm ndaj prirjes për poshtë të zemrave tona. Kemi nevojë për një parim të kundërt – diçka që do t’i kundërvihet ndikimit të fuqishëm të një bote të paperëndishme. Ku do ta gjejmë këtë parim? Përgjigja është, në fuqinë e ringjalljes së Krishtit, e cila duhet ndjerë, kuptuar dhe përjetuar në shpirt. Ky është argumenti i Palit: “Ju jeni një popull i ringjallur, jeni ringjallur në një bashkim me Krishtin. Nëse është kështu, pra, kërkoni të keni një mendje qiellore, dhe kërkoni gjërat që janë sipër.”

Çfarë fuqie që të tërheq drejt qiellit që ka kjo e vërtetë e lavdishme! Çfarë është Krishti? Ai është i gjallë. Ku është Krishti? Ai është në qiell, në të djathtë të Perëndisë, si kreu im – përfaqësuesi im – pararendësi im – thesari im – gjithçka për mua. Atëherë, le të ngrihem edhe unë! A nuk duhet që dashuria ime të ngrihet tek më i dashuri? A nuk duhet të jetë zemra ime atje ku është edhe thesari i saj? A ta vendos mendjen time mbi gjërat e tokës, kur Zoti im u ngrit nga toka, dhe u ngrit mbi tokën, më bën thirrje edhe mua të ngrihem dhe ta ndjek Atë me besim, në frymë dhe në dashuri, derisa të më thërrastë të shkoj plotësisht tek Ai, në mënyrë që të jem përjetë me të dhe të sodit lavdinë e Tij?

Nëse vërtet jam ringjallur me Krishtin, atëherë le ta tregoj këtë gjë përmes mendësisë time gjithnjë e më frymërore. Krishti i cili është jeta ime, është në qiell – pse të mbulohem unë në tokë pa qenë nevoja? Pse të lejoj – ashtu sikurse duket që e bëj – të ketë një objekt mbi tokë pretendimet e të cilit të jenë më të lartat për dashurinë time, bukuria e të cilit në sytë e mi të jetë më e madhe, dhe tërheqja e të cilit ndaj shpirtit tim të jetë më e fortë se ajo e Zotit tim të ringjallur, të ngritur dhe të përlëvduar? A ekziston dikush mbi tokë i cili më do sikurse më do Jezusi? A ka ndonjë që të ketë bërë për mua atë që ka bërë Jezusi? A ka ndonjë që po bën për mua tani atë që po bën Jezusi? A ka ndonjë që të jetë mik i tillë për mua, si një vëlla, a ka një këshilltar të tillë si Jezusi? Jo, as edhe një!

Prandaj, pse të mos jenë mendimet e mia më tepër me Të? Pse të mos mbahet edhe më ngushtë zemra ime me Të? Pse kjo mendje harrakate, pse kjo mungesë dashurie, pse kjo endje dëshire; pse kjo harresë, kjo ftohtësi, dhe kapje pas botës, kur Zoti im është ringjallur, dhe unë rrëfej që jam ringjallur me Të? Oh, sikur ta ndieja më thellë dhe në mënyrë më të vazhdueshme fuqinë e ringjalljes së Tij! Zot, dalloj që zemra ime po kapet pas gjërave të krijimit – miqësitë e mia janë një kurth – pozita ime është një grackë – opinioni tepër i dashur që të tjerët kanë për mua është kurth – hiri im, dhuntitë e mia, dobia ime, për shkak të prishjes së zemrës time janë gracka.

Zot, vendos poshtë shpirtit tim levën e fuqishme të ringjalljes tënde dhe më ngri drejt Vetes! Më bëj të ndiej fuqinë e ringjalljes tënde që më shkëput nga toka dhe më tërheq drejt qiellit! Duke qenë se jam varrosur me Ty përmes pagëzimit në vdekje, me sinqeritet dëshiroj të ringjallem tani me Ty, ashtu sikurse Ti u ngrite prej së vdekuri prej lavdisë së Atit; në mënyrë që të eci me Ty në risinë e jetës, derisa të arrij te Ti në viset e lavdisë.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*