8 Janar – Octavius Winslow
8 Janar
“I cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira” Titi 2:14
Nuk ka fitore mbi mëkatin që banon brenda nesh dhe nuk ka falje për fajin e mëkatit përveçse kur shpirti kapet pas gjakut të Krishtit. Synimi i madh i vdekjes së Zotit tonë të dashur ishte që të shkatërronte veprat e djallit. Mëkati është vepra e madhe e Satanit. Për ta mposhtur këtë gjë, për ta thyer fuqinë e tij, për ta nënshtruar sundimin e tij, për të riparuar rrënojat e shkaktuara prej tij dhe për të çliruar nga dënimi i tij, i bekuari Biri i Perëndisë përjetoi një vdekje poshtëruese në kryq. E gjitha ajo agoni e hidhur që Ai duroi, gjithë ajo vuajtje mendore, pikëllimi i shpirtit të Tij në Gjethsemane, vuajtjet e trupit të tij në kryq – të gjitha këto ishin për mëkatin. Prandaj, shihni lidhjen e ngushtë dhe të bukur mes vdekjes së Krishtit dhe vdekjes së mëkatit. I gjithë shenjtërimi i vërtetë vjen përmes kryqit. Lexues, atje kërkoje. Kryqi i cili sillet në shpirtin tënd përmes Frymës së përjetshme ka për të qenë vdekja e mëkateve të tua. Shko tek kryqi, oh, shko tek kryqi i Jezusit. Shko me besimin më të thjeshtë. Shko edhe me korruptimin më të madh. Shko me barrën e fajti, shko tek kryqi. Atje nuk do të gjesh gjë tjetër veçse dashuri – nuk do gjesh asgjë tjetër veçse mikpritje – nuk do gjesh gjë tjetër veçse pastërti. Gjaku i çmuar i Jezusit “na pastron nga çdo mëkat.” Dhe ndërsa qëndron i përulur poshtë kryqit, armiku yt nuk guxon të të afrohet, mëkati nuk do të sundojë mbi ty, dhe akuzuesi yt Satani, nuk mund të të dënojë.
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!