8 Korrik – Octavius Winslow

“Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.” Hebrenjve 13:14

Besimari i vërtetë në Jezusin është një udhëtar. Ai është duke udhëtuar drejt një qyteti ku të banojë, në malin e Perëndisë – bekuar qoftë Perëndia ai shumë shpejt do të jetë atje! Apostulli Pjetër ua dedikon letrën e tij pastorale “të huajve të shpërndarë” – popullit të Perëndisë të shpërndarë mbi faqen e dheut. E tillë është Kisha e Krishtit. Nganjëherë ajo quhet gabimisht “Kisha e dukshme.” Kjo ide nuk është shkrimore. Mund të ketë kisha të dukshme, por nuk ka asnjë Kishë të dukshme. Shenjtorët e Perëndisë janë “të huaj dhe shtegëtarë” të shpërndarë në botë. Këtu mbi dhe ata nuk kanë një vendbanim të përhershëm, nuk kanë një vendprehje të sigurt. Kisha gjendet në shkretërtirë, dhe udhëton përmes saj. E tashmja quhet “koha e shtegëtimit tonë.” Ne jemi thjesht mysafirë në një han, në të cilin qëndrojmë vetëm për një natë. “Këtu nuk kemi një qytet të përhershëm.”

Ne jemi të huaj dhe shtegëtarë sikurse ishin gjithë etërit tanë. Por, të dashur, ky është një mendim pajtues dhe inkurajues – ne jemi duke udhëtuar drejt banesës së Perëndisë. Jemi duke shkuar drejt tokës së mirë të cilin Zoti Perëndia ynë na e ka premtuar; po shkojmë te mbretëria dhe shtëpia që Jezusi ka shkuar ta marrë në zotërim dhe ta përgatitë për ne. Me pak fjalë – dhe ky imazh është kulmi i pritjes së shkëlqyeshme – ne po nxitojmë drejt “shtëpisë së Atit tonë,” te shtëpia e gjithë familjes në qiell dhe mbi dhe, te banesa e Krishtit, te vendbanimi i Perëndisë.

Drejt kësaj po udhëton çdo besimtar në Jezusin. Rruga është e vështirë, shkretëtira është sfiduese – nganjëherë është e rrezikshme nga qetësia e saj, apo e dhimbshme nga ashpërsia e saj; vështirësia e saj tani na lodh, dhe shtigjet e ndërlikuara të saj na hutojnë. Por kush do të ankohet për shtegun që e çon në shtëpinë e tij? Kush do t’i dorëzohet ndjesisë së rropatjes nëse është duke udhëtuar drejt prehjes së përjetshme? Një pjesë e madhe e pakënaqësisë a lodhjes së shpirtit e cila e karakterizon shtegëtimin e shenjtorëve buron prej konceptimeve të dobëta që mendja krijon për lavdinë e ardhshme. Ne mendojmë shumë pak dhe shumë rrallë për qiellin. Syri është ulur për poshtë, dhe rrallë herë e “ngremë kokën” në pritje të “shpengimit që po afron.”

E megjithatë sa shumë gjëra ka në mendimin e lavdisë, në pritjen e qiellit – në natyrën e saj dhe gjërat që e shoqërojnë – të cilat kanë për qëllim të na nxitin, të na inkurajojnë dhe të na joshin për të vazhduar përpara! Qielli është vendi ku do të jemi të pamëkat; është banesa ku do të shohim Perëndinë; është shtëpia në të cilën do të jetojmë me Krishtin; është shtëpia në të cilën do të banojmë me të gjithë shenjtorët; është vendi ku do të mblidhen të gjithë të shenjtët e dheut disa prej të cilëve tashmë janë larguar nga përqafimi ynë për të shkuar në ato vise më të shenjta dhe më të lumtura, dhe të cilët do t’i takojmë sërish.

Pse pra të dekurajohemi për shkak të vështirësisë së udhës, apo që edhe për një moment të na humbasë nga vështrimi lavdia që na pret, apo të heqim dorë nga përpjekjet për të arritur përshtatjen e nevojshme për ta shijuar atë vend? Edhe pak fare – oh sa i shkurtër që është udhëtimi – dhe do të jemi atje. Atëherë do të kuptojmë plotësisht bukurinë dhe ëmbëlsinë e përshkrimit që lexohet dhe meditohet shpesh me lot dhe me shpresë – “Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor, edhe morisë së engjëjve, kuvendit universal dhe kishës të të parëlindurve që janë shkruar në qiej, Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që u bënë të përsosur, dhe Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.” O shpirti im a nuk do të bësh çdo përpjekje, a nuk do të durosh çdo privim, të hedhësh tej çdo barrë për të arritur këtë qytet të lavdishëm të Perëndisë?


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*