29 Gusht – Octavius Winslow

“Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim; por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë. Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme.” ‭‭Mateu‬ ‭13:20-22‬

Një stinë begatie shpesh del që është fatale për rrëfimin e perëndishmërisë. Provania hyjnore buzëqesh, pasuritë shtohen, dhe bashkë me to edhe tundimet dhe grackat, luksi, tepërimet, dhe shfaqja e botës të cilat janë të pandashme nga grumbullimi i pasurisë së pashenjtëruar. Cilët janë rezultatet? Në shumicën e rasteve heqja dorë plotësisht edhe nga petku dhe veshjet e jashtme fetare.

Duke qenë se ka marrë udhën e kënaqjes së plotë të mendjes mishore, feja lihet krejtësisht mënjanë; dhe kështu lirohet nga çdo frenim që sjell të qenët konsistent, zemra menjëherë zhytet thellë në botë të cilën e donte gjithë kohën në fshehtësi, e dëshironte dhe e adhuronte. Oh çfarë testi i ashpër por i vërtetë i parimit fetar që është ky! Sa shpejt e dallon atë që është e shtirur dhe false! Sa shpejt thahen dhe bien gjethet! “Begatia ka për ta shkatërruar budallain.”

Por nëse një njeri besimtar kalon përmes kësaj sprove, dhe ende e ruan integritetin e tij; ende vazhdon të ecë ngushtë dhe me përulësi me Perëndinë; ende qëndron në shtegun e përulur të Jezusit për mbartjen e kryqit; vazhdon ende të jetë po aq i zellshëm të presë Perëndinë në mjetet private dhe publike të hirit; është ende po aq zemërbutë, i përulur dhe i mirë, duke u rritur në devotshmëri, bujari dhe dashuri, bashkë me shtimin e mirësisë së provanisë së Perëndisë përreth tij, një njeri i tillë ka “rrënjën e kësaj fare brenda tij;” dhe “ai do të jetë si një pemë e mbjellë pranë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e vet; gjethet e të cilit nuk do të thahen, dhe gjithë sa bën do të ketë mbarësi.” Begatia e tij nuk e ka shkatërruar.

Koha e armiqësisë është shpesh po aq fatale për rrëfimin e fesë, duke qënë se nuk është themeluar mbi parimin e vërtetë të krishterë. Nëse në shtegun e lehtë kemi prirjen të rrëshqasim, në shtegun e vështirë mund të pengohemi. Periudhat e revolucioneve të mëdha në historinë e kishës së krishterë, kur Perëndia i sprovon parimet, ndërgjegjen, dashurinë, dhe besimin e njerëzve të Tij, janë periudha sprove. Sa të shumtë janë ata që përjetojnë lundërthyerje të rrëfimit të tyre të madh! Dhe kur Perëndia hyn në kopshtin e këndshëm të bekimeve familjare të një njeriu, kur sjell thatësirën mbi lulëzimin e bukur, apo ngricën mbi lulen e brishtë, apo e këput degën e njomë, ose e përhap pasurinë e fituar me mund për vite të tëra, apo e tret gjallërinë e trupit, apo i pengon planet e dashura; si sillet një person i paripërtërirë?

I përulur, i nënshtruar dhe si fëmijë në djep? Mos vallë tani shfaqet një parim i ashpër i krishterë, në kontrast të bukur me sprovën që e ka bërë të shfaqet? A duket hiri hyjnor tani si një lule aromatike më e bukur dhe më e çmuar pasi është shtypur? A nuk ngrihet çdo ndjenjë e zemrës në një rebelim të marrë kundër Perëndisë dhe kundër sundimit të Tij? Ah, po! Shihni në ç’mënyrë të saktë që e përshkruan Krishti këtë skenë: “nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*