7 Shtator – Octavius Winslow

7 Shtator

“A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?” Veprat e Apostujve 19:2

Ajo për të cilën kisha e Perëndisë ka nevojë si kishë është po aq e nevojshme edhe për ne si të krishterë individualë – një pagëzimi më i thellë i Frymës së Shenjtë. Lexues, pse nuk je më i themeluar në të vërtetën – pse këmbët e tua nuk janë më të mbështetura fort mbi Shkëmb? Pse nuk je duke u ngazëlluar më tepër në Krishtin Jezus, pse nuk e ke zbatuar në mënyrë më të thellë gjakun falas mbi ndërgjegjen tënde, pse vula e birësimit nuk ka lënë një gjurmë më të thellë mbi zemrën tënde, pse nuk thua më shpesh “Abba o Atë” me një theks më të ëmbël dhe më të fortë nga buzët e tua?

Pse je ndoshta duke iu dorëzuar më lehtë tundimit, pse je kaq i pavendosur në qëllim, kaq i lëkundur në veprim, kaq ndërdyshas në kërkim, kaq i dobët në ditën e betejës? Pse lavdia e Jezusit duket kaq e zbehtë, pse e ndjen kaq pak sa i çmuar është Ai, pse e përjeton kaq pak dashurinë e Tij? Pse ka kaq pak marrëdhënie të ngushtë mes Perëndisë dhe shpirtit tënd?

Pse ka kaq pak hetim të zemrës, kaq pak rrëfim të mëkatit, kaq pak zbatim të gjakut të shlyerjes? Pse i mungon kaq shumë butësia ndërgjegjes tënde, pse kaq pak zemër thyerje, pse kaq pak frymë pendimi? Pse shkon kaq rrallë te froni i hirit, pse të duket lutja një detyrë kaq e rëndë, pse të duket privilegj kaq i vogël, dhe kur përfshihesh në të pse karakterizohet aq pak nga thyerja e përulur e një mëkatari të penduar, nga guximi prej biri i një fëmije të birësuar, dhe nga vajosja e madhe e një prifti mbretëror?

Përgjigjen le ta japë fakti se sa pak e ke pranuar ndikimin e Frymës së Shenjtë. “A e morrët Frymën e Shenjtë kur besuat?” A e ke pranuar Atë si Dëshmitar, si Vulosës, si Mësues, si Brenda-banues, si Ngushëllues, si Frymën e birësimit? Por, a nuk e ke harruar se Zoti yt është i gjallë dhe mbi fron për të të dhënë Frymën e Shenjtë, madje është më i gatshëm nga sa është një atë për t’i dhënë dhurata të mira fëmijës së tij? Ai është gati që tani të hapë dritaret e qiellit dhe të derdhë mbi ty aq shumë bekim sa për ta konfirmuar besimin tënd, për t’i sqaruar dyshimet e tua, për t’i hequr qafe frikërat e tua, për të të armatosur për betejë, për të të forcuar për sprovë, për të të dhënë një pamje të qartë të pranimit tënd në të Dashurin, dhe për të të siguruar se “emri yt është mes të gjallëve të Jerusalemit”?

Prandaj, ndërsa e vlerëson shkëlqimin e fytyrës së Perëndisë, ndërsa dëshiron të rritesh në njohurinë e Krishtit, ndërsa dëshiron të jesh më “i fortë e i patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit” kërko të shijosh në një masë edhe më të madhe praninë, dashurinë, vajosjen e Frymës së Shenjtë. Krishti është ngjitur lart për të të dhënë këtë bekim të paçmueshëm, dhe për inkurajimin tënd thotë: “Deri tani ju s’keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.”


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*