29 Korrik – Octavius Winslow

“Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj?” Kantiku i Kantikëve 8:5

A ka pasur ndonjë shtegtar tjetër më të nderuar? A ka pasur ndonjëherë një udhëtar në shoqëri më të mirë? Si mund të jesh i vetmuar apo i trishtuar, në rrezik apo në nevojë, ndërsa je duke udhëtuar drejt shtëpisë në shoqërinë e Jezusit dhe duke u mbështetur tek Ai? Për çfarë duhet të mbështetesh tek i Dashuri yt? Duhet të mbështetesh tek Jezusi për gjithë shpëtimin tënd. Ai “u bën nga Perëndia urtësi, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim;” dhe për secilin nga këto bekime të paçmueshme duhet të mbështetesh çdo ditë te Krishti.

Ku mund të mbështetesh për falje, përveçse në gjakun shlyes të Jezusit? Ku mund të mbështetesh për shenjtërim, përveçse në hirin mëkat nënshtrues të Jezusit? Prandaj, mbështetja tek i Dashuri është një veprim i përditshëm për të mos u mbështetur tek vetja në çështjen e madhe të shpëtimit, dhe për t’u prehur në veprën e përfunduar të Krishtit – për më tepër në Krishtin vetë. Duhet të mbështetesh në plotësinë e të Dashurit tënd. Ai është plot mjaftueshmëri për të gjitha nevojat e popullit të Tij. Nuk ka mundësi që të shfaqet një rrethanë në historinë tënde, nuk mund të ketë një nevojë në rastin tënd në të cilën nuk mund të mbështetesh tek plotësia e pafundme që Ati ka vendosur në Krishtin për kishën e Tij në shkretëtirë.

Pse pra kërkoh në varfërinë tënde atë që mund të gjendet vetëm në pasuritë e Krishtit? Pse sheh zbrazëtinë tënde kur mund të mbështetesh në plotësinë e Tij? “Hiri im të mjafton” është deklarata ngazëlluese me të cilën Jezusi të shoqëron në çdo kthesë të shtegut tënd, në çdo sprovë që të bie në pjesë, në çdo nevojë gjatë udhëtimit tënd. Prandaj mos i zër besë urtësisë tënde, mos shiko tek vetja jote, dhe mbështetu plotësisht në plotësinë e pafundme që gjendet në Krishtin.

Ky qëndrim është ai që shpreh dobësi të ndërgjegjshme dhe mosbesim të thellë tek vetja. Kush është me i dobët se një fëmijë i Perëndisë? Duke qenë se i është dhënë mësimi i dobësisë së tij në zemrën e tij, të cilin vazhdon ta mësojë në pengimet, rrëzimet, gabimet e shumta dhe të dhimbshme, në plagët dhe gjymtimet që i shkakton vetes së tij, më në fund ai bëhet të ndiejë që e gjithë forca e tij gjendet jashtë tij. Ai ka “dënimin me vdekje në veten e tij, që nuk duhet të ketë besim tek vetja.” “Unë jam i dobët, po jam dobësia vetë,” është gjuha e tij, “Jam si një kallam të cilin e lëkund era, pengohem edhe nga një pëndë; dridhem edhe nga një jehonë; trembem nga hija ime; edhe vështirësia më e vogël më pengon; edhe tundimi më i vogël më mposht.

Si do të mund të vazhdoj të çaj udhën duke luftuar përmes kësaj ushtrie të fuqishmen dhe të arrij i sigurt në botën e ndritur?” Duke u mbështetur çdo ditë, çdo orë, çdo moment tek i Dashuri yt për forcë. Krishti është fuqia e Perëndisë, Ai është fuqia e fëmijëve të Perëndisë. Kush mund t’i forcojë duart e dobëta dhe gjunjët e dobët përveçse Jezusit? Atyre që nuk kanë fuqi Ai ua shton fuqinë. Kur ata janë të dobët në veten e tyre atëherë janë të fortë tek Ai. Deklarata e Tij është – “Fuqia ime përsoset në dobësi.”

Prandaj, mbështetu tek Jezusi për forcë. Ai ka fuqi për të gjitha dobësitë e tua; Ai mund të ta forcojë besimin, shpresën, kurajën, durimin dhe zemrën tënde për çdo barrë, për çdo sprovë, për çdo tundim. Mbështetu tek Ai; Atij i pëlqen ta ndiejë peshën e krahut tuaj; Atij i pëlqen që dobësinë tuaj ta lidhni me gjithëfuqinë e Tij, të merrni prej hirit të Tij. Kështu duke u shkëputur nga vetja dhe duke u mbështetur në Krishtin, “sikurse është dita jote do të jetë edhe forca jote.” Në të gjitha dridhjet dhe fundosjet e tua, do të ndjesh fuqinë e Tij që të qarkon. “Perëndia i përjetësisë është streha jote, dhe poshtë teje janë krahët e përjetshëm.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*