23 Maj – Octavius Winslow

“Mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.” ‭‭Efesianëve‬ ‭6:16‬

Pak nga fëmijët e Perëndisë janë të paditur rreth planeve të Satanit. Por të pakët janë ata që nuk sulmohen nga “shigjetat e zjarrta” të armikut; Zoti ynë Jezus nuk u përjashtua. Të shumta, të veçanta dhe të mëdha janë tundimet e tyre. Ato janë tundime që shpesh prekin pikat jetësore të ungjillit, përpiqen të minojnë besimin e besimtarit në gjërat themelore të Krishterimit, të cilat kanë të bëjnë me interesimin e tij personal në beslidhjen e hirit. Satani është armiku i betuar i besimtarit – është armiku i tij i përhershëm dhe i palodhur. Ekziston një fshehtësi, një ligësi e cila nuk i karakterizon aq shumë armiqtë e tjerë të panumërt të shpirtit. Fryma i Shenjtë flet për “thellësitë e Satanit.” Ekzistojnë “thellësi” në ligësinë e tij, në fshehtësinë dhe në dinakërinë e tij të cilat shumë nga të dashurit e Zotit i kanë njohur deri në një farë shkalle. Zoti mund t’i lejojë që të zbresin në këto “thellësi,” thjesht për t’i bindur ata që janë atje se ekzistojnë thellësi të pahulumtueshme të urtësisë, dashurisë, fuqishë dhe hirit të Tij të cilat ua tejkalojnë “thellësive të Satanit.”

Cilat janë disa nga hiletë e të ligut? Cilat janë disa prej shigjetave të tij të zjarrta? Nganjëherë ai e mbush mendjen e besimtarit me mendimet më blasfemuese dhe ateiste, duke e kërcënuar me shkatërrimin total të paqes dhe sigurisë së tij. Nganjëherë ai i shfrytëzon periudhat e dobësisë, sprovës, dhe dyshimit për të nxitur prishjet e natyrës së tij, duke e kthyer shpirtin pas në rabëri ndaj ligjit të mëkatit dhe vdekjes. Nganjëherë ai sugjeron dyshime mosbesuese në lidhje me birësimin e tij, duke e mashtruar të përqafojë besimin që kovertimi i rrëfyer prej tij është thjesht një mashtrim, që feja e tij është e gjitha hipokrizi, dhe se ajo të cilën ai e kishte menduar si vepër të hirit është thjesht vepra e natyrës.

Por, beteja më e madhe dhe më e përgjithshme e Satanit me shenjtorët e Perëndisë është, t’i bëjë ata që të dyshojnë aftësinë dhe gatishmërinë e Krishtit për t’i shpëtuar mëkatarët e ngratë. Spiranca e shpirtit të tij është shkëputur prej kësaj të vërtete dhe si rrjedhim është hedhur andej-këndej në detin e trazuar të dyshimit dhe vajtimit, është në mëshirën e çdo ere doktrine dhe çdo dallge mosbesimi që mund të hidhet mbi barkën e tij në mes të stuhisë. Por, në mes të gjithës kësaj, prej nga vjen ngushëllimi dhe fitorja e besimtarit të tunduar? Prej premtimit që e siguron se “kur armiku të vijë si një përmbytje, Fryma e Zotit do të ngrejë një flamur kundër tij.” Cili është flamuri që Fryma, Ngushëlluesi do të ngrejë për ta frenuar këtë përmbytje?

Një Shpëtimtar që vidq, u ringjall, u lartësua dhe që jeton përjetë. Ky është flamuri që ngjall tmerr në zemrën e çdo armiku; kjo është porta që e frenon përmbytjen. Këtë gjë përjetuan dishepujt. Kjo është dëshmia e tyre: “Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: ‘Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd’.” Emanuel është emri që e bën çdo armik frymëror të marrë aratinë. Ngushëlluesi, i cili është Fryma i Shenjtë, e udhëheq shpirtin e tunduar te ky emër, për t’u strehuar poshtë tij, për t’iu përgjëruar Perëndisë në atë emër, dhe të bëjë betejë me këtë emër kundër armikut. Lexues i dashur, mos je bërë shënjestra e shigjetave të zjarrta të djallit? Mos po tundohesh ashpër? Mos u mahnit sikur të të kishte rënë një gjë e habitshme.

Edhe shenjtorët më të shenjtë të Perëndisë kanë vuajtur ashtu si po vuan ti; po, edhe Zoti yt i bekuar, Mësuesi yt, Modeli yt, Shëmbulli yt, edhe Ai në emrin e të cilit do të jesh më tepër se ngadhënjimtar; edhe ai u sulmua dikur sikurse po sulmohesh edhe ti, nga i njëjti armik. Lëre këtë reflektim të të ngushëllojë, që tundimet lënë thjesh gjurmën e fajit mbi ndërgjegje, dhe konsiderohen si mëkate prej Perëndisë, vetëm kur u dorëzohesh atyre. Thjesht sugjerimi i armikut, thjesht paraqitja e tundimit, nuk është mëkat, për aq kohë sa në fuqinë që është në Krishtin Jezus, besimtari i reziston i vendosur dhe i palëkundur.

“Kundërshtojeni djallin dhe ai do të largohet prej jush.” Jezusi tashmë ka luftuar dhe ka fituar për ju. Ai e dinte shumë mirë se si ishte konflikti me Satanin. Ai e mban mend se çfarë është ky konflikt. Shpirt i dashur dhe i tunduar, ngrije kokën lart! Do ta korrësh fitoren. Fara e gruas e ka shtypur kokën e gjarprit; po, ai ia ka shtypur, për të mos pasur kurrë sërish superioritet mbi ty. Ai mund të sulmojë, të bezdisë dhe të shqetësojë; por nuk do të mundet dot kurrë që të të rrëmbejë nga dora e tij e shpuar nga gozhdët.


© www.fjaletejetes.com
Abonohu në www.fjaletejetes.com
Ju lutemi vendosni adresën tuaj të emial-it nëse dëshironi të lajmëroheni për çdo postim të ri nga www.fjaletejetes.com!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*