26 Shtator – Octavius Winslow

26 Shtator

“Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.” Zbulesa 3:15-16

Nga të gjitha gjendjet frymërore, vaktësia është më e neveritshmja para Perëndisë dhe ajo që e trishton më tepër Frymën e Shenjtë; prandaj Perëndia shpall neverinë e tij totale ndaj kësaj gjendjeje. Megjithatë, kush e sheh vaktësinë nën këtë dritë? Kush ndalon të shqyrtojë veten për të vlerësuar se çfarë përparimi real ka bërë shpirti i tij, çfarë hiri është dobësuar, çfarë pjesë e veprës së Frymës ka rënë, cila pjesë e shpirtit të tij është bërë shterpë dhe e pafrytshme dhe sa shumë e ka trishtuar në fshehtësi Frymën e Shenjtë përmes një gjendjeje të njohur, të lejuar dhe të përqafuar dobësimi frymëror?

Pas gjithë zotësisë së tij sa shumë preket arkitekti kur sheh rrënimin e ndërtesës së tij, po kështu është edhe me prindin pasi ka harxhuar shumë në edukim, të dëshmojë se si shpresat e thella që ka ruajtur për fëmijën e tij të shkërmoqen, sa më tepër preket dhe trishtohet Fryma kur e sheh të prishur tempullin që kishte ngritur me një kosto aq të madhe; shpirti të cilin e kishte mësuar me aq kujdes dhe në vetmi të bjerë në një gjendje kaq të ftohtë dhe formaliteti në detyrat dhe ndjenjat frymërore! Dr. Ouen e thotë bukur, “Zemra e Frymës është pafundësisht më e butë ndaj nesh nga sa mund të jetë zemra e prindit më të dashur ndaj fëmijës së tij të vetëm. Kur i ka rritur dhe u ka dhënë aq shumë përparim ndjenjave frymërore me një kosto dhe kujdes aq të madh, ku qëndron gjithë interesimi i Tij për ne, sa shumë provokohet dhe trishtohet Ai kur ne bëhemi të ftohtë, kur kemi një mendjen tokësore, kur kapemi pas kënaqësive dhe epsheve të kësaj bote!”

Prandaj sigurohu që gjendja jote frymërore të jetë një rast gëzimi në vend të të një gjendjeje trishtimi për Frymën e Shenjtë të Perëndisë!” Asnjë gjë nuk mund ta mbushë dot zemrën e Tij të dashur me një kënaqësi më të madhe dhe më të shenjtë se të dëshmojë thellimin e karakterit dhe ndikimin e zgjeruar të veprës së Tij në besimtarin. Të shohë dritën xixëlluese që Ai krijoi, “që shkëlqen gjithnjë e më tepër,” të shohë bimën e brishtë që lëshon aromën e saj, të japë frytin e saj, burimi në zemër gufon drejt qiellit, drejt Perëndisë – një tablo e tillë duhet të jetë vërtet e kënaqshme për Frymën.

Nëse Shpengimtari që është ulur mbi fron sheh me kënaqësi mundin e shpirtit të Tij në thirrjen e të shpenguarve të Tij, po aq i gëzueshëm duhet të jetë Fryma i Përjetshëm që të shohë zgjerimin e mbretërisë së Tij mes shenjtorëve, rritjen e shpirtit për trashëgiminë dhe shoqërinë e “të drejtëve që janë bërë të përsosur.” Shenja e përshtatjes më të madhe me imazhin e Krishtit – shenjtëria i zgjat edhe më thellë rrënjët e saj, çdo hir është duke u ushtruar në mënyrë aktive, çdo barrë është lënë mënjanë, çdo mëkat është vrarë, gjithë tupri, shpirti dhe frymë një tempull për Perëndinë, kjo vërtetë duhet ta mbushë qiellin me gëzim. Lexues i krishterë, kujdesu për gjendjen tënde, që Fryma e Shenjtë e Perëndisë të mos jetë duke u trishtuar nga ndonjë dobësim i njohur dhe i pranuar i punës së Tij në shpirt.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*