5 Prill – Octavius Winslow
“Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” Romakëve 8:31
Me një At të tillë, me një Mik të tillë, me një Ngushëllues të tillë, kush mund të luftojë me sukses kundër shenjtorëve të Perëndisë? Perëndia Vetë nuk mund të jetë kundër nesh, edhe atëherë kur retë e provanisë së Tij duket se janë mbi kokat tona, dhe goditjet e Tij i ndiejmë si më të fortat. “Edhe pse do të më vrasë, sërish do të besoj në Të.” Ligji nuk mund të jetë kundër nesh; sepse Ligjdhënësi përmes bindjes së tij e ka lartësuar dhe e ka bërë atë të nderuar. Drejtësia hyjnore nuk mund të jetë kundër nesh; sepse Jezusi i ka plotësuar kërkesat e saj në vendin tonë dhe ringjallja e Tij është një përmbushje e plotë e gjithë kërkesave të saj. As mëkati, as Satani, as njerëzit, as vuajtja, as vdekja nuk mund të jenë vërtet apo me sukses kundër nesh, përderisa dënimi i mëkatit është hequr, Satani është mposhtur, të paperëndishmit janë kufizuar, vuajtja bashkëvepron për të mirën tonë dhe gjëmba e vdekjes është hequr. “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” Me një Qenie të tillë në anën tonë, nga kush të kemi frikë? Nuk do të kemi frikë asnjë gjë përveç mosbindjes që e trishton dhe mëkatit që e ofendon Atë. Nëse kemi këtë frikë nuk ka pse të kemi frikë tjetër. “Perëndia është për ne një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk do të kemi frikë.” Dëgjoni edhe një herë fjalët e Tij të mrekullueshme: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.”
A do ta kemi gjithmonë Perëndinë për ne? Atëherë le të synojmë të jemi për Perëndinë. Perëndia na trajton ne krijesat e Tij me një rregull barazie. “Udhët e Zotit janë të barabarta.” “Nëse ecni kundër meje, edhe unë do të eci kundër jush.” A nuk është Perëndia për ty? A nuk ka qenë gjithmonë përkrah teje, qysh kur ta manifestoi Veten si Perëndia i besëlidhjes? A ka qenë Ai ndonjëherë shkretëtirë dhe vend errësire për ty? A ka qenë Ai në ndonjë rast jo i mirë, jo miqësor dhe i pabesë? Kurrë. Atëherë ji edhe ti për Perëndinë – me vendosmëri, plotësisht, pa kompromis. Zemra jote për Perëndinë, talentet e tua për Perëndinë, pozita jote për Perëndinë, pasuria jote për Perëndinë, ndikimi yt për Perëndinë, gjithçka e jotja për Perëndinë; një shenjtërim i plotë dhe pa rezerva ndaj Tij, duke qenë se gjithë dashuria, hiri, përsosmëritë dhe qielli i lavdisë janë për ty. I krishterë i trembur! Perëndia është në anën tuaj; dhe “në qoftë se Perëndia është me ju, kush mund të jetë kundër jush?”
© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!