28 Mars – Octavius Winslow
28 Mars
“Por bijtë e Manasit nuk mundën t’i pushtojnë ato qytete, sepse kanaanenjtë ishin të vendosur të rrinin në atë vend.” Jozueu 17:12
Do ta mbani mend që kur bijtë e Izraelit morrën në zotërim Kananin, edhe pse i mundën banorët e tij dhe shtinë në dorë zotërimin dhe qeverisjen supreme të vendit, ata nuk mundën që t’i dëbonin plotësisht ish banorët e vendit. Çfarë ishin tani këta Kananej, këta idhujtarë paganë për bijtë e Izraelit, janë edhe prishjet e natyrshme të zemrës për fëmijët e thirrur të Perëndisë. Pas gjithë sa ka bërë mëshira hyjnore dhe sovrane për shpirtin, edhe pse banorët e vendit janë mundur, dhe zemra i është dorëzuar hirit të gjithëpushtetshëm, dhe “i forti” është hedhur poshtë, Jezusi është ulur në fron, megjithatë Kanajetë ende banojnë në vend, dhe nuk mund t’i dëbojmë dot prej aty. Këto janë prishjet e natyrshme të natyrës tonë të rënë njerëzore, ligësitë e një zemre pjesërisht të ripërtërirë, epshet pagane bashkë me pasionet dhe dobësitë të cilët më parë ishin banorët e vetëm të shpirtit, që ende banojnë aty dhe të cilët në gjendjen e tanishme nuk do të dëbohen kurrë plotësisht. Por çfarë bënë bijtë e Izraelit me këta Kananej, të cilët nuk mund t’i dëbonin dot nga qytetet dhe që banuan në vend? Në vargun 13 lexojmë “Por bijtë e Izraelit u bënë të fortë, nënshtruan kanaanenjtë dhe i robëruan, por nuk i dëbuan krejt.” Kjo është ajo që duhet të bëjnë bijtë e Perëndisë me Kananejtë frymërorë që ende banojnë në zemrën e ripërtërirë: ata nuk mund të dëbohen, por mund të robërohen; nuk mund të shfarosen plotësisht, por mund të nënshtrohen plotësisht dhe madje të shfrytëzohen që të kontribuojnë në të mirën e shpirtit dhe për lavdinë e Perëndisë. Po, edhe këta Kananej të fuqishëm që banojnë brenda, këto prishje të forta që përleshen dhe luftojnë me shpirtin e riptërirë, mund të nënshtrohen për të mirën frymërore të fëmijës së Perëndisë. A nuk do të jetë kështu, nëse e bëjnë që të mos ketë besim tek vetja, që të mbështetet më së shumti tek plotësia e hirit të Jezusit, që të shkojë shpesh tek froni i mëshirës, që të rrijë pranë dhe të kapet pas gjakut të shlyerjes, të kultivojë një frymë të butë, vigjilente dhe lutëse, që çdo moment dhe çdo ditë të ngazëllojë në Krishtin Jezus, duke mos pasur besim tek mishi? Kështu shpirti i ripërtërirë shpesh mund të shpallë, “O njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” – përmes një furnizimi të Frymës së Krishtit Jezus, dhe të mësohet edhe më tepër me këtë luftë të shenjtë, të jetë në gjendje t’i kthejë kryengritjet e mëkatit që banon brenda tij në mundësi për një ecje më të shenjtë dhe më të përulur me Perëndinë.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!