14 Korrik – Octavius Winslow

“Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.” 1 Gjonit 2:1

Vepra e Zotit tonë si Prift ishte e dyfishtë, shlyerja dhe ndërmejtësimi. Të parën e përmbushi në kryq, dhe të dytën tani është duke e përmbushur mbi fronin e Tij. “Ai… mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta”. Kryeprifti sipas ligjit, pasi e kishte therrur flijimin e merrte gjakun dhe kalonte përtej velit dhe e spërkaste atë mbi pajtuesin, dhe kështu ndërmjetësonte për popullin. “Në këtë mënyrë Fryma e Shenjtë donte të tregonte se udha e shenjtërores ende nuk ishte shfaqur, mbasi ende po qëndronte tabernakulli i parë”. “Por Krishti, që erdhi si kryeprift i të mirave që do të vijnë në të ardhmen, duke kaluar nëpër një tabernakull më të madh e më të përkryer, që s’është bërë me dorë, pra, që nuk është e kësaj krijese hyri një herë e përgjithmonë në shenjtërore, jo me gjakun e cjepve dhe të viçave, por me gjakun e vet, dhe fitoi një shpëtim të amshuar”.

Çfarë po bën Ai tani? Po paraqet gjakun e Tij çdo moment para pajtuesit për llogari të popullit të Tij të shpenguar! “Ai rron përjetë dhe ndërmjetëson.” Oh, mos e harro këtë shenjtor i dashur i Perëndisë! Kjo është thënë për ngushëllimin e atyre që vajtojnë në Sion – për ata të cilët duke e njohur plagën e zemrave të tyre, dhe vajtojnë për prirjen e saj të vazhdueshme për t’u larguar, përulen në pluhur dhe pikëllim të thellë dhe të perëndishëm.

Hidhe vështrimin lart! Mos vallë mëkati e ngre zërin kundër teje? Gjaku i Jezusit flet edhe më fort. A bëjnë thirrje për hakmarrje tërheqjet, rebelimet dhe paudhësitë e tua kundër kaq shumë drite dhe dashurie? Gjaku i Jezusit “flet për gjëra më të mira”. Mos vallë Satani qëndron në të djathtën tënde për të të akuzuar? Avokati yt qëndron në të djathtën e Perëndisë për t’u përgjëruar për ty. Merrni zemër ju shpirtra që vajtoni! Ju që rrihni gjoksin, ju zemërthyer, ju të penduar! “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne”.

Jezusi është një Avokat i lavdishëm dhe i suksesshëm. Ai nuk ka humbur kurrë qoftë dhe një çështje që i është besuar Atij, dhe nuk ka për të ndodhur. Ai përgjërohet fuqishëm, përgjërohet në mënyrë elokuente, përgjërohet në mënyrë fitimtare, për shkak se përgjërohet për llogari të një populli patregushmërisht të dashur për zemrën e Tij, për të cilët Ai “nuk e deshi as jetën e Tij deri në vdekje,” dhe ndërhyn mbi bazën e gjakut të Tij shumë të çmuar dhe personit të Tij të pranuar me Atin e Tij dhe Atin e tyre, me Perëndinë e Tij dhe Perëndinë e tyre.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: