5 Gusht – Octavius Winslow

“Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jerusalem.” Isaia 66:13

Sa e fortë është brenga e penduar e atij fëmije që është larguar nga Ati i vet qiellor. I thellë dhe i hidhur është pikëllimi kur vjen në vete, vendos dhe shpall, “Do të çohem dhe do të shkoj tek Ati im.” Të shumta janë drithërimat dhe dyshimet për sa i përket pritjes së tij. “A do ta pranojë vallë një endacak si puna ime? A do të më pranojë edhe në herë në dashurinë e tij, a do të më flasë sërish me mirësi, a do të ma ripërtërijë gëzimin e shpëtimit, a do të ma japë sigurinë e bekuar të faljes së Tij, a do të më pranojë sërish me fëmijët e Tij në tryezën e Tij? Me të vërtetë do ta bëjë o i penduar vajtues! Perëndia do të të ngushëllojë në pikëllimin tënd të tanishëm përmes treguesve të dashurisë së Tij falëse. Ai të fton, të thërret, Ai të përgjërohet të kthehesh tek Ai. Ai është duke të pritur, Ai të afrohet për të të takuar. Ai zgjat dorën e Tij për të të mirëpritur. Ai pret të tregohet i hirshëm, Ai ka shumë dëshirë që ta shtrëngojë në gji Efraimin e tij të penduar dhe vajtues. “Por kur ishte ende larg, i ati e pa me dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.”

A do të jetojë dashuria e një nënë, e ngrohtë dhe e pandryshuar mes gjithë viteve të gjata të rebelimit, harresës dhe mosmirënjohjes së fëmijës së saj? Kur ai të kthehet dhe të trokasë lehtë në derën e saj a do ta ngrejë vallë shulin dhe duke u dridhur të bjerë në gjunjë duke qarë dhe rrëfyer mbi zemrën e saj të cilën e kishte shpuar me aq shumë pikëllime; a do ta shtrëngojë vallë pas asaj zemre që kurrë nuk pushoi së rrahuri me dashuri të cilën nuk mundi ta pakësonte dot asnjë paudhësi apo ta shuante ndonjë poshtërim? Po Perëndia Ati ynë, ai që e frymëzoi dashurinë e asaj nëne, që i dha asaj gjithë butësinë dhe ndjeshmërinë, që e bëri të mos ndryshonte, a do ta kthejë Ai vallë pas fëmijën e mjerë që është rikthyer, i cili në pendim dhe rrëfim kërkon mëshirën falëse dhe ripërtëritëse tek këmbët e Tij? E pamundur! Krejtësisht e pamundur!

Dashuria e Perëndisë për njerëzit e Tij është e pandryshueshme, e pashueshme, e pavdekshme. Asnjë largim nuk mund ta pakësojë dot, asnjë mosmirënjohje nuk mund ta cungojë, asnjë harresë nuk mund ta shuajë dot. Po, nëna mund të harrojë, madje shpesh e ka harruar fëmijën e saj; por Perëndia nuk e ka bërë kurrë! “A mundet një grua të harrojë foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj!” Sa prekëse, sa mbresëlënëse kjo tablo! Kjo është një grua – kjo grua është një nënë, kjo nënë është një nënë me foshnjë – e megjithatë ajo mund ta harrojë dhe braktisë foshnjën e saj; megjithatë “unë nuk do të harroj,” thotë Perëndia dhe Ati yt. E vërtetë prekëse, që të shkrin dhe të fiton zemrën!

Zot ne vijmë tek Ti në emrin e Jezusit! Ne kemi mëkatuar, kemi humbur si delet, kemi ndjekur planet e zemrës tonë, kemi shkuar pas të dashurve të tjerë, kemi prishur paqen tonë, kemi trishtuar Frymën Tënde; por, ja, po vijmë tek Ti, biem përmbys te këmbët e Tua, dhe as që guxojmë të shohim drejt Teje, na vjen turp të ngremë kokën – na prano me hir, na fal lirshëm; do ta përbuzim veten tonë, do ta urrejmë mëkatin që do na falësh; do ta duam, do ta adhurojmë dhe do t’i shërbejmë Perëndisë që fal dhe nuk e kujton më kurrë mëkatin tonë! Ashtu si nëna qetëson foshnjën e saj, na ngushëlloi ne o Perëndi!


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*