18 Mars – Octavius Winslow

18 Mars

“Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe pjestar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit, isha në ishullin që quhet Patmos, për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit. Isha në Frymë ditën e Zotit.” Zbulesa 1:9-10

Emanueli ynë i admirueshëm shpesh zbulon rrezet më të shkëlqyera të lavdisë së Tij gjatë stinëve të sprovave më të dhimbshme dhe zymtësisë më të thellë. Stinët e errëtë të provanisë së Perëndisë shpesh nxjerrin në pah shkëlqimin më të fortë të lavdive të Birit të Tij të dashur, sikurse errësira e natës zbulon në mënyrë edhe më të dallueshme dhe më të shkëlqyer ekzistencën dhe bukurinë e trupave qiellorë. Për shpalosjen e kësaj zbulese të jashtëzakonshme të lavdisë së Tij të lartësuar ndaj shërbëtorit të Tij, Zoti ynë zgjodhi saktësisht një rast të tillë – një rast i cili, në sytë e arsyes do të duket më i papërshtatshmi dhe rasti me më pak gjasa; por syri i besimit, sheh përtej shkaqeve dytësore, që ky është rasti më i përshtatshëm për një zbulesë të tillë të Jezusit. Perandori Domitian, edhe pse nuk u lirua nga përgjegjësia e tij e frikshme për këtë veprim, ishte thjesht instrumenti i ekzekutimit të qëllimit të përjetshëm të hirit dhe dashurisë. Dora e Perëndisë po lëvizte, dhe ashtu sikurse bën shpesh, ajo dorë po lëvizte në “errësirë të thellë.” Gjoni ishte i mërguar nga ky Perandor Romak në ishullin e Patmosit, një ishull i shkretë në Detin Egje, “për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit,” por Shpenguesi ishte thjesht duke përgatitur udhën për zbulimin e atyre vizioneve të lavdisë, dhe nuk ka pasur vizione të tilla më sublime dhe më të çmuara që të jenë shfaqur para syve të një njeriu të vdekshëm. Perëndia jo vetëm që po e vendoste shërbëtorin e Tij të dashur në pozitën e duhur për t’i parë ato vizione, por gjithashtu me urtësinë dhe hirin më të madh po e trajnonte dhe po e disiplinonte frymërisht mendjen e Gjonit që t’i pranonte me përulësi.

Vini re sesi kjo ndodhi e errët dhe sprovuese po vepronte për të mirën e këtij të internuari të shenjtë. Edhe pse ishte dëbuar nga shenjtorët, nga shoqëria, dhe nga të gjitha mjetet e hirit, nuk kishte njeri që mund ta dëbonte dot nga prania e Perëndisë; nuk kishte asnjë përndjekje që mund ta ndante atë prej dashurisë së Krishtit. Patmosi, në vështrimin e tij u bë i shkëlqyer me lavdinë e Shpëtimtarit të ringjallur – Perëndia dhe Ati i pajtuar ishte Shenjtërorja e tij – Fryma i Shenjtë, Ngushëlluesi e mbuloi me hijen e tij – dhe dita e Zotit, e cila tashmë ishte kaq e shenjtë dhe e çmuar për të në lidhje me ringjalljen e Zotit, e zuri me një shkëlqim, shenjtëri dhe gëzim të papritur. Oh sa bujarisht u favorizua ky dishepull i dashur! Edhe pse privilegjet e tij të shkuara kishin qenë të mëdha – kishte udhëtuar me Krishtin, kishte parë mrekullitë e Tij, kishte dëgjuar fjalët nga buzët e Tij, ishte mbështetur në kraharorin e Tij – megjithatë, ai nuk kishte qenë kurrë kaq i privilegjuar – kurrë nuk kishte mësuar kaq shumë prej Jezusit – kurrë nuk kishte parë kaq shumë nga lavdia e Jezusit, kurrë nuk kishte shijuar kaq thellë dashurinë e Tij, kurrë nuk e kishte përjetuar kaq bollshëm butësinë dhe simpatinë e Tij; kurrë nuk kishte kaluar një ditë të Zotit si kjo e tanishmja, edhe pse ishte banori i vetmuar i një ishulli të shkretë. Ku gjendet një vend i vetëm në të cilin Jezusi nuk mund ta shkëlqejë dot lavdinë e Tij; ku ka vetmi të cilën Ai të mos e ëmbëlsojë me praninë e Tij; ku ka vuajtje, privim dhe humbje të cilën Ai mund ta shpaguajë shumë më tepër me hirin e Tij mbështetës dhe me dashurinë e Tij ngushëlluese; ku gjendet një shpirt i drithëruar dhe i përkulur të cilin “dora e Tij e djathtë” të mos e ngrejë dot dhe ta qetësojë? Ky pra ishte rasti në të cilin Zoti u shfaq shërbëtorit të Ti në një formë kaq të lavdishme, me fjalë kaq ngushëlluese dhe me zbulesa kaq sublime.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*